LAJMI I FUNDIT:

Shfaqja “Klanica 5” jepet premierë në Beograd

Shfaqja “Klanica 5” jepet premierë në Beograd

Është dhënë premierë në Beograd versioni i ri i shfaqjes “Klanica 5” (“Slaughterhouse 5”/”Therrtorja 5”), në të cilën një ndër rolet kryesore e luan edhe aktori kosovar Imer Mushkolaj.

E realizuar sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur amerikan Kurt Vonnegut dhe me dramatizim të Tatjana Ljujicit (Universiteti i Cambridge-it), regjinë e shfaqjes e ka bërë Fahrudin Nuno Salihbegovic (Amsterdam Cyber Theatre).

Versioni i parë i kësaj pjese teatrale është dhënë premierë në vitin 2007, në Teatrin Popullor të Uzhicës, kurse versioni i dytë vitin e kaluar në Beograd. Në këtë projekt, Mushkolaj ka përfaqësuar qendrën “Multimedia” nga Prishtina.

Shfaqja është realizim i produksionit “Academica”, Amsterdam Cyber Theatre, Teatrit PVC të Novi Sadit, “Magdatt” nga Amsterdami dhe SET (Studio for Electronic Theatre) nga Beogradi. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajnë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic.


“Klanica 5” është një rrëfim për bombardimin e qytetit të Drezdenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë të cilit për një natë vdiqën 135 mijë veta. Tmerrin e Dresdenit e ka përjetuar vetë shkrimtari Vonnegut dhe ai atë përjetim e ka “bartur” në një tregim fantastiko-shkencor, duke ofruar një tregim shizofrenik të aktorit kryesor, për një vizitë në tjetër planet. Në shfaqje, loja e aktorëve në skenë kombinohet me efekte, projeksione digjitale dhe senzorë të ndryshëm. I ashtuquajturi “cyber theatre” promovohet në rajon pikërisht me këtë shfaqje, ndërkohë që është lloj i ri teatri edhe në Evropë.

“Shfaqja në skenë dizajnohet ‘live’, gjatë rrjedhës së saj, me përdorimin e kamerave, dritave, tonit, videoklipeve dhe titrave, me të cilat ‘komandojnë’ disa kompjuterë para skenës”, shkruante për shfaqjen gazeta “Danas”.

Pjesë e ekipit të shfaqjes (realizimi teknik) ishin Paul Verity Smith nga Universiteti Brunel i Londrës, Martin Dupras nga Universiteti i Anglisë Perëndimore në Bristol, Matthias Oostrik nga Akademia Holandeze e Filmit dhe Televizionit dhe Boris Butorac nga Teatri PVC i Novi Sadit.

Është planifikuar që vitin e ardhshëm, shfaqja të jepet në Prishtinë dhe Sarajevë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Të dashur prindër amerikanë, ky është Davidi i Michelangelos!

Të dashur prindër amerikanë, ky është Davidi i Michelangelos!

Kryeveprat e vjedhura nga nazistët

Kryeveprat e vjedhura nga nazistët

KUJDES ME FJALËN

KUJDES ME FJALËN

Mitologjia, aset i çmuar i qytetërimit perëndimor

Mitologjia, aset i çmuar i qytetërimit perëndimor

Simfoni metaforash të trishta

Simfoni metaforash të trishta

Kalo në kategori