LAJMI I FUNDIT:

Shën Jeronimi ilir

Shën Jeronimi ilir

Nga: Lumturije Bekaj

Libri Shën Jeronimi ilir (347-420) i Don Lush Gjergjit, që botohet në 1600-vjetorin e kalimit në amshim të Jeronimit të Stridonit, ngërthen aspekte të shumta historike, biblike, teologjike dhe shpirtërore. Në një intervistë për Telegrafin, autori flet për jetën e tij, për punën e tij si latinisti më i spikatur e si dëshmitari më burimor i Biblës.

“Përpos përkthimit të shkëlqyeshëm të Biblës (Vulgata), Shën Jeronimi është shkrimtar i frytshëm dhe i gjithanshëm, si në teologji, në histori, patristikë, ashtu edhe në vepra letrare – me shumë shkrime dhe me botime të llojllojshme”, thotë Don Lushi.


Shën Jeronimi është emër që e nderojnë jo vetëm të krishterët, si dijetar dhe një ndër doktorët më të spikatur të kohës së tij (Egregius Doctor Ecclesiae/ Doktor i shkëlqyeshëm i Kishës) – së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430).

Sipas Don Lush Gjergjit, ishte edhe njeri kulturës, por edhe i uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve e epsheve. Pra, ishte në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.

“Për këto arsye, por edhe shumë të tjera, sivjet, 1600 vjet pas vdekjes së tij, ai vjen tek ne dhe ndër ne me shumë porosi dhe aktualitete, si Njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë martire dhe biblike, si ‘vegël’ e Zotit për t’ia dhënë njerëzimit Biblën nëpërmjet Vulgatës – përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, që me shekuj ishte burim jete dhe frymëzimi për fenë dhe qytetërim evropian”, tha ai.

Shën Jeronimi lindi në vitin 247 në Stridon të Ilirisë (Dalmacisë). Në rininë e hershme shkoi në Romë, për të mësuar retorikën dhe drejtshkrimin – që aso kohe ishin ndër lëndët kryesore të studimeve – tek ligjëruesit e famshëm atëbotë, Mario Vittorio dhe Elio Donato. Talenti i tij dëshmohet shumë shpejtë.

“Studiuesi i njohur francez, Valery Larbaud, shkruan kështu në trajtimin e Shën Jeronimit dhe të familjes së tij: ‘Prindërit e Jeronimit ishin të krishterë, agrarë të pasur… Përpos emrit Hieronimus, iliri i ardhshëm, shumë i njohur, kishte edhe emrin e babës, Eusebius… Për nënën e tij nuk dimë asgjë, as emrin, por për motrën shumë më të re, e cila ishte bërë murgeshë, Jeronimi flet si për ‘vajzë të re’ ose për ‘grua të re’, por edhe emri i saj do të mbesë gjithmonë i panjohur. Për vëllain Paulinianin, i cili po ashtu ishte bërë murg, pastaj edhe meshtar, mendohet se ishte më i ri se ai, diku për 20 vjet”.

Në Romë, Jeronimi i ri mendonte që nëpërmjet jetës së shfrenuar, leximit e shijimit të autorëve klasikë greko-romakë, do ta gjente veten dhe lumturinë e jetës, mirëpo nuk doli kjo.

“Së shpejti mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe, ishte në kërkim të risisë dhe vërtetësisë”.

Gjatë viteve 372-381, ishte në Antioki, pastaj në shkretëtirën e Kalkistit, gjithnjë për studime, kërkime e shqyrtime. Pagëzimi i tij në vitin 360 ishte hap pjekurie dhe përcaktimi.

“Tashmë jeta e tij ishte e orientuar kah Jezu Krishti, kah krishterimi. I dashuruar në Krishtin dhe në Kishën katolike, filloi studimin e gjuhës hebraishte për t’u njohur më për së afërmi me botën e Krishtit”.

Romë rikthehet si i krishterë i njohur, si biblicist i spikatur, si dijetar i vërtetur, për të qenë edhe sekretar personal i Papë Damasit. Nga ky bashkëpunim nisi puna madhe e përkthimit të Biblës në gjuhën latine. Aty ra në sy për erudicionin e tij. Faza tjetër e rëndësishme e jetës së tij është ajo e viteve 385-430, në Betlehem, ku hapi një shkollë biblike dhe teologjike, një strehimore për shtegtarët, si dhe tri bashkësi apo kuvende femërore.

Sipas Don Lush Gjergjit, parimi i njohur i Shën Jeronimit ishte ky: “Mosnjohja e Biblës është mosnjohja e Krishtit”. Kjo e shtyri dhe frymëzoi atë që për afro 25 vite të merrej me përkthimin. Ky përkthim është kanonizuar “si tekst autentik dhe autoritativ i Kishës Katolike” nga Koncili i Trentos  (1545-1563), ndërsa për të gjithë të krishterët në botë është baza e shumë përkthimeve tjera.

“Por, Shën Jeronimi ishte edhe shkrimtar i frytshëm. Ndoshta, vepra më e njohur e tij është De viris illustribus (Mbi njerëzit e ndritshëm, 392), për të dëshmuar se edhe të krishterët janë në nivel të ngjashëm apo të njëjtë me klasikët paganë greko-romakë. Aty ai i paraqet 135 figura të ndritshme, duke filluar prej Shën Palit apostull dhe duke përfunduar me veten”.

Për Shën Jeronimin, Erazmi i Roterdamit ka thënë: “Është i vetmi dijetar i Kishës së përgjithshme, i cili në mënyrë të përsosur e ka njohur botën e krishterë dhe atë pagane… Nëse shqyrtohet gojëtaria e tij… asnjë shkrimtar i pjesëve tona nuk mund të krahasohet me të. Sipas mendimit tim, ai tejkalon edhe Ciceronin për disa cilësi, kryesuesin e gojëtarisë romake… Kush mund të jetë i barabartë me të në njohjen e aq gjuhëve… të jetë si ai që ka jetuar për Krishtin me aq fuqi?”

Shën Jeronimin, Fan Stilian Noli e ka përvetësuar dhe paraqitur si shqiptar të dalluar dhe të njohur në mbarë botën.

“Gjurmëve të Nolit ka vazhduar edhe Don Ndre Mjeda, i cili e ka paraqitur edhe një lloj skice, apo njësie didaktike dhe shkollore, për ta bërë atë si pjesë të pandashme të shkollës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar. Iliri ynë e krishterizoi botën klasike greko-romake dhe krishterimin e bëri fe dhe kulturë të gjithmbarshme. Aty, në Betlehem, në afërsi të shpellës ku lindi Jezu Krishti, Jeronimi e përfundoi ecjen tokësore, i drejtuar kah amshimi i lumtur (30 shtator 420). Në ‘Martirologium Romanum’, Shën Jeronimi cilësohet si dijetar i spikatur i Kishës, si prifti më i ditur, ai që i aftësonte edhe të tjerët në këtë drejtim”, shpjegon Don Lush Gjergji, për të shtuar se ky humanist dhe filolog ilir, me veprën e vet – siç ka pohuar edhe Aleksandër Stipçeviqi – i ka dhënë një kontribut të çmueshëm botës perëndimore në fushën e kulturës.

Jetën dhe veprën e Jeronimit, Lush Gjergji e ndan në pesë aspekte: (1) Përthimi i tërësishëm i Biblës; (2) Egzegeza – shpjegimet e teksteve biblike me kompetencë dhe njohuri të rrallë, me thellësi dhe mprehtësi jetësore për jetën fetare dhe morale; (3) 122 letra personale e 32 korrespondenca që ai i definonte si libër, e që janë thesar shpirtëror, kulturor dhe letrar që krahasohen me ato të Ciceronit; (4) De viris illustribus, si ndër veprat më të rëndësishme letrare kishtare; (5) Shumë vepra dhe shkrime tjera dëshmojnë erudicionin në trajtimin e temave të llojllojshme.

“Jeronimi mund të konsiderohet vërtet si shkrimtari i madh dhe i fundit i latinishtes… Ai është në rend të parë shkrimtar. Në Vulgatën e tij, Shën Jeronimi nuk shquhet vetëm si filolog i ditur, i cili përkthente me zotësi nga origjinali në hebraisht duke e krahasuar me përkthimet greke, por na del edhe si artist i talentuar i fjalës, si krijues gjenial që ka ditur të depërtojë në thellësinë e mendimit të përsosur”, thotë Don Lush Gjergji.  

Për Shën Jeronimin, artistët më të mëdhenj kanë bërë vepra të mëdha artit, në pikturë e në skulpturë, si Tommaso Massaccio, Jan van Eyck, Leonardo Da Vinnci, Michelangelo Buonarotti, Andrea de Verocchio, Alekssandro Vittoria, Lorezzo Bernini etj. Po ashtu, janë mbi 400 kisha, katedrale, bazilika që i përkushtohen atij.  /Telegrafi/