LAJMI I FUNDIT:

SHBA-të kërkojnë zgjidhje të shpejtë të krizës

SHBA-të kërkojnë zgjidhje të shpejtë të krizës

Presidenti Bamir Topi ka pritur në një takim zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe për Azinë, Thomas Countryman, ku kanë diskutuar mbi situatën politike në Shqipëri veçanërisht pas 21 janarit.

Countryman, ka vlerësuar rolin institucional dhe konstruktiv të presidentit në këtë situatë të vështirë për Shqipërinë dhe duke çmuar lart përkushtimin e kreut të shtetit për t’i shërbyer popullit shqiptar dhe kushtetutës.

Ai theksoi pozicionin e njohur të Shteteve të Bashkuara lidhur me nevojën për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, rivendosjen e dialogut politik, një hetim tërësor, profesional dhe të ekuilibruar, që do të vërtetonin funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe demokracinë funksionale të një vendi anëtar të NATO-s.

Nga ana e tij, Topi ritheksoi se tashmë po përjetojmë një moment tepër vendimtar, kur drejtësia shqiptare duhet të dëshmojë përpara qytetarëve të këtij vendi integritetin e saj profesional dhe moral, zotësinë për të hetuar, gjykuar e marrë vendime e pavarur nga presionet dhe ndikimet politike.


“Ky do të ishte një kontribut thelbësor në rrugën për zgjidhjen e kësaj krize të pashembullt që pikësëpari duket se ka marrë peng shpresën e shqiptarëve jo vetëm për kapërcimin e saj, por dhe të alternativave që do iu ofrohen atyre nga forcat politike për të projektuar të ardhmen”, u shpreh presidenti Topi.

Gjithashtu, Topi shprehur angazhimin që të japë kontributin e tij institucional në funksion të rivendosjes së dialogut politik e konstruktiv mes palëve.

“Si president i Republikës, nuk i takoj më një pjese. I takoj, së pari qytetarit, dhe e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në institucionale në respekt të ligjeve dhe të interesit kombëtar”, tha Topi. /Telegrafi/