LAJMI I FUNDIT:

SHBA aprovon antiviralin remdesivirin për trajtimin e pacientëve të shtruar në spital shkaku i COVID-19

SHBA aprovon antiviralin remdesivirin për trajtimin e pacientëve të shtruar në spital shkaku i COVID-19

Inovatorët amerikanë kanë zhvilluar një ilaç antiviral që mund të përdoret për të trajtuar pacientët e shtruar në spital me COVID-19, pjesë e reagimit të gjerë të SHBA-së ndaj pandemisë globale.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave më 22 tetor miratoi remdesivirin antiviral të Gilead Sciences për të rriturit dhe fëmijët më të vjetër se 12 vjet, të cilët janë nën kujdesin spitalor për COVID-19. Remdesivir është antivirali i parë që FDA ka miratuar për të luftuar sëmundjen, transmeton Telegrafi.

“Miratimi i sotëm mbështetet nga të dhënat e marra prej shumë provave klinike që agjencia i ka vlerësuar në mënyrë rigoroze dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm shkencor në pandeminë COVID-19”, tha Dr. Stephen M. Hahn, komisioner i FDA-së.


FDA do të vazhdojë të miratojë trajtime të reja COVID-19 sapo të gjenden të sigurta dhe efektive, siç kërkohet në Aktin Federal të Ushqimit, Barnave dhe Kozmetikës së SHBA-së.

FDA gjithashtu mund të lëshojë një Autorizim të Përdorimit Emergjent përpara se të sigurojë miratimin e plotë të barnave, për të cilat provat klinike demonstrojnë një kohëzgjatje minimale të sigurisë dhe provave bindëse të efikasitetit.

Para çdo miratimi, FDA peshon rreziqet dhe përfitimet e një produkti duke përdorur standarde rigoroze shkencore. Në aprovimin e remdesivir, FDA analizoi të dhënat nga tre prova klinike të rastësishme, të kontrolluara që përfshinin pacientë të shtruar në spital me raste të lehta deri më të rënda të COVID-19.

Kompania farmaceutike Gilead Science, me qendër në Foster City, California, thotë se remdesivir do të ndihmojë pacientët të shërohen më shpejt, duke ruajtur kështu burimet e pakta të kujdesit shëndetësor.

Përmes Operacionit Warp Speed, Shtetet e Bashkuara po mbështesin gjithashtu zhvillimin e vaksinave të shumta të mundshme për COVID-19, duke përfshirë disa që janë në fazat e fundit të testimit. Operacioni ka thirrur shkencëtarë të qeverisë, kompani farmaceutike dhe të tjerë me qëllimin e zhvillimit të një vaksine të sigurt dhe efektive të coronavirusit para fundit të vitit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë investuar në përgatitjen e prodhuesve për të sjellë vaksinat COVID-19 në treg shpejt pasi të jenë provuar të sigurta dhe efektive. /Telegrafi/