LAJMI I FUNDIT:

Shaqiri: Do të luaj për Kosovën

Shaqiri: Do të luaj për Kosovën

Mesfushori i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri, është shprehur haptazi i gatshëm të përfaqësojë Kosovën, kur kjo e fundit të sigurojë paraqitjen e plotë në arenën ndërkombëtare.

Xherdan Shaqiri është duke u përgatitur për vazhdimin e sezonit në Bundesligë me ekipin bavarez. Ai është i vetë-dijshëm se do ta ketë shumë vështirë të sigurojë një vend titullari. Shaqiri ndjen konkurrencën çdo ditë në ekipin më të mirë në botë.

“Janë emrat e mëdhenj nga Liga e Kampionëve që më bëjnë të përfitoj nga eksperienca e tyre si në asnjë klub tjetë”, tha Shaqiri, që në verë do të udhëheqë Zvicrën në Kupën e Botës, ”Brazil 2014”, por Kosova mund të jetë një mundësi e re për të.

“Deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Duhet të mendoj kur Kosova të pranohet në FIFA, atëherë do të rishqyrtoj situatën, por për këtë ndoshta kalojnë disa vite”, deklaroi Shaqiri, që lë të nënkuptojë që në të ardhmen nuk është çudi të luajë për Kosovën, një dëshirë e kahershme edhe e prindërve të tij.


Deklarata e Shaqirit mund të tundojë edhe pjesëtarë të tjerë të kombëtareve të ndryshme ku ka kosovarë, por sidomos te Shqipëria, që janë 14 të tillë aktualisht, pa përfshirë ata që janë gati të debutojnë. Nëse pas disa vitesh Kosova do të pranohej me të drejta të plota, të gjithë ata që nuk do të kishin formacionin e sigurt, nuk do të ishte çudi që të kalonin me ekipin tjetër përfaqësues, pa përmendur që ndonjë titullar mund ta bënte thjesht nga patriotizmi apo arsye të tjera. Kjo do të ndikonte jo pak në cilësinë e kombëtares shqiptare. Megjithatë, Zvicra ishte e para që deklaronte se do t’u hapte rrugë dhe nuk do t’u nxirrte asnjë pengesë futbollistëve kosovarë nëse ata do të donin të përfaqësonin një ditë Kosovën.

Shaqiri e konfirmoi i pari, priten të tjerë të ndjekin shembullin e tij, sidomos ata që nuk do të gjejnë hapësira në kombëtaret respektive. /Koha/Telegrafi/