LAJMI I FUNDIT:

Shahiri i Drenicës!

Shahiri i Drenicës!

Rapsodi nga Drenica, Tahir Drenica, mund të quhet një shahir i vërtetë, sepse që nga fëmijëria nuk është ndarë nga kënga dhe nga sharkia. Ai ka kënduar dhe vazhdon të këndojë nëpër oda, dasma e festivale, gjithnjë me tirq dhe sharki, duke e ruajtur folklorin e pastër dhe origjinal të trevës së Drenicës.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Si ju ka mbetur mbiemri Drenica?
Mbiemri më ka mbetur, sepse kur kam shkuar të këndoj në Radio- Televizionin e Prishtinës, atje më kanë pyetur si quhem. Ta tregoja emrin tim të vërtetë nuk kam guxuar, sepse babai ka qenë armik i qeverisë. Edhe kudo që kam punuar, më largonin prej punës, se më thoshin je djalë armiku! Kështu, kur shkova në RTP, bashkë me Hashim Shalën, thash se unë thirrem Tahir Drenica dhe këngët shpëtuan pa u tërhequr nga repertori.


A e keni arsyetuar këtë mbiemër të madh?
Mendoj se po, sepse kam kënduar ku flitet shqip dhe nëpër shumë shtete, si në Amerikë, ku kam qenë katër herë për të kënduar. Mund të them se i kam kënduar më shumë pasion dhe dashuri historisë së kombit shqiptar, duke i treguar popullit shqiptar se kush janë heronjtë dhe kush janë ata laramanët e tjerë, të mjerë! Pra, në njëfarë mënyre nëpërmjet këngës e kam bërë “herrje” të kombit dhe në këngët e mia kanë gjetur vend vetëm patriotët e vërtetë, të cilët kanë luftuar për tokën e vet. Këto këngë kanë qenë inspirim për të gjithë brezat!

Keni filluar të këndoni si fëmijë. Kush ju ka mësuar, me kë keni kënduar dhe kujt i keni kënduar?
Kam kënduar prej vogëlisë, pra qysh kur kam qenë çoban me dhen e me dhi. Kemi qenë një familje e madhe, 48 anëtarë, dhe fillimisht kam kënduar me një djalë të mixhës nëpër oda të burrave. Kemi pasur një odë të madhe, sepse te ne vinin shumë mysafirë, prandaj para tyre këndoja pa vegla. Unë, si çoban me dhen e me dhi, u kam rënë n’rrojsave, i kam ra fyellit, gajdes, kavallit, por edhe lahutës së gjyshit tim, i cili ka qenë nipi i Ahmet Delisë së Prekazit. Por, këngën sikur e kam trashëgim nga Sylë Mema, gjyshi i babait të nënës. Gjyshi kishte pas kënduar me çifteli.

Përveç jush, në Drenicë kanë kënduar edhe vëllezërit Kadishani, pastaj edhe duete të tjera, si Salih e Feriz Krasniqi, bijtë e Sefë Mleçanit, Riza Bllaca…a i keni njohur personalisht dhe çfarë raportesh keni pasur me ta?
Po i kam njohur nga afër dhe kemi qenë te njëri-tjetri. Kemi bërë muhabet, sidomos me Salihun dhe me Ferizin, të cilët kanë qenë në dasmën time, pastaj ka kënduar Halil Cërvadiku, Selam Bala, Beqir Prelezi. Edhe unë kam qenë te Salihu, kur i kishte zënë djalit nuse. Po ashtu, edhe me Riza Bllacën jam njohur, pastaj me Durmish Kadishanin kam kënduar një kohë të gjatë. Kam respekt të madh për të gjithë, sepse kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në folklorin dhe në kulturën tonë kombëtare.

Keni kënduar më së shumti me Hashim Shalën dhe ende këndoni. Ç’keni bërë që ende zëri nuk po ju tradhton?
Nuk kam bërë asgjë, vetëm e kam ruajtur zërin origjinal, pra zërin natyral. E falënderoj Zotin që po ma ruan zërin. Madje, ka pasur raste kur kemi kënduar dy ditë e dy net pandërprerë dhe zëri na ka shkuar pushkë. Edhe sot këndoj më të njëjtin zell dhe elan.

A ju kujtohet në sa dasma keni kënduar dhe sa këngë i keni në repertorin tuaj?
Jo, sepse kam kënduar 60 vjet, ndërsa këndoj më se 500 këngë.

Si duhet të duket një shahir i vërtetë?
Shahiri i vërtetë duhet të jetë i pastër, të mos jetë mendjemadh, të mos i nënçmojë njerëzit nëpër dasma, t’i respektojë burrat e vjetër ylejmanë, parinë, udhëheqësinë, të këndoj sipas dëshirave të tyre.

Keni marrë pjesë edhe nëpër festivale, sidomos në atë të Folklorit në Drenas. Keni fituar edhe çmime. Si i keni pritur ato?
Në festivale kam marrë pjesë, pastaj në RTP, kurse Rivistën e Folklorit burimor në Drenas e kam themeluar unë me Halil Cërvadikun dhe me profesorin Fazli Haxhiu. Më kujtohet që kemi kënduar me llamba të vajgurit. Mund të them se bashkë me Durmish Kadishanin dhe Hashim Shalën gjashtë herë jemi shpërblyer.

Ku keni kënduar më së shumti, në cilën trevë të Kosovës?
Më së shumti kam kënduar në rrethinën e Podujevës, edhe në Has të Prizrenit, pastaj në Maqedoni e vende të tjera.

A keni trashëgimtar në muzikë?
Trashëgimtar i kam katër nipa, madje më i vogli,Taulanti, 3-vjeçar e gjysmë, ka filluar t’i bie çiftelisë shumë bukur dhe po këndon. Një tjetër nip i ka 10 vjet, e ka emrin Ardi, dhe po këndon me Taulantin. Besoj se do të shpërthejë talenti edhe te ndonjë tjetër.

Çdo të thotë të këndosh kaq gjatë?
Po kjo është një dhuratë e mirë e madhe për një këngëtar 85-vjeçar që të këndojë ende dhe t’ia plotësojë dëshirat popullit shqiptar.

A bëhet shahiri, këngëtari më zor, apo duhet të jetë i lindur?
Duhet të jetë i lindur që të jetë një shahir i mirë. Talenti lind, si për këngë, për poezi, për pikturë e profesione të tjera.

Këngët i keni kryesisht patriotike, por keni edhe disa “ashiki”, si Lele, Leze??
Këngët e mia janë kryesisht patriotike, por kam edhe këngë ashikie, sepse është dashur të këndoj edhe sipas shijes dhe porosisë së popullit.

Çfarë këngësh kërkon dëgjuesi juaj?
Patriotike, historike, por edhe ndonjë ashiki, pra këngë të zemrës.

A ndieni mallëngjim (mërzi) kur një ditë do t’ju lë zëri?
Zëri do të më lë vetëm kur të vdes.

Keni ndonjë porosi për ata që e marrin sharkinë në dorë dhe dëshirojnë të këndojnë?
E kam një porosi për solistët që t’i kushtojnë rëndësi historisë dhe traditave të kombit tonë.

Faleminderit dhe këndofsh edhe shumë vjet, me lezet!
Faleminderit edhe prej juve dhe bravo ju qoftë që nuk po na harroni! Ju ftoj ndonjë natë për qejf dhe bisedojmë me gjuhën e Odës shqiptare, e cila ishte një vend i mençurisë shqiptare, njëfarë Kuvendi i popullit.

/Telegrafi/