LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e funksionimit të qeverisjes lokale në Kosovë në aspektin financiar dhe administrativ

Në botën bashkëkohore funksionimi normal i pushtetit lokal varet nga shumë indikatorë të cilët janë të rëndësishëm për jetën e qytetarëve dhe për mirëfunksionimin e institucioneve të pushtetit lokal të cilët duhet pasur parasysh por dy janë më të rëndësishme: funksionimi financiar dhe administrativ i organizimit të pushtetit lokal.

Në Republikën e Kosovës qeverisja lokale në aspektin financiar ka rëndësi të madhe sepse nga kjo dukuri varet mirëqenia dhe funksionimi i mirëfilltë i Komunave të Republikës së Kosovës.


Me Kushtetutë të Republikës së Kosovës, Komunat kanë këto të drejta në aspektin financiar: të drejtë të vendosin tatimet për qytetarët e komunës së tyre, të caktojnë normën e tatimeve, ti mbledhin tatimet, ti shpenzojnë këto të hyra dhe njëherit kanë të drejtën të marrin fonde nga qeveria qendrore.

Këto janë parime të cilat duhet pasur parasysh gjithnjë nga ana e Komunave nëse ato dëshirojnë që të funksionojnë mirë në aspektin profesional dhe bashkëkohor duke zbatuar legjislacionin në fuqi gjithnjë në të mirë të qytetarëve.

Në këndin praktik funksionimi i vetëqeverisjes lokale në aspektin financiar paraqet dy vështirësi para vetës:
1. Zbatimi i ligjeve financiare dhe nxjerrja e akteve nënligjore nga ana e Komunës (Statuti, rregulloret, vendimet, udhëzimet etj.) dhe
2. Funksionimi i mirëfilltë i institucioneve lokale të cilat kanë për obligim të mbikëqyrin dhe të menaxhojnë paranë e qytetarëve për të mirën e tyre (Kryetari i Komunës, Drejtoria e Financave dhe Zyra e Prokurimit Publik nëpër Komuna).

Zbatimi i ligjeve që kanë karakter financiar nga ana e komunave është më se e domosdoshme sidomos të disa ligjeve që janë bazë e financave komunale siç janë: Ligji për financat e pushtetit lokal, Ligji për menaxhimi e parasë publike, Ligji për prokurimin publik, Ligji për tatimin në pronë dhe parimet e kushtetutës të cilat i japin kompetencë komunave që të jenë autoriteti kryesor në mbledhjen e tatimeve dhe caktimin e normës tatimore (Kushtetuta e Kosovës, neni 124), por gjithmonë duke u bazuar në ligje.

Pavarësia financiare komunave ju jepet me Ligjin për financat e pushtetit lokal, një karakteristikë shumë e rëndësishme dhe e harmonizuar me standardet ndërkombëtare sepse komunat duhet të kenë pavarësi të plotë në shpenzimin e parasë publike të cilën e kanë vjelë nga qytetarët, por gjithmonë duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe ligjin për prokurim publik dhe shpenzimi i këtyre të hyrave duhet të jetë në të mirë të qytetarëve të asaj komune. Pushteti lokal e tregon autoritetin e tij përmes mbledhjes së tatimeve dhe taksave për të cilën është kompetente, si dhe duke i investuar këto të hyra vetanake në të mirë të qytetarëve.

Një garanci të madhe funksionimit të pushtetit lokal i ofrohet nga ligji për tatimin në pronë që pushtetet lokale duhet të zbatojnë këtë ligj në një normë mbi 75% nëse dëshirojnë që të mos kenë probleme financiare e fatkeqësisht kjo nuk ndodh për shumë arsye si teknike po ashtu edhe profesionale dhe mos harmonizimi apo mos krijimi i një mekanizmi efikas për mbledhjen e tatimeve nga qytetarët, e meta qëndron po ashtu edhe në mënyrën e ndëshkimit të gjithë atyre që nuk e bëjnë pagesën e tatimit në prona ngase prona është e shenjtë dhe në shtetet perëndimore më e rëndësishme është mospagesa e një tatimi sepse sanksionet janë të rënda ngase me këtë dëmtohet shoqëria dhe shteti se sa dëmtimi individual i një personi dhe kjo është një logjikë e shëndoshë dhe një parim i mirë që të gjitha njësitë e pushtetit lokal duhet ta kenë parasysh dhe ta aplikojnë.

Një garanci të madhe jo komunave por qytetarëve të atyre komunave që vjelin tatime ju jep ligji për menaxhimin e financave publike dhe ligji për prokurimin publik. Këto janë dy ligje të cilat gërshetohen mes veti dhe rregullojnë disa fusha që janë shumë të rëndësishme për qytetarët ngase në ligjin për menaxhimin e financave publike bëhet e qartë në mënyrë detale se si duhet paratë publike të investohen në një fushë të caktuar ndërsa në ligjin për prokurim publik bëhet filtrimi i parasë publike përmes zyrave të prokurimit publik që gjendet në çdo komunë.

Komunat nuk e kanë të drejtën e keqpërdorimit të parasë publike sepse për menaxhimin e parasë publike të lë të kuptosh se paraja publike nuk është e zyrtarëve të cilët punojnë nëpër zyre të komunave por është mjet me të cilin këta zyrtarë duhet të ju shërbejnë qytetarëve dhe askush nuk mundet të garantojnë se këta zyrtarë komunal nuk do ta keqpërdorin paranë, por kontrolli dhe menaxhimi i këtyre parave duhet drejtpërdrejt të vijnë nga ana e Kryetarit të Komunës, Drejtorit të Drejtorisë për Financa dhe nga udhëheqësi i zyrës për prokurim publik.

Këto janë tri institucionet kryesore në pushtetin lokal që paraja publike duhet të menaxhohet dhe të investohet në vendin e duhur dhe të zbatohen me përpikëri dy parimet e prokurimit publik: parimi i transparencës dhe parimi i efikasitetit. Një fakt është shumë me rëndësi në këtë fushë se të gjithë ata të cilët kanë luajtur me paranë publike e kanë paguar shumë rëndë këtë herët ose vonë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë se sot të jesh në krye të një institucioni nuk nënkupton luksin dhe pronësinë mbi atë institucion, por nënkupton përgjegjësinë dhe realizimin e misionit për ta zbatuar ligjin me përpikëri ngase kjo është edhe obligim ligjor dhe moral.

Demokracia në qeverisjen lokale

Funksionimi i demokracisë lokale në Kosovë është duke u ballafaquar me një mori problemesh, si në aspektin e qeverisjes efikase, po ashtu edhe sa i përket funksionimit normal të vendimmarrjes nga ana e organeve qeverisëse lokale. Sipas ligjit për qeverisjen lokale në Kosovë, Komuna është njësia themelore e vetëqeverisjes lokale në Kosovë, ndërsa statusi ligjor i Komunës është: Komuna është person juridik, ku çdo komunë mund të padisë dhe të paditet në gjykatë; të posedojë dhe të menaxhojë pasurinë; mund të jetë pronare apo bashkëpronare e ndonjë kompanie që është në interes të komunës në raport me qytetarët; të lidh kontrata; të punësojë stafin dhe të angazhohet në aktivitete tjera që janë të domosdoshme për realizimin e përgjegjësive të saja (shih ligjin nr. 03/L-40 për qeverisje lokale në Republikën e Kosovës, nenet 4 dhe 5). Organi më i lartë vendimmarrës në Komunë është Kuvendi Komunal, ndërsa organi më i lartë ekzekutiv është Kryetari i Komunës. Lidhur me funksionimin e këtyre dy organeve më të rëndësishme në Komunë sa i përket bashkëpunimit të tyre për të ofruar një qeverisje lokale sa më të mirë në shërbim të qytetarëve dhe funksionimit të demokracisë lokale, në disa komuna kjo demokraci nuk funksionon ashtu siç duhet, sepse funksionimi i forcave politike në Kuvendin Komunal është në atë mënyrë që nuk u përgjigjet interesave të qytetarëve.

Mos funksionimi i një opozite funksionale në Kuvendet Komunale është njëri nga faktorët për mos funksionim të demokracisë lokale në mënyrë efikase. Këtë e vërteton fakti, sepse me të përfunduar zgjedhjet lokale menjëherë fillon “interesimi i madh” se cila/cilat nga partitë do të janë së bashku në qeverisje me partinë e cila ka fituar numrin më të madh të votave (dihet se në të shumtën e rasteve shumicën nuk mund ta fitojë asnjë parti, prandaj koalicioni është i pashmangshëm), edhe pse fare nuk e kanë as për së afërmi programin politik të ngjashëm dhe kështu kur të gjitha dëshirojnë të jenë pjesë e qeverisjes/ekzekutivit lokal, atëherë nuk ka strategji për ta kontrolluar punën e atyre që do ta marrin mandatin për të qeverisur, sepse edhe ata pak që do të mbesin jashtë përfshirjes në qeverisje “opozitë” do ta kenë të vështirë ta luajnë këtë rol, prandaj edhe kemi vonesa në projekte të ndryshme, mos kontroll të shpenzimit të buxhetit e një mori çështjesh tjera të grumbulluara (shih raportet e disa organizatave vendore e ndërkombëtare që merren me monitorimin e qeverisjes lokale në Kosovë, si OSBE, UNDP, KIPRED, po ashtu analizo edhe gjendjen aktuale të funksionimit të koalicioneve të qeverive lokale në të gjitha komunat).

De politizimi dhe profesionalizimi i administratës lokale

Në krye të administratës lokale sipas ligjit për qeverisjen lokale në Kosovë nr. 03/L-40 është Kryetari i Komunës, i cili po sipas këtij ligji në këtë pozitë vjen pasi që zgjedhet nga qytetarët në zgjedhje të drejtpërdrejta. Në emër të Komunës punëdhënës është Kryetari i Komunës (Kryetar i qeverisë komunale), i cili është edhe organi ekzekutiv më i lartë në Komunë.

Sipas raporteve dhe statistikave nga organizatat ndërkombëtare që mbikëqyrin qeverisjen lokale në Kosovë, del që në komunat e Kosovës stafi administrativ është jo profesionist, ndërsa përqindja më e madhe e tyre janë pa shkollim superior (shih statistikat e pranimit të studentëve në dy Universitetet publike dhe ato private në Kosovë, del që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve të administratës komunale janë të regjistruar në fakultetet juridike dhe ekonomike, të cilët që prej 11 vitesh janë në marrëdhënie pune në administratat komunale).

Përpos problemit të “profesionalizimit” të administratës lokale, problem tjetër i administratës lokale është edhe politizimi i saj, i cili problem në vend që të menaxhohet dhe të gjendet zgjidhja e tij, ai vetëm sa po shkon e po bëhet edhe më i pa zgjidhshëm, dhe po shkon në funksion të rritjes së pa nevojshme të numrit të të punësuarve në administratën lokale, e cila për çdo ditë ballafaqohet me kërkesën e sistemimit të punëtorëve.

Prandaj ne mendojmë që për një qeverisje lokale të suksesshme dhe në shërbim të interesave të qytetarëve patjetër duhet respektuar dhe zbatuar legjislacioni që i referohet qeverisjes lokale për të pasur administratë lokale funksionale në aspektin financiar dhe administrativ.

(Burim Haliti ka titullin shkencor Master i shkencave Juridike – financiare. Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)