LAJMI I FUNDIT:

Serbia prezanton Strategjinë e saj: Nuk e njohim Kosovën, as ushtrinë e saj, nuk duam as në NATO

Serbia prezanton Strategjinë e saj: Nuk e njohim Kosovën, as ushtrinë e saj, nuk duam as në NATO

Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, do të japë mbështetje të plotë për pjesëmarrjen e serbëve në ‘institucionet e përkohshme në Prishtinë’, do të kundërshtojë formimin e ushtrisë së Kosovës dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n dhe OTSK, si një shtet neutral ushtarak.

Këto janë pjesët më të rëndësishme të Draft Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe Draftit të Strategjisë së Mbrojtjes të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe për të cilën debati publik është duke u mbajtur nga e premtja e do të vazhdojë deri më 15 maj.

Siç shkruan gazeta beogradase “Blic”, pjesëmarrësit në diskutim ishin përfaqësues të organeve shtetërore, ekspertë dhe të gjitha palët e interesuara, kurse teksti i të dy drafteve do të prezantohet në tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime të ekspertëve në Novi Sad, Nish dhe Beograd, përcjell Telegrafi.


Analisti ushtarak Bojan Dimitrijeviq, mori pjesë në hartimin e dy strategjive 14 vjet më parë, kështu që ai vuri re vetëm një ndryshim të rëndësishëm nga ajo kohë.

“Këto janë dokumente shumë konservatore në të cilat shteti jep një pasqyrë themelore të situatës së sigurisë dhe vlerësimit të rreziqeve të sigurisë. Në krahasim me vitin 2004 në mënyrë identike janë vlerësuar sfidat në rajon, përveç që atëherë Serbia në mënyrë më të qartë ishte duke lëvizur drejt integrimit në NATO, ndërkohë që nga viti 2008 dhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, është dominues përcaktimi i neutralitetit ushtarak”, thotë Dimitrijeviq.

Sipas tij, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për dokumente kornizë të definuara qartë, këto strategji nuk duhet të jenë obligative për kreun politik.

“Gjatë dy dekadave të fundit është treguar se gjithmonë mund të shfaqen rreziqe dhe sfida të reja të paparashikuara të sigurisë, dhe në përputhje me rrethanat, këto strategji janë subjekt i ndryshimeve. Prandaj, në këto dokumente, Serbia shpreh pikëpamje krejtësisht parimore, pothuajse sikur të gjitha vendet në botë. Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe deri diku Gjermania në këto strategji shprehin pikëpamje të hapura. Këto strategji do të duhej të ishin obligative për burrështetasit, por në praktikë ato nuk janë”, shpjegon Dimitrijeviq.

Është interesante që të dyja strategjitë mund të miratohen pothuajse në të njëjtën kohë, kur Presidenti Aleksandar Vuçiq do të ofrojë zgjidhjen e tij për Kosovën.

Vuçiq tha javën e kaluar se nuk është i sigurt se në fund të prillit, siç është paralajmëruar disa herë, do të ofrojë një zgjidhje për Kosovën, por se mund “të garantojë se do të punojë shumë që të arrihet një kompromis”. Presidenti vuri në dukje se zgjidhja për Kosovën “nuk do të jetë pa dhimbje për serbët”, dhe se propozimi i tij do të “pritet në ‘thikë’ si në rajon,  Evropë dhe në botë, e poashtu edhe në Serbi”, përcjell Telegrafi.

Pjesë nga Draft Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe Draft Strategjia e Mbrojtjes, të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë:

OTSK dhe Lëvizja e të Painkuadruarve

Serbia bashkëpunon me OTSK (Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive) për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë globale, në përputhje me politikën e neutralitetit ushtarak. Serbia synon të përmirësojë besimin me OTSK në mënyrë që të arrijë qëllimet e përbashkëta. Si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Painkuadruarve Serbia do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie edhe me anëtarët e saj.

Integrimi në politikën e BE-së

Avancimi i sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes përmes procesit të integrimit evropian kontribuon në anëtarësimin e plotë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ajo është e vendosur që në kuadër të procesit të pranimit të kontribuojë në politikën e përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian dhe të integrohet në konceptet e  politikës evropiane.

Marrëveshja e Brukselit

Ruajtja e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë brenda Serbisë është një çështje e rëndësishme për Serbinë. Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të krahinës së saj jugore, por në interes të stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira të mundshme serbe-shqiptare do të vazhdojë dialogun me institucionet e përkohshme në Prishtinë me ndërmjetësimin e BE-së për të arritur marrëveshje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme. Serbia është e përkushtuar për zbatimin konsistent të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit. Me punën aktive në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin dypalësh do të bëhen përpjekje të parandalohet anëtarësimi dhe afirmimi i  pavarësisë së shpallur njëanshëm u Kosovës e Metohisë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në OKB.

Kosova në përputhje me Rezolutën 1244

Normalizimi i situatës dhe marrëdhënieve në Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë kontribuon dukshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj. Serbia do të ofrojë mbështetje të plotë për pjesëmarrjen e serbëve në punën e institucioneve të përkohshme në Prishtinë. Me qëllim të mbrojtjes së popullsisë serbe dhe jo-shqiptare dhe rritjes së sigurisë të gjithë qytetarëve të krahinës, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Serbia do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në një varg iniciativash rajonale që kontribuojnë në përshpejtimin e progresit të të gjithë pjesëmarrësve drejt anëtarësimit në BE. Veçanërisht të rëndësishme i vlerëson proceset që çojnë në rezultate konkrete në fushat prioritare: ekonomi, infrastrukturë, energji, bashkëpunim rinor …

Kundër ushtrisë së Kosovës

Serbia angazhohet për praninë pa reduktuar të KFOR-it dhe kundërshton ndryshimin e mandatit dhe transformimin e formacioneve të armatosura të quajtur Forca e Sigurisë së Kosovës, në Forcat e Armatosura, sepse kjo do të destabilizonte situatën në Kosovë dhe Metohi dhe do të rrënonte sigurinë në rajon.

Marrëdhëniet me OKB-në

Do të vazhdohet bashkëpunimi edhe me aktorët kryesorë ndërkombëtarë, mbi të gjitha me anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Selia e OKB-së në Nju Jork

Serbia është e përcaktuar për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me partnerët tradicionalë, ekonomitë në zhvillim dhe vendet e zhvilluara me të cilat na lidh një numër i projekteve të përbashkëta në fushat e ekonomisë, kulturës, arsimit, shkencës dhe sportit. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me këto vende, fokusi do të jetë në vazhdimin e pozicionit të tyre të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Jo në NATO

Me qëllim të kontributit në stabilitetin global, evropian dhe rajonal, Serbia bashkëpunon me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe, duke aplikuar neutralitetin ushtarak, që nënkupton mungesën e anëtarësimit në aleancat ushtarake-politike.

Neutraliteti i saj nuk është një pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit të partneritetit në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Serbia nuk e ka ndërmend të bëhet anëtare e NATO-s, ose e një aleance tjetër ushtarako-politike, por dëshiron të rrisë besimin me të gjithë partnerët e saj dhe të realizojë qëllime të përbashkëta. Bashkëpunimi me NATO-n dhe KFOR-in dhe prezencën tjetër ndërkombëtare është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e popullatës serbe, trashëgiminë kulturore dhe fetare, paqen dhe sigurinë në Kosovë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare

Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare

Drejtësi
Kalo në kategori