LAJMI I FUNDIT:

Serbia po manipulon me serbët në Kosovë

Serbia po manipulon me serbët në Kosovë

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka deklaruar se, kohë më parë, kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukaniq i ka konfirmuar se Podgorica dhe Prishtina shumë shpejtë do t’i vendosin marrëdhëniet diplomatike. Në një intervistë për televizionin “Vijesti”, Çeku ndër të tjera ka akuzuar politikën shtetërore të Serbisë se po manipulon me serbët në Kosovë.

Në këtë intervistë, Çeku ka thënë se në Qeverinë e Kosovës ekziston vullnet i mirë për ta njohur pakicën malazeze në Kosovë dhe që malazezët e zhvendosur të kthehen në vatrat e tyre. “Mendoj se arsyeja e vetme dhe pengesa e vetme për kthimin e këtyre personave, është gjendja e keqe ekonomike dhe mundësitë e vogla për punësim… Nuk bëhet më fjalë për siguri, e as për mungesë të vullnetit”, ka thënë ish-kryeministri kosovar, tash lider i Partisë Social-Demokrate.

Çeku ka thënë se për qytetarët e Kosovës kishte rëndësi çdo njohje e shtetit të tyre, mirëpo ka shtuar se, “peshë të veçantë ka pasur njohja nga Mali i Zi”. “E di se nuk ka qenë lehtë – unë i kuptoj specifikat në Mal të Zi, e di se ekzistojnë parti që nuk janë luajale as ndaj vetë pavarësisë së Malit të Zi, mirëpo këtu e përgëzoj mençurinë dhe trimërinë e udhëheqësisë së Malit të Zi”, ka thënë ai.

Lideri i PSD-së ka potencuar se nuk është i lumtur që një pjesë e komunitetit serb është larguar nga Kosova, dhe ka shtuar se sot, shqiptarët dhe serbët nuk jetojnë pranë njëri-tjetrit për shkak të politikës shtetërore të Beogradit. “Beogradi edhe më tutje po manipulon me serbët në Kosovë, dhe nuk i lejon t’i njohin institucionet e Kosovës, por i detyron ata që institucionet e Kosovës t’i konsiderojnë jolegjitime”, ka thënë ai.


Çeku ka shprehur mendimin e tij se, me pavarësinë e Kosovës ka marrë fund kapitulli i ridefinimit të kufijve dhe se kjo nuk do të ndodhë kurrë më në Ballkan. /Telegrafi/