LAJMI I FUNDIT:

Serbia, me politikën e Vozhdit synon anëtarësimin në BE

Gjithë potenciali diplomatik serb kundër Kosovës

Pas vendeve të Afrikës Veriore dhe të Gjirit Persik, vizitat e shpeshta të kreut të diplomacisë serbe ka të ngjarë të sjellin furtunë edhe në Azi, veçanërisht në shtetet e Indokinës. Nëse ndiqet shtypi serb, shihet qartë se politika e Beogradit kundruall fqinjëve ballkanas nuk ka ndryshuar as për një presje. Në politiken serbe ndaj Kosovës nuk shihet asnjë nuancë dallimi nga koha e vozhdit, përveçse tani Serbia nuk e ka fuqinë dhe guximin për luftë. Megjithëse ka njohur Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi e Maqedoninë, Serbia sillet ndaj tyre me diplomaci djalli. Vetëm të verbrit nuk i shohin veprimet destabilizuese serbe ndaj fqinjëve si; rasti për ekstradimin kroatit Purda nga Bosnja ne Serbi, protestat e përgjakshme në Kroaci dhe problemi i formimit të qeverisë së BeH. Politika serbe shkoi edhe me larg duke shpallur person non-grata raportuesin evropian, sllovenin J. Kacin.


Derisa bota arabe po vlon, Jeremiqi mësyn vendet e Azisë; Vietnamin, Indonezinë… Qëllimi i vizitës është i qartë: Kosova të mos njihet nga ato vende. Sulmohet për të dytën herë ambasada e Kosovës në Paris. Në Poloni një grup serbësh proteston kundër pavarësisë së Kosovës. Në Beograd pritet Putini, prej të cilit Serbia pret përkrahjen e palëkundur ruse. Kurdoherë që ndërkombëtarët shfaqin interesim për marrëdhëniet serbo –shqiptare, Serbia përkujton madje edhe Tucoviqin e Novakoviqin, te cilëve, politika aktuale nuk ua di as varrin, e në praktikë vepron mbi platformën e Vozhdit, të Sveti Saves, Qosiqit e Çubrilloviqit dhe të Rusisë. Serbia vazhdon të mbetet vatër e destabilitetit në Ballkan. Në kronikën e aktiviteteve të politikës serbe nuk ka asgjë të re, megjithëse këto ditë flitet për fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Diplomaci serbe të vetmin shpëtim e sheh në veton ruse ne Këshillin e Sigurimit

Pavarësia e gjyqësorit dhe zbatimi efektiv i ligjit, janë ndër kriteret politike esenciale që duhet t’i përmbush Serbia, për të marrë statusin e kandidatit dhe për të filluar negociatat, thekson Komisionari Fyle, duke e këshilluar qeverinë serbe që mos të rrezikojë “përparimin” e deritashëm. Lidhur me raportin e Martit, Fyle thotë se mjafton EULEX-i për hetime dhe Marti t’i dorëzojë dëshmitë menjëherë, nëse i ka ato. Bashkëpunimi i Serbisë me Hagën mbetet edhe më tutje pjesë e pashmangshme e fjalorit të diplomateve më të lartë evropian.

Anija serbe e diplomacisë, e ankoruar në Këshillin e Sigurimit s’ka për të dalë asnjë herë në det të hapur, derisa të mbushet ujë dhe të fundoset. Serbia kërkon komision të pavarur nga OKB për hetime në Kosovë duke theksuar se nuk i beson EULEX-it dhe përmes djallëzisë tashmë të njohur synon të mbaj gjallë Rezolutën 1244, edhe pas vendimit të GJND-se për ligjshmërinë e shpalljes se pavarësisë së Kosovës, gjë të cilën e kishte kërkuar vetë.

Gjithë problemi qëndron tek rezoluta 1244 e cila mban të gjallë shpresën gënjeshtare serbe në Këshillin e Sigurimit, ashtu që në kokat serbe të ruhet sovraniteti virtual mbi Kosovën. Të gjithë drejtuesit më të lartë amerikanë e evropianë thonë se s’ka bisedime për statusin e Kosovës, ndërsa Serbia pikërisht statusin e vë në plan të parë.

Pakicat etnike në Serbi, trajtohen si tepricë teknologjike

Megjithëse ka një ligj të mirë për pakicat etnike në Serbi, atë nuk e zbaton askush. Antisemitizmi në Beograd shihet ashiqare. Në Sanxhak pushtetarët serbë nuk njohin zgjedhjen e përfaqësuesit boshnjak, romët diskriminohen si në kohën e nazizmit, në Vojvodinë situata nuk është aspak më ndryshe, megjithëse atje pakicat bëjnë shumicën. Me Bullgarinë dhe pakicën bullgare Serbia ende as që është përpjekur të zgjidhë ndonjë problem, ndërsa, me shqiptarët në Luginën e Preshevës sillet si Vozhdi dikur.

Në anën tjetër, shtypi serb paralajmëron se Beogradi do të kërkoj që Kroacia dhe Mali i Zi t’i njohin serbët si popull konstituiv në këto dy shtete, por edhe Maqedonia. Pakicat në Serbi trajtohen si tepricë teknologjike kur është fjala për realizimin e të drejtave themelore të njeriut. Politikanet serb kanë ndërmend pakicat etnike vetëm sa zgjatë biseda me cilindo faktor ndërkombëtar. Me të përfunduar të bisedës, pakicat etnike zhduken nga fjalori dhe nga ligjet e Serbisë. “Zoti i ruan serbët, ndërsa FMN-ja i ruan edhe serbet edhe të gjithë qytetaret tjerë”, thotë një analist serb. Me 27 misione revidimi të Bankës Botërore për tre vjet, Serbia shpëtoi nga epidemia greke e grevave.

Diplomacia serbe ende betohet në kokën e Titos

Megjithëse në botë ka ndryshuar gjithçka, megjithëse nuk ka qenë as nxënës i Titos, diplomati serb, Jeremiq vazhdon të shtihet sikur lëvizja e të painkuadruarve ekziston edhe më tutje. Serbia sivjet synon të organizojë njëfarë samiti të të painkudruarve në Beograd. Shumë kush, vetë idenë për një organizim te tillë, e quan komike. Serbia me pompozitet ka paralajmëruar edhe ardhjen e eproreve të lartë ushtarak të 69 vendeve të botës gjatë verës në Beograd dhe e tëra vlerësohet si mirënjohje për reformat serbe në fushën e mbrojtjes. Të gjitha këto devalevohen karshi vlerësimeve se vizita e Putinit në Beograd do të shfrytëzohet, për të kërkuar me çdo kusht që, Serbia të mos i bashkohet NATO-s.

Shtypi dhe diplomacia serbe ndihen të relaksuara pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës më nuk paskan dollar për të blerë miq në Lindjen e afërme. Duket së arabët, më në fund, kanë kuptuar së Tito dhe Jugosllavia e tij, në kokën e të cilës betohej gjatë çdo vizite trashëgimtari i vozhdit serb, Jeremiq, tashmë kanë vdekur.

Kohë më parë në Zagreb u promovua projekti “Ballafaqimi me kundërthëniet jugosllave”, që është një iniciative e shkencëtarëve, një përmbledhje e punimeve hulumtuese nga 28 vende, të cilat janë marre me kontradiktat dhe ngjarjet e viteve të njëzeta në rajonin e ish RSFJ-së. Shefi i projektit, profesori amerikan i Purdue University, Charls Ingrao, thotë se në libër flitet për mitet që duhet të largohen nga kokat e liderëve, mirëpo ende po ndodhë e kundërta. Liderët politik, pikërisht me fjalorin e tyre, plot mitomani, fitojnë vota. “Jugosllavia tashme i përket të kaluarës, por pengesat duhet të tejkalohen dhe të ndërtohen ura bashkëpunimi për njerëzit e këtij rajoni të cilët duhet të jetojnë serish bashkë në Evropën e Bashkuar, thotë Ingrao.