LAJMI I FUNDIT:

Serbi vs. Kosovë

Çdo shtet, duke qenë një organizatë apo institucion juridiko-politik, kryen moralisht e ligjërisht të gjitha funksionet shtetërore brenda kufijve dhe jashtë saj, për interesin e mirë të shtetasve të vet, sipas së cilës është i obliguar me çdo kusht të respektojë rendin juridik. Madje, sipas të drejtës ndërkombëtare, gëzon shtrirjen natyrale dhe siguron të drejtën për ekzistencë.

Një shtet me të drejtë për ekzistencë konsiderohet ai shtet i cili i plotëson kushtet e identitetit: gjuhës dhe kulturës si shprehje e të drejtës natyrore, njëkohësisht popullsisë së përhershme, territorit të përcaktuar dhe rregulluar me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë të drejtë për ekzistencë, duke u bazuar nga kushtet elementare të shteteve që posedojnë identitetin, gjuhën, kulturën dhe territorin, rezulton që Kosova e ka ketë të drejtë për vetekzistencë dhe njëkohësisht të drejtën e mëvetësimit si shtet sovran.


"E drejta për ekzistencë është një ndër të drejtat më elementare të shteteve dhe normalisht konsiderohen si e drejtë natyrore e çdo subjekti" (Zejnullah Gruda). Kosovës pothuaj i ka munguar gjithnjë e drejta për ekzistencë, sovraniteti shtetëror dhe e drejta për vetëvendosje, sepse ka pasur problemin e mohimit të ekzistencës si shtet i pavarur nga Serbia. Për një kohë relativisht të gjatë, Kosova ka funksionuar si krahinë autonome e Serbisë, ku politika e saj është diktuar nga Serbia, gjë që kjo ka krijuar një sistem të brishtë për historinë dhe rrugëtimin politik të Kosovës.

Kosova ka të drejtën morale që ta gëzojë të drejtën e saj të pamohueshme për ekzistencë, pasi kjo e drejtë për ekzistencë buron nga e drejta natyrore si bazë e të drejtave esenciale të shteteve për vetëvendosje. Autorët e shkollës natyrore si Vattel, Hefter, Rivije… mendonin se çdo individ që nga lindja e tij gëzon disa të drejta të cilat janë të siguruara nga natyra, andaj duhet kuptuar se liria, vetekzistenca, barazia, toleranca fetare janë të rregulluara me të drejtën natyrore. Duke u nisur nga kjo e drejtë natyrore, edhe shteti, si subjekt juridiko-politik, i takon t’i gëzojë disa të drejta të cilat i janë dhënë nga natyra, e ku realisht të drejtat themelore në asnjë vend të botës nuk varen nga vullneti i shteteve tjera.

Prandaj, e drejta natyrore si bazë e të drejtave themelore të shteteve ia mundëson edhe Kosovës që t’i gëzojë disa të drejta, siç është e drejta për ekzistencë, barazia dhe mëvetësimi nga çdo vullnet i jashtëm i shteteve. Kosova ka identitetin, gjuhën dhe kulturën e saj për të qenë shtet me të drejtë për vetekzistencë. Këtë të drejtë për ekzistencë po përpiqet me çdo çmim t’ia mohojë Serbia, edhe atë duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme të politikës nacionaliste, duke nisur që nga mjetet e konfliktit kundrejt spastrimit të Kosovës, e më vonë të vendos në dispozicion gjuhën diplomatike në rang negociatash për ta penguar realitetin e mëvetësimit të Kosovës.

Serbia edhe sot e kësaj dite po mundohet ta shfrytëzojë diplomacinë e saj tashmë të brishtë në arenën ndërkombëtare, për ta penguar përparimin e vazhdueshëm të Kososvës, si shtet i mëvetësishëm në procesin e anëtarësimit në Unionin Evropian, anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe në anëtarësimin në shumë organizata ndërkombëtare.

Duke u nisur nga e drejta për vetekzistencën e një shteti në formim e sipër, siç është Kosova, lind nevoja e pashmangshme e ruajtjes së sigurisë dhe e mbrojtjes kundrejt çdo dhune të mundshme që mund të vijë nga struktura të jashtme. Kosovës i duhet një mekanizëm efikas i institucioneve shtetërore, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë ekzekutive, duke zbatuar sundimin e ligjeve në ruajtjen e rendit publik dhe përmbushjen e nevojave me interes të përgjithshëm. Sidomos, siguria dhe stabiliteti janë dy komponente mjaft të rëndësishme për funksionimin e plotë të institucioneve politike të Kosovës, pasi siguria dhe stabiliteti janë faktorët që mund ta drejtojnë shtetin drejt integrimeve evropiane. Sfidë bashkëkohore e ruajtjes së ekzistencës së institucioneve shtetërore të Kosovës janë brishtësia e institucioneve demokratike, dhe stabilizimi i veriut nga strukturat ilegale serbe.

Kosova tashmë një shtet i pavarur është vënë përballë një sfide politike të vështirë të vetëqeverisjes me shtetin, kur dihet mjaft mirë se në anën tjetër Serbia po përpiqet me çdo kusht të bëhet faktor destabiliteti, në radhë të parë duke dashur që ta kufizojë legjitimitetin e Kosovës, si dhe ta pengojë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Mirëpo, Kosova është e vendosur në ruajtjen e integritetit territorial të saj nga provokimet e jashtme që vijnë nga Serbia. Kosova duhet të jetë e vëmendshme ndaj çdo rreziku të papritur, dhe ndërkohë duhet të intensifikojë dialogun me Serbinë për shtrirjen e ligjit në veri të Kosovës, pasi atje paraqitet situata e sigurisë më e tendosur nga provokimet e strukturave ilegale serbe.

Tashmë duket qartë se Kosova është kthyer në interes të përbashkët për politikat e shteteve më të fuqishme të botës. Kosova, më 17 shkurt 2008, shpallet shtet i pavarur dhe demokratik. Ky vendim solli një frymë të re për qytetarët dhe aleatët e saj, duke e parë më shumë si një realitet të munguar prej kohësh për shoqërinë dhe qytetarët e Kosovës. Edhe sot e kësaj dite politikat e Unionit Evropian, së bashku me SHBA-të, po luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në ecurinë e zgjidhjes përfundimtare të kontestit me Serbinë, dhe funksionimit dhe ndërtimit të shtetit në shtet demokratik e ligjor.

Instalimi i komunitetit ndërkombëtar dhe Unionit Evropian pas zgjidhjes së statusit të Kosovës përfshihet në disa detyra të rëndësishme për përmbushjen e standardeve dhe sundimin e ligjit. Ekipi Planifikues i Bashkimit Evropian për Kosovën (EUPT) është të planifikojë një mision të ardhshëm ESDP, i cili:

• Do të përkrahë autoritetet e Kosovës duke i monitoruar, mentoruar dhe këshilluar në të gjitha fushat e lidhura me sundimin e ligjit, në veçanti në gjyqësi, polici, dogana dhe shërbime korrigjuese.

• Do të sigurojë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kosovare, që krimet serioze dhe të ndjeshme të hetohen, të ndiqen penalisht si duhet dhe rezultatet e këtyre procedurave të zbatohen si duhet më pas.

• Do të ketë disa kompetenca ekzekutive të kufizuara. Këto kompetenca do t’i vishen EUSR dhe në fushën më të gjerë të sundimit të ligjit do të kryhen në emër të EUSR nga misioni ESDP (Ekipi përgatitor i ICO-EUSR – EUPT Kosovë).

Studiuesi kroat Lino Veljak, në Simpoziumin ndërkombëtar të mbajtur në Prishtinë me temën: "Kosova, Ballkani dhe Evropa", shkruante: "Sado që në Evropën e sotme mund të identifikojmë probleme të ndryshme që burojnë nga keqësimi i konceptit të shtetit, është e qartë që perspektiva evropiane e çdo shteti të ri në Evropë është direkt e lidhur me shkallën e emancipimit nga interpretimi etnocentrik i konceptit të shtetit nacional dhe i barazimit të shtetit me kombin. Apo thënë ndryshe, Kosova si shtet i ardhshëm evropian mund t’i ofroj Evropës së vjetër:

• Ose shembull të harmonizimit të suksesshëm të pluralizmit etnik-kombëtar me konceptin dhe zbatimin e shtetit funksional, qytetar dhe demokrat, me tërë peshën e të kaluarës së afërt dhe me të gjitha fyerjet dhe kujtesën për padrejtësitë e shkaktuara,

• Apo, vetëm edhe një vatër të problemeve dhe kundërthënieve të pazgjidhshme; edhe një vatër të paqëndrueshmërisë së përhershme (Lino Veljak).