LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu uroi Berishën për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri

Sejdiu uroi Berishën për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri

Presidenti Fatmir Sejdiu i ka dërguar një letër urimi Sali Berishës, kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, për fitoren e koalicionit që ai drejtoi në zgjedhjet e 28 qershorit dhe marrjen e përkrahjes nga qytetarët e Shqipërisë për të qeverisur vendin edhe në mandatin e ardhshëm.

Në urimin e presidentit Sejdiu ndër të tjera thuhet: “Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën ‘Koalicioni për Ndryshim’ mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm”.

Presidenti Sejdiu në letrën e tij vlerëson procesin e zhvilluar zgjedhor në Shqipëri – i cili sipas tij – u dha votuesve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre.

“Jam i bindur se Shqipëria, e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit, do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë evropiane, duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Besoj se Shqipëria, pas anëtarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër, do të përmbushë kriteret për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar”, theksohet më tej në letër.


“Ju siguroj me këtë rast se, si president i Republikës së Kosovës, do të punoj ngushtë së bashku me Ju për të thelluar bashkëpunimin në interes të të dy vendeve tona si dhe gjithë rajonit. Duke Ju përgëzuar edhe një herë, Ju dëshiroj fat dhe sukses në punën Tuaj për të mirën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në fund të urimit. /Telegrafi/