LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu në Maqedoni, takim joformal me Ivanovin

Sejdiu në Maqedoni, takim joformal me Ivanovin

Me ftesë të presidentit të Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu do të udhëtojë të shtunën për vizitë në Republikën e Maqedonisë.

Presidenti Sejdiu do të marrë pjesë në manifestimin “Vera e Ohrit”, që mbahet në qytetin e Ohrit. I pranishëm në manifestim – siç theksohet në një komunikatë të Presidencës së Kosovës – do të jetë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Gjatë vizitës, siç theksohet në komunikatë, Sejdiu do të ketë edhe takime joformale me presidentët Ivanov e Topi.

Kohë më parë, presidenti Fatmir Sejdiu kishte anuluar vizitën në Maqedoni, për shkak se pala maqedonase e kishte ndryshuar karakterin e vizitës zyrtare. Më pastaj, duket se një samit i thirrur nga presidenti Topi në Shqipëri – e ku kishin marrë pjesë presidentët Sejdiu dhe Ivanov, dhe ai i Malit të Zi Vujanoviq, ka ndikuar në “zbutjen e gjakrave”. /Telegrafi/