LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu dhe Ivanov: Të thellohet bashkëpunimi

Sejdiu dhe Ivanov: Të thellohet bashkëpunimi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, mbrëmjen e të shtunës ka pasur në Ohër një darkë pune me homologun e tij maqedonas Gjorgje Ivanov, ku është konstatuar se të dy shtetet paraqesin interes strategjik për njëri-tjetrin.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova dhe Maqedonia kanë shumë pikëtakime, që lidhen si me historinë ashtu edhe me synimet e të dy vendeve për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Edhe Presidenti Ivanov ka paraqitur qëndrimin se vendi i tij është i përkushtuar për ta shtuar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

Sejdiu e Ivanov kanë theksuar bashkëpunimin e mirë që kanë Kosova dhe Maqedonia, si dhe hapat për thellimin edhe më tej të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve, bashkëpunimin ekonomik e fusha të tjera. Ata gjithashtu kanë theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal dhe janë pajtuar që i gjithë rajoni duhet të përqendrohet në realizimin sa më të shpejtë të synimeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike.


Presidenti Sejdiu po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë, me ftesë të Presidentit Gjorgje Ivanov, për të marrë pjesë në manifestimin “Vera e Ohrit”. /Telegrafi/