LAJMI I FUNDIT:

Sarkozy kërkon pezullim të zgjerimit të BE-së

Sarkozy kërkon pezullim të zgjerimit të BE-së

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy ka deklaruar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të pezullohet deri në zgjidhjen e çështjes së reformave institucionale të bllokut.

"Pa Traktatin e Lisbonës nuk do të ketë zgjerim," tha ai. "Nuk mund t’i thuhet jo reformimit dhe ‘po’ zgjerimit".

Korrespondenti i BBC-së në Bruksel, Johnny Dymond thotë se deklarata u cilësua nga një diplomat si kërcënim. Diplomati shtoi se ajo ishte një sinjal i gabuar që u dërgohej irlandezëve, por dhe kroatëve e turqve. Të dy këto të fundit synojnë anëtarësimin në bllok.

Deklarata e Sarkozyt u bë në ditën e parë të punimeve të samitit të BE-së ku dolën në pah dallime të thella për mënyrën se si duhet reaguar ndaj kundërshtimit të Traktatit të Lisbonës në Irlandë.


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian rifillojnë punimet e samitit në Bruksel pas pak, ende të pavendosur për këtë.

Gjatë bisedimeve të zhvilluara deri natën vonë, Republika Çeke vazhdoi t’u rezistonte thirrjeve për ratifikimin e Traktatit në të tetë vendet ku nuk është votuar ende.

Çekia është vendi i radhës ku do të votohet në parlament për ratifikimin e dokumentit.

Traktati parashikon një bllok të reformuar, me një proces me efektiv vendimmarrës dhe me një zë më të fuqishëm në politikën e jashtme. Ai duhet ratifikuar nga të 27 vendet anëtare që të hyjë në fuqi.

Britania e Madhe e ratifikoi atë në parlament para disa ditësh, por para saj, Irlanda e hodhi poshtë me referendum. Udhëheqësit e BE-së megjithatë, pritet t’i japin sinjale inkurajuese vendeve aspirante të Ballkanit. /bbc/