LAJMI I FUNDIT:

Runiku – arkeologjia, historia dhe e ardhmja

Runiku ishte qytet që në kohën e Neolitit

Dashurinë ndaj tokës mëmë, runikasit e kanë dëshmuar nëpër shekuj. Nuk arritën t’i çrrënjosin prej aty as romaket, as turqit e as sllavët. Taktiken e kthimit në trojet e tyre dhe dashurinë për atdheun anasit e kanë mësuar me kohë. Shumë herë pushtuesi ua mori gjithë pasurinë dhe i detyroi të shpërngulën nëpër viset malore, larg rruge, larg arave e fushave pjellore, larg burimeve të ujit, por asnjëherë nuk ia doli tua vras vendosmërinë dhe shpresën për t’u kthyer serish. Kështu në pafundësi, ndër vite e shekuj, popullata e kësaj treve u ngjall si feniksi. Ashtu ndodhi edhe në luftën e fundit.


Runiku me dhjetë fshatra të tjera të kësaj treve bëjnë një tërësi organike të pashkëputshme që nga koha ilire-dardane. Dëshmitë arkeologjike mbi tokë e nën tokë dëshmojnë se Runiku ishte vendbanim i civilizuar edhe në kohën e Neolitit. Gjurmët e vendbanimit të dikurshëm gjenden që nga Syrigana deri në Burojë e Vojnik. Gojëdhënat flasin për një vendbanim me përmasa të një qyteti të madh të kohës, i cili përafërsisht shtrihej në shtatë fshatra. Gjurmët e kështjellave, të themeleve të shtëpive, të ujësjellësit, të varrezave të lashta, të monumenteve ë kultit dhe të zhvillimit të artizanaleve të kohës e dëshmojnë civilizimin e lashtë të këtij vendbanimi.

Edhe në kohën e sundimit osman, Runiku në vazhdimësi kishte dyqane tregtare e zejtare të cilat ruajtën traditën deri sot.

Një hartë arkeologjike për Runikun dhe rrethinën

Gojëdhënat edhe sot e kësaj dite flasin për qytetin e dikurshëm të Runikut buzë liqenit të Dukagjinit. Sipas rrëfimeve të njerëzve të urtë, në kohen e pushtimit romak, zbrazjen e liqenit e kishin ndihmuar njerëzit duke gërryer shtratin e Drinit të bardhë. Shkaqet e shkatërrimit të Runikut thuhet se më shumë gjejnë mbështetje në gojëdhënat për një shpërthim vullkanik, por edhe të ndonjë kataklizmi tjetër natyror që ia ndryshoi pamjen edhe natyrës se kësaj treve. Vetëm fotografimet e sotme me teknologji të lartë do të mund t’i jepnin përgjigje pyetjes se çka ndodhi me qytetin e dikurshëm dhe deri ku shtrihej ai. Mbi të gjitha, hulumtimet arkeologjike, që do të mund të bëheshin sot, do të mund të zbërthenin enigmën e quajtur Qyteti i Runikut. Maçoku ka ecur nëpër pullaze të shtëpive që nga Runiku deri në Kopiliq,rrëfenin pleqtë.

Toka e fshatrave të kësaj treve është shumë pjellore gjë që mund të shpjegohet nga fakti se shtresat e dheut të formuar me vite nga hiri vullkanik janë shumë të pëlleshme. Përveç Runikut i cili ka ujë burimor, fshatrat tjera kanë mungesë të theksuar të ujit gjë që shpjegohet me faktin se nga ajo katastrofë u shkallmuan rrjedhat natyrore të ujit, por edhe vet ujësjellësi i dikurshëm, gjurmë të të cilit mund të gjenden edhe sot. Burimi i ujit të ngrohtë në Bajë, shkëmbinjtë me përmasa të mëdha të shkapërderdhur nëpër ara e fusha të Bajës e Syriganës dhe toka vullkanike shumë pjellore, janë dëshmi për këtë. Po ata shkëmbinj janë plotësisht të ngjashëm me shkrepat që gjenden edhe sot në bjeshkët për rreth .

Ekzistencën e qytetërimit dhe të zejeve që kultivoheshin dikur në këtë qytet e dëshmon zbulimi i instrumentit muzikor me frymë OKARINA. Derisa të mos e thotë fjalën e saj arkeologjia dhe arkeologët, gjithçka edhe më tutje do të mbetet vetëm gojëdhënë.
Arkeologjia shqiptare i mbetet borxh trevës se Runikut për të bërë një hartë adekuate ku do të evidentoheshin të dhënat esenciale dhe ku do të bëhej përshkrimi i shtrirjes gjeografike të monumenteve arkeologjike,gjurmë të të cilave , në shumë vende mund të shihen edhe mbi tokë.

Atëherë kur ndërroheshin pushtuesit

Pushtimi i parë serb i këtyre anëve, pas tërheqjes se Perandorisë turke, nuk zgjati shumë Për pak vite, hordhitë serbe, nga këto anë i ndoqi Perandoria Austro-hungareze, me ardhjen e të cilës, rruga Mitrovicë–Pejë, fitoi rëndësi të madhe. Brenda për pak vitesh, pushtuesi rregulloi këtë rruge duke e bërë atë të kalueshme në të gjitha kushtet atmosferike. Derisa kishte pak kolon serb, në kohen e Austro-Hungarisë, klerikët ortodoks me djallëzi nxitnin popullatën shqiptare kundër pushtuesit të ri, por, për përfitime të tyre. Në atë kohë bëhet i njohur në skenën e rezistencës, njeri nga themeluesit e çetave kryengritëse shqiptare Shaqir Smaka nga fshati Kosterc. Ai u vra në një betejë të ashpër në fshatin Bajë afër Runikut. I barrikaduar në një shtëpi u dogj edhe trupi i vrarë i Shaqir Smakes. Që nga nata kur u vra Shaqiri, çetës kryengritëse shqiptare, deri në vdekje, i priu Azem Galica.

Emra që i bëjnë dritë historisë së trevës se Runikut

Ana e Runikut ka pse të mburret e t’ua lë amanet brezave emrat e pushkëve çlirimtare, si të Shotë Galicës, Kamer Loshit, Shaqir Smakës, Sinan Çitakut, Sinan Shalës e Rrustem Birinxhikut, por edhe emra të burrave të urtë e atdhetar si Shaban Çitaku, Ferat Isufi, Ferat Spahiu e deri te Ajet Hyseni, Ismajl Dauti e Mujë Loshi. Lufta e fundit çlirimtare shtoi edhe më shumë numrin e pushkëve të rezistencës për liri dhe mbrojtjen e atdheut. S’ka pse të mos flas e shkruaj Runiku për bijtë e tij më të shtrenjtë të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtues e kolonë të llojllojshëm që ia mësyn kësaj ane.

Është tani o kurrë koha kur do të duhej të shkruhej lirshëm dhe me kompetencë për këto personalitete që u bënë të njohura në të gjitha trojet shqiptare. Heroizmi i tyre moti kishte kaluar kufijtë lokal.

Propaganda serbe punoi pa ndal që të njollosë edhe figurat më të ndritshme të popullit tonë, por, Runiku i njeh e i mban mend mirë bijtë e bijat e vet.

Emrat e Kamer Loshit, Shaqir Smakës, Shotë Galicës, Sinan Qitakut, Sinan Shalës, Rrustem Biringjikut (Qubrelit) e të tjerëve, do të duhej të skaliteshin në një monument të përbashkët për t’i kujtuar përherë brezat e tashëm e të ardhshëm. Luftëtarët që ranë në luftën e fundit u nderuan me kujtime rasti apo me ndonjë varr monument, por një nderim të posaçëm meritojnë edhe të gjithë ata luftëtarë që u bën shembull i luftës për liri.

Vikingët e Norvegjisë financojnë ndërtimin e shkollës në Runikë

Kohë më parë në Runik u ndërtuan trotuare në të dy anët e rrugës duke ua mundësuar nxënësve të shumtë lëvizjen pa rrezik. Këto ditë, thuaja dymbëdhjetë vjet pas luftës, Runiku po bëhet me objekt të ri shkollor madhështor. Aty ku dikur kishte varre, aty ku dikur ishte kënetë, aty ku dikur ishte kamp i të burgosurve shqiptar nga pushtuesit, aty ku pati edhe xhami pastaj me dekada edhe shkollë, tani po lëshon shtat një objekt i bukur shkolle. Norvegjezet apo pasardhësit e vikingëve po ndihmojnë pasardhësit e ilirëve. Gjithçka duket si një mit.

Finalizimi i ujësjellësit, ndërtimi i kanalizimit, një fabrikë për përpunimin e qumështit, një shtëpi kulture, një muze, një arkiv, një fushë sporti për të rini, një monument për çlirimtarët, një hartë arkeologjike, e shumë çka tjetër do të duhej bërë e ndërtuar në Runikë.

Me shërbimet e sotme që ofron Runiku sot, për këdo që rastisë andej, nuk ia lëshon rrugën asnjërit prej qyteteve të Kosovës, megjithëse këtij lokaliteti për të marr formën e moçme i duhet të bëje edhe shumë.