LAJMI I FUNDIT:

“Rruga e ngjalave” në frëngjisht

“Rruga e ngjalave” në frëngjisht

Luan Starova prezanton romanin e ri "Rruga e ngjalave", i cili sapo është botuar në gjuhën frënge. Libri i pestë i "Sagës Ballkanike", është botuar nga "Syrtes", me një pasthënie të kritikut francez, Erik Faye, komentator i disa romaneve të Ismail Kadaresë. Ekzistojnë vepra që e shenjojnë letërsinë dhe të cilat, mbi të gjitha, janë të domosdoshme. I tillë është rasti me këtë roman shumështresor.

Shtresa letrare imponohet me vlerën e saj romaneske, përkatësisht depërtimin e fakteve dhe reagimeve të personazheve në romanin me plot tipare psikologjike dhe me po aq ngjarje të rëndësishme, historike për nga kufijtë kohorë; romanin në të cilin ngjallen epokat dhe episodet dramatike, pasojat e të cilave janë akoma aktuale; romanin me karakter universal, sepse, gjersa fondi bazik paraqet hapësirë të kufizuar gjeografike, të gjithë emigrantët, pa qëllim e pa shpresë, para udhëve të hapura të jetës, ngjallen në personazhet e Luan Starovës".

Ky është komenti i të përditshmes franceze "Le Monde", bërë së fundi nga romancieri dhe esteti francez, Pierre-Robert Leclercq. Në artikullin e 10 korrikut, me titull "Rruga e ngjalave" e Luan Starovës: një sagë ballkanike e migracioneve, autori në fjalë, pas prezantimit të shtresave më të rëndësishme të këtij romani kompleks: "Rruga e ngjalave" na ballafaqon me tragjedinë njerëzore të popujve me fate përjetësisht të paqarta, të familjeve të shkulura e me shpresa të përhershme kontradiktore!"

Luan Starova është mes autorëve të urtë ballkanas, të cilët e ndjejnë dhe e transformojnë dhembjen shekullore të Ballkanit, duke e shndërruar në akt poetik. Romanet e "Sagës ballkanike" krijohen si metafora të mëdha të koncentruara përreth figurës qendrore të Babait, "rojës" së bibliotekës familjare, duke u mishëruar njëkohësisht në memorie, përvojë dhe histori. "Rruga e ngjalave" nuk është as fillim, as pelegrinazh, as emigrim, por pushtim i mundimshëm i një jete.


Për filozofin Edgar Morin, ky roman është një "vepër e çuditshme letrare, por edhe si libër për një poetikë historike, me dimension të caktuar mitik".

"Saga ballkanike", të cilën autori ka nisur ta shkruajë një dekadë përpara, ka mbërritur tani në një pikë që mund ta quash pa frikë një epope letrare mbi një familje shqiptare, që u mbijetoi ngjarjeve tragjike të shekullit të XX.

Kjo vepër, e përbërë aktualisht prej dhjetë vëllimesh, ka nisur të botohet e plotë në gjuhën gjermane. Katër romanet e kësaj sage janë përkthyer në gjuhën turke.

Po përkthehet ndërkaq edhe në gjuhën angleze, kurse veprat e veçanta që e përbëjnë atë, tanimë janë botuar në gjuhën greke, bullgare, spanjolle, italiane, rumune, kroate, polake. Një pjesë e këtyre romaneve janë nominuar dhe kanë fituar çmime evropiane. /Shekulli/