LAJMI I FUNDIT:

Rritja ekonomike, sukses i reformave të qeverisë

Rritja ekonomike, sukses i reformave të qeverisë

Kryeministri Berisha deklaroi të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se gjatë muajit shkurt janë tejkaluar të ardhurat buxhetore, me rreth 10-11 % më të mëdha se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe kjo sipas tij garanton obligimet dhe premtimet e dhëna, veçanërisht rritjen e rrogave dhe pensioneve.

"Tejkalimi dyshifror i të ardhurave, krahasuar vitin e kaluar është tregues shumë i fuqishëm i një rritje vibrante ekonomike të këtij vendi”, tha kryeministri Berisha.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se eksportet shqiptare janë rritur nga 232 mijë tonë në dy muajt e parë të vitit kaluar, në 424 mijë të këtij viti.

“Rritja në vlerë e eksporteve shqiptare ‘Made in Albania’ është nga 7.9 miliardë lekë dy muajt e parë vitit 2010 në 20 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit 2011”, tha ai.


Kryeministri vlerësoi se një dëshmi e rritjes ekonomike, së pari, është suksesi i padiskutueshëm i reformave të qeverisë, e funksionimit të shtetit ligjor pa të cilin ekonomia nuk mund të kishte këtë zhvillim si dhe lufta kundër korrupsionit. /Telegrafi/