LAJMI I FUNDIT:

Rreth Abetares të përbashkuar!

Para pak ditësh në lajmet qendrore të një televizioni nacional, pashë një raport investigues që ky televizion e kishte realizuar pikërisht në Shkollën Fillore ku në vitin 1971 kisha filluar t’i mësoja shkronjat e para. Shkolla është në fshatin Shtëpitullë të Obiliqit. Emri i këtij fshati shumëkënd e provokon me humor, pasi shqiptohet keq: Shipitullë! Raporti i gazetarit ishte intrigues. Gati të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle vijnë nga e njëjta familje që realisht përbën nepotizëm, derisa shumica prej tyre e kanë të mbaruar vetëm shkollimin e mesëm.

E pranoj. Pas emisionit të lajmeve jam ndier shumë keq. Jo rastësisht më është kujtuar 1 shatori i vitit 1971, dita e parë e shkollës kur mësuesi im i parë Fetah Bylykbashi në të njëjtën ditë, duke na përkëdhelur, na fuste në ambientet e kësaj shkolle. Nuk e harroj kurrë kostumin e tij gri, kollaren e bukur dhe aromën e parfumit, që ne atëbotë e quanim “livando!”.


Në të njëjtën shkollë, katër dekada më vonë, mësimdhënësit e së njëjtës shkollë – për dallim nga mësuesi im i parë – kanë nivel më të ulët të përgatitjes shkollore. Në storjen e xhiruar të gjithë dukeshin të veshur si mos më keq. Derisa po dilnin nga dera kryesore e shkollës – së pariparuar asnjëherë gjatë dekadave të fundit – t’i kujtonin storjet tmerruese të shpellave të Tora-Borës.

Dekada më parë, nga e njëjta shkollë, por me të tjerë mësimdhënës kanë dalë kuadro profilesh të larta që i kanë shërbyer vendit me dinjitet.

Shqetësimi nuk përfundonte këtu. Drejtori i kësaj shkolle pa fije turpi e arsyetoi nepotizmin e pajustifikuar, pasi kjo shkollë është vetëm 24 kilometra larg Prishtinës, ndërkohë që drejtori i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Obiliqit për aq sa reflektonte injorancë, po aq rrezatonte cinizëm.

* * *

Këto janë shenjat e para se arsimi në Kosovë ende nuk është reformuar dhe është edhe më keq se sa dekada më parë. Ashtu si në Shkollën Fillore për të cilën folëm më lartë, niveli arsimor rrezikon të jetë i tillë edhe në dhjetëra shkolla të tjera, derisa rreth 60 për qind e popullatës në Kosovë jeton në ambiente rurale. Mund të mburremi se pas luftës kemi ngritur shumë godina të reja shkollore, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, derisa ana tjetër është joreformimi dhe joavancimi i kuadrit arsimor. Aktualisht kemi mijëra të rinj që kanë përfunduar shkollimin superior dhe janë në pritje që të ofrojnë dijen e tyre prej mësimdhënësi. Por kjo assesi të ndodh, për faktin e pajustifikuar se nuk kemi çfarë të bëjmë me mësimdhënësit e paarsimuar, pra me mësimdhënësit që kanë vetëm përgatitje të mesme shkollore.

Vërtetë reformat janë të dhimbshme, por e vërteta edhe më e madhe është se shumë mësimdhënës edhe nuk kishin vullnet të reformohen në trembëdhjetë vitet e fundit. Prandaj, zëvendësimi i tyre me kuadro profesionale duhet të ndodh, pasi dihet që arsimi është segmenti kryesor në shoqëritë e secilit shtet që synon prosperitet dhe zhvillim.

Kostoja e mosreformimit të mësimdhënësve, shtetit tonë të ri i kushton edhe më shumë se sa mendojmë ne. Dyndja e familjeve nga fshatrat që të akomodohen në qytete të ndryshme të Kosovës është shqetësuese dhe kjo po ndodh kryesisht për dy çështje: për nivel më të avancuar të arsimit për fëmijët e tyre dhe për punësim. Sikur të përllogaritej kjo, atëherë shtetit tonë shumë më pak do t’i kushtonte reformimi i mësimdhënësve, se sa ikja e familjeve nga fshatrat (pikërisht për shkak të arsimit më të avancuar në qytete dhe pikërisht për këtë janë duke na u krijuar mijëra raste të reja sociale).

* * *

Reformat nuk kërkojnë vetëm dije, por edhe guxim për të vepruar. Mustafa Kemal Ataturku në çerekun e dytë të shekullit të kaluar mori guxim që alfabetin arab ta zëvendësonte me atë latin dhe këto reforma për aq sa ishin të rëndësishme për Turqinë, po aq ishin të guximshme për Ataturkun.

Vetëm dy ditë pas storjes për Shkollën Fillore që folëm më lartë, ndodhi manifestimi i Abetares së unifikuar në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Prizren. Abetarja e unifikuar është sukses, por nuk mund të mburremi edhe me reformat në arsim – as këndej, as andej kufirit. Televizionet shqiptare jo rrallë na ofrojnë storje të trishtueshme me pamje të objekteve shkollore në Shqipëri. Shumë objekte shkollore më shumë u ngjasojnë gërmadhave në kohën e Mbretit Zog, për dallim që entuziazmi për t’u shkolluar edhe atëbotë te shqiptarët ishte i madh. Derisa në Shqipëri me nivelin arsimor mund të krenohen më shumë, ne në Kosovë mund të krenohemi më shumë me godinat e reja shkollore, por që këto dy hallka assesi të unifikohen – ashtu si Abetarja: si andej, si këndej kufirit.

* * *

Për shkollën që folëm në fillim, në vitin 1991 – pikërisht në këtë fshat – qe krijuar një barsoletë. Kur regjimi i Milosheviqit i mbylli shkollat shqipe dhe ndërpreu financimin, atëbotë u shpreh nevoja e vetëfinancimit. Derisa aktivistët po kërkonin mjete për mbarëvajtjen e procesit mësimor, një fshatar i këtushëm pati thënë: “Mbasi jemi të shtrënguar që të financojmë shkollën me paratë tona. Atëherë është mirë që vet ta bëjmë edhe përzgjedhjen e mësimdhënësve!”.