LAJMI I FUNDIT:

​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

“Prej 18 qershorit 1999 nuk e kam veshur më kurrë”, thotë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci për uniformën të cilën e ruan për 25 vjet.

Ai e ruan si simbol të krenarisë dhe sakrificës, ku tregon se hera e fundit që e kishte veshur është dita kur u çlirua Skenderaj.

Geci bashkë me ushtarë të tjerë të UÇK-së po ndihmonin popullatën të hynin në qytet të lirë. Ish-komandanti i Batalionit të Parë në Brigadë 112 “Arben Haliti”, rrëfen për KosovaPress për gëzimin e asaj dite, ani pse tregon që pothuajse në të gjitha fshatrat po vinte era tym nga terrori serb.


Mes tjerash, flet edhe për lidhjet familjare me komandantin legjendar, Adem Jashari, teksa rrëfen edhe për një rast se si ishin rrethuar nga forcat serbe në shtëpinë e tij.

Nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, Xhevahir Geci thotë se popullata po shpresonte për çlirim.

“Kur erdh momenti i tërheqjes së forcave ka qenë një fitore, ka qenë një gëzim i paparë, sigurisht edhe për neve luftëtarët e UÇK-së por edhe tek popullata. Sepse filluan njerëzit të mendojnë që edhe për neve erdh një ditë që gjenersta e gjenerata kanë luftuar dhe se pati vuajtje e sakrificë, pati gjak të derdhur por më në fund erdhi ajo ditë që e pritëm e që kemi bërë mund mbërriti në Kosovë”, rrëfen Geci për KosovaPress.

Përkundër gëzimit, Geci tregon se gjithçka ishte shkatërruar dhe pak kush kishte ku të kthehet.

“Ajo ka qenë një ditë që e kanë pritur me vite në luftën e UÇK-së në atë ditë të lirisë, por kanë ditur ta manifestojnë edhe në ato kushte jashtëzakonisht të vështira. E kemi pasur ne për obligim me i ruajt rrugët që njerëzit mos të hyjnë para kohës në Skenderaj se kanë qenë forcat serbe edhe dinin me u hakmarrë ata, sepse kanë pasur njerëzit nevojë për vizitë te mjeku, për fëmijët, për foshnje, për të moshuarit, edhe për njerëzit e plagosur. Mirëpo kemi arritur që t’i kemi të gjitha rrugët e kontrolluara që hyjnë në qytet dhe kemi hyrë bashkërisht me qytetarë por edhe me forca të UÇK dhe e kemi manifestuar gjithë së bashku”, shton ai.

Përveç djegies së shtëpive, shumë nga qytetarët atë ditë po qanin për familjarët e vrarë e të zhdukur në luftë.

“Pas tërheqjes së forcave serbe, kemi filluar të riorganizohemi dhe t’i kemi në kontroll të gjithë ushtarët e UÇK-së që mos të na dalin gjërat prej dore edhe të formohemi ashtu siç kemi qenë nëpër njësitë të formuara si strukturë dhe t’i ofrojmë popullatës ndihmë për strehim. Të gjithë gati kemi qenë të njëjtë, pa strehim, shtëpitë e dëmtuara, mbi 97 për qind pothuajse sidomos nëpër fshatra të dëmtuara tërësisht. Mirëpo, ashtu kemi ditur të organizohemi, ndoshta edhe arritën si shpejt edhe ndihmat prej ndërkombëtarëve. Kemi gjetur zemër, kemi gjetur mundësi të ndryshme që të bëjmë strehim aty ku vijke era ende tym”, shprehet ai.

Lufta në Drenicë, shton Geci, ka vazhduar deri më 18 qershor, për çka rrëfen se popullata po ballafaqohej me luftë për ekzistencë.

“Forcat serbe filluan të tërhiqen më 12 qershor prej vendeve të ndryshme, prej Skenderaj diku më 18 qershor janë tërhequr. Lufta në Drenicë ka zgjatur bukur shumë, më shumë se vendeve të tjera. Prej nëntorit të vitit 1997 deri në qershor të vitit 1999, gati tri vjet. Ka qenë luftë për ekzistencë për ballafaqime me forcat serbe, ka qenë luftë për ekzistencë edhe për ushqim dhe për barna edhe kanë filluar shumë të plagosur për të vuajtur prej plagëve të ndryshme, shumë fëmijë që ishin të vegjël dhe të moshuar të vuajnë për medikamente të ndryshme që nuk kishin, besa edhe për ushqim ka qenë në pyetje. Përveç që na kanë dalë në ndihmë disa mulli që kanë punuar me ujë në atë kohë edhe dihet çfarë ushqimi ka qenë, por edhe ashtu ka qenë i paktë”, tregon Geci.

Teksa kujton luftën çlirimtare, ai flet për komandant Adem Jasharin, për çka shprehet se është e paktë çka shkruhet e thuhet për prijësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai rrëfen se si në vitin 1995 ishin rrethuar nga forcat serbe, në shtëpinë e tij ku mysafirë kishte Hamzën e Ademin.

“Komandantin Adem Jashari e kam pasur edhe Hamzën, diku kanë qëndruar tek unë një javë ditë rreshtazi, se e kam pasur edhe odën e burrave. Me një moment të caktuar Hamza po thotë ‘kishte me qenë mirë për të na ftuar edhe disa kushëri që i kanë pasur çifteliet’, kanë kënduar ata si djem të rinj. Hamza kish merak në çifteli e sharki edhe në moment që kemi filluar ne, na kanë rrethuar familjen time, shtëpinë time forcat serbe. Edhe ka ardhur një kushëri, bash dajë i Adem Jasharit, Rrustem Geci edhe na ka njoftuar se plot forca serbe janë në rrugë afër asaj objektit ku qëndronim ne.

Unë e Hamza kemi dalur edhe e kam ndjerë vetën shumë të shtrënguar, shumë jo mirë se ne ishim forca të vogla brenda. Kështu që kemi dalë me i kontrolluar lëvizjet e serbëve me Hamzën deri në momentin që kanë ecur, diku kanë qëndruar 40 minuta, mirëpo trualli ku kam jetuar paralufte ka qenë i fortifikuar si gjithë fshatarët, me një muri rreth tri metra i gjerë e sigurisht nuk ua mori mendja forcave serbe për të hapur ndonjë konflikt më serioz…Në momentin që u tërhoqën forcat serbe, u ndjeva më i lehtësuar. Dhe u ktheva në odë e i thash Ademit ‘pse bre dajë nuk dole për të na ndihmuar, se ishim duke e filluar luftën me Hamzën’, ai tha ‘unë pa kërsit pushka nuk dalë dhe me dit serbët që unë jam këtu ata nuk ishin afruar afër odës tënde, por sidoqoftë pa kërsitur pushka unë nuk e lëviz këmbën’”, shprehet Geci.

Ai rrëfen se ka qenë e vështirë kur gjatë ballafaqimeve me serbët, kanë pësuar shokët e tij të luftës.

Ish-komandant, Xhevahir Geci flet edhe për trimërinë e Salë Jasharit, e cila u vra nga forcat serbe 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

“Kur është plagosur Sahit Jashari në vitin 1995, ka qenë shumë rëndë i plagosur. Dhe u morr vendimi që ta dërgojmë ose në Drenas ose në Mitrovicë te Bajram Rexhepi, një kirurg shumë i fortë që më vonë ishte kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër. Edhe morëm vendim ta dërgojmë në Mitrovicë sepse ishte dimri shumë i fortë. E pajisa unë automjetin me goma dhe me zinxhir shumë të fortë dhe filluam të shkojmë me dy vetura. Sahiti ishte në makinën time me nënë të vet edhe me gruan e Musë Jasharit. Edhe duke shkuar rrugës vishin të armatosur Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Fadil Kodra edhe Nuredin Lushtaku.

Duke shkuar rrugës na kanë ardhur dy xhipa të forcave policore serbe. Edhe njëri më ka dalë mua përpara dhe tjetri ka hyrë në mes meje dhe tjetri në mes meje dhe veturës tjetër që vishin prapa. Edhe po i them si në shaka Sahitit dhe nënës së tij ‘vallahen i kem puntë keq qitash’. E kam vërejtur një nënë aq burrërore, aq trimëreshë si nana e Sahit Jasharit kam takuar pak, jo pak po se di cilën mund ta marrë shembull që ka pasur një zemër shumë të madhe… Krejt rrugën me pistoletë edhe me bombë në dorë ka qëndruar (Salë Jashari) dhe tha ‘derisa t’i shprazi qito, unë edhe me u vra edhe me djalë edhe me krejt juve nuk e kam dert, por pa i shpraz qito unë nuk dorëzohna’, u shpreh ai.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci tregon se veprimtaria e tij ka nisur nga protestat e vitit 1989, në të cilat po merrte pjesë edhe komandant Adem Jashari.

Në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ai thotë se ndihet keq që po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së.

“Mos ma gjyko lirinë. Kjo ndeshet edhe me realitetin, me njerëzit që e kanë udhëhequr luftën dhe kanë bërë sakrifica dhe një jetë të tërë ja kanë kushtuar ditës së sotit dhe të ballafaqohen me gjëra që unë dhe shumë të tjerë i quajmë të pavërteta, me intriga e me gjëra që si takojnë një çlirimtari e aq më pak atyre. Sigurisht të bëjnë të ndihesh keq dhe shpesh herë gojë këqijtë që dalin dhe flasin dhe bëjnë vlerësime”, përfundon ai.

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori