LAJMI I FUNDIT:

Rivalitete dhe dilema identitetesh

Rivalitete dhe dilema identitetesh

Jo rrallë, e sidomos ditëve kur kremtohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës, ka një lloj mosmarrëveshje, herë një lloj rivaliteti, herë edhe keqkuptimi, por nganjëherë edhe akuza e kundër-akuza dhe jo vetëm kaq, ndërmjet e asaj se a ja vlen apo jo, a është e dobishme dhe pragmatike apo jo t’i shquajmë vlerat e reja, identitetin e ri të shtetit të Kosovës dhe përgjithësisht identitetin kosovar? Si dilemë shtrohet pyetja se a mos shquarja e këtyre karakteristikave të reja identitare mund ta eklipsojë dhe amortizojë në të ardhmen, ndoshta deri në davaritje, shqiptarizmën si vlerë e trashëguar dhe e krijuar ndër shekuj te shqiptarët.

Ata që nuk duan ta valëvisin as flamurin e Kosovës, as ta festojnë pavarësinë e saj, as ta shquajnë çfarëdo karakteristike tjetër që lidhet me këtë mendësi e bëjnë këtë me bindjen se kjo na përpjesëton si komb edhe ashtu të ndarë, rrjedhimisht na dobëson, prandaj e ardhmja nuk është e sigurtë. Të tjerët, në anën tjetër, mendojnë se në gjithë këtë, pra në gjithë atë që nënkupton shquarje e identitetin kosovar qëndron premisa bazë e ndërtimit të një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare dhe së paku e pakundërshtuar nga minoritetet e ndryshme të Kosovës.


Edhe përvjetori i shtatë i pavarësisë së Kosovës rishfaqi dilema të kësaj natyre, pa shenja se ato janë davaritur, apo kanë gjetur një rrugë të re, apo një pajtim të ri funksional. Që të dyja këto qasje në jo pak raste dinë të jenë të skajshme, përjashtuese dhe kundër njëra-tjetrës, me ç’rast mund të flitet për konflikt identitetesh të panjohura më parë brenda nesh.

Në anën tjetër që të dyja qasjet kanë edhe pjesën racionale dhe pragmatike që mund të kualifikohet si shqetësim, por edhe përpjekje për të krijuar predispozita më të mira për një mirëqenie dhe stabilitet më të qëndrueshëm e më të mirë shtetëror e nacional për qytetarët e Kosovës. Që të dyja këto, tashmë gati edhe koncepte, analizohen, përpunohen dhe për to sillen përfundime edhe nga jo pak intelektual e publicistë, ato ngriten dhe bëhen një nga prioritetet apo së paku tiparet dalluese politiko-kulturore edhe të forcave të caktuara politike tek ne.

Qasja e parë – shqiptarizma: Në qasjen e parë, pra në atë kundër shquarjes së identitetit kosovar, ka brengë jo krejt të pabazë, por jo rrallë ka edhe qasje të skajshme. Kështu, shquarja e identitetit kosovar konsiderohet një kalkulim nacional jo racional, sepse përveç që i ndanë shqiptarët, konsiderohet se kjo i zvogëlon ata deri në pamundësinë e shfrytëzimit të shanseve të mëdha që ata i kanë si komb në rrethanat e sotme, për t’u afruar më shumë, për të bashkëpunuar më ngushtë dhe në një të ardhme të afërt edhe për tu bashkuar shumanshëm në një tërësi. Pra, konsiderohet se identiteti kosovar i dobëson shqiptarët, thjeshtë i defaktorizon në rajon. Për më shumë konsiderohet se ky është një dorëzim para të keqes që është e pa perspektiv, bile edhe e dëmshme për unitetin shqiptarë aq shumë të munguar.

Për identitetin kosovar përgjithësisht, për flamurin e shtetit të Kosovës, për himnin e tij, për Kushtetutën, për stema, logo, shenja e karakteristika të ndryshme, konsiderohet se janë krijuar në zyrat e administratorëve euro-amerikane, pra ato nuk kanë as traditën, as vlerën shekullore ndër brezni, prandaj nuk mund ta kenë as edhe respektin e shqiptarëve të Kosovës bile as të minoriteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Konsiderohet se ato janë krijuar në rrethana të atilla të cilat nuk kanë qenë sa duhet të favorshme, apo thënë ndryshe nuk kanë qenë mjaftueshëm në harmoni me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, dhe si të tilla janë pranuar pavullnetshëm apo thënë ndryshe janë imponuar.

Një pjesë e simpatizantëve të këtij diskursi shkojnë edhe më tutje duke konsideruar se shfaqja e tyre, për më shumë përkrahja e krijimit dhe begatimit të këtyre vlerave dhe tërësive identitare kosovare është baras me tradhti dhe antishqiptarizëm.

Qasja e dytë – kosovarizmi: Në qasjen e dytë, pra të asaj që parapëlqen shquarjen e vazhdueshme dhe begatimin e të gjitha karakteristikave dhe identiteteve të reja kosovare kemi shpjegimin se e tërë kjo është plotësisht pragmatike dhe e pashmangshme, bile e domosdoshme dhe gjithnjë e më shumë po bëhet shumë e dobishme. Konsiderohet se në një të ardhme të afërt, pavarësisht se si dhe ku janë krijuar këto karakteristika dalluese, ato do të bëhen pjesë aktive e identitetit tonë të ri nacional dhe ato do të pranohen e përqafohen në mënyrën më të mirë të mundshme nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shquarja e këtyre karakteristikave konsiderohet të jetë edhe patriotike dhe pozitive për shumë arsye. Ato ishin dhe vazhdojnë të jenë premisa që bashkësia ndërkombëtare të na njoh dhe pranoj si një tërësi më vete, sepse përndryshe me vlerat e trashëguara shqiptare nuk mud të krijonim diçka të veçantë, gjë që ishte parakusht për krijimin e një shteti të ri.

Konsiderohet gjithashtu se edhe minoritarët e kanë më të lehtë t’i përqafojnë këto trende të reja identitare dhe ato të bëhen pjesë aktive e identitetit të tyre, sesa që do ta bënin këtë me vlerat e trashëguara ekskluzivisht shqiptare. Një pjesë e simpatizantëve të shquarjes së identitetit kosovar nuk e konsiderojnë këtë identitet pa të kaluar, ata i gjejnë këto vlera thellë në të kaluarën e Kosovës, konsiderojnë se kjo e kaluar është bazë e mirë për krijimin e një kombi të ri me të gjitha karakteristikat e një kombi dhe premisat e mira për krijimin e një kombi shtet të qëndrueshëm e stabil në Ballkan.

Qasja e tretë – bashkëdyzimi: Konsideroj se të dyja qasjet, sidomos në pjesën ku janë përjashtuese ndaj njëra tjetrës, janë të gabueshme dhe gjithsesi të dëmshme dhe aspak pragmatike. Si komb i vogël dhe si komb i ndarë për ne do të ishte luks i tepruar që të heqim dorë nga vlerat e identitetit tonë nacional të krijuara ndër shekuj dhe të krijojmë një identitet krejt të ri etnik dhe jo vetëm që do të na përpjesëtonte edhe më. Pse të heqim dorë nga diçka që na bashkon dhe faktorizon sot dhe në të ardhmen. Ato duhet të ruhen e të kultivohen pandalshëm. Mu për arsye të njëjta është e tepërt dhe krejt jo pragmatike që me pafuqinë që e kemi dhe marrë parasysh brishtësinë e shtetndërtimit dhe duke i pasur parasysh ata që nuk na e duan të mirën e që nuk janë të paktë, të refuzohen e të mos pranohen të gjitha ato karakteristika të reja mbi të cilat qëndron shteti i Kosovës.

Pavarësisht rrethanave dhe vullnetit politik, shteti i Kosovës është shtet legjitimi që nuk na është imponuar me dhunë por është produkt edhe i një marrëveshje, kjo duhet të respektohet. Duhet të kuptohet se shteti i Kosovës është parakusht për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan, ashtu sikundër nuk duhet të mohohet se identitetin e mirëfilltë shqiptarë i cili gjithashtu duhet të ruhet e begatohet edhe në Kosovë, është vlerë jetike e një uniteti të vazhdueshëm dhe faktorizimi të shqiptarëve në Ballkan. Të kuptuarit e drejtë të këtyre vlerave dhe identiteteve, duhet të na shtyj që ato t’i dyzojmë vazhdueshëm pa e eklipsuar njëra tjetrën, por duke e shquar herë njërën e herë tjetrën varësisht nga rrethanat në të cilat do të sfidohemi.