LAJMI I FUNDIT:

Ridefinimi i vdekjes qelizore

Ridefinimi i vdekjes qelizore

Zbulimet e Fakultetit të Mjekësisë pranë Universitetit të Pittsburgh-ut, premtojnë luftimin e kancerit, goditjes në tru, sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera kërcënuese.

Burimi: University of Pittsburgh

Një studim i bërë nga hulumtuesit e Universitetit të Pittsburgh-ut, vërteton se procesi i nekrozës (që më parë mendohej se është kaotik dhe rrugë irreversibile drejt vdekjes qelizore) mund të konsiderohet si pjesë e një përgjigje të rregulluar ndaj stresit nga një proteinë e fuqishme, SRP-6, e cila mund ta ndërpresë nekrozën. Më tutje, ekipi studiues kuptoi që kjo proteinë mund të shfrytëzohet për të drejtuar disa qeliza (p.sh. ato kanceroze) drejt vdekjes; përderisa disa të tjera i mbron (p.sh. degjenerimin e qelizave nervore te sëmundja Alzheimer dhe Parkinson).


SRP-6 është një inhibitor i serinë-proteazës ose serpin, dhe shënjestron qendrën digjestive të qelizës – lizozomet. Autorët njoftojnë që serpina intraqelizore mund t’i ndihmojë qelizat të mbijetojnë kur ato përballen me stresorët, duke i mbrojtur nga dëmtimi i lizozomeve dhe pasojave qelizore nga to.

Një kohë të gjatë është menduar se vdekja qelizore e lidhur me sulmin cerebral ose infarktin e zemrës nuk mund të mjekohet, kështu që fokusimi i hulumtuesve është drejtuar në strategjitë e parandalimit të dëmtimit të mëtutjeshëm duke rikthyer qarkullimin e gjakut sa më shpejt që është e mundur. Por, studimi tregon që nekroza mund të frenohet dhe ndoshta të korrigjohet edhe pasi të ketë filluar procesi i dëmtimit. Kjo ndërhyrje ofron mundësinë e menaxhimit të sëmundjeve të zemrës, sulmit dhe sëmundjeve neurologjike.

Studiuesit kanë hetuar se si një kategori proteinash, të quajtura proteaza, nëse nuk kontrollohen mund të vrasin qelizat. Në këtë proces, ata zbuluan se grupi tjetër i proteinave, serpinet, mund të bllokojnë ose inhibojnë këto proteaza shkatërruese dhe të mbrojnë qelizat nga dëmtimi. SRP-6 është pjesë e familjes së gjerë të serpineve pro-mbijetesës, të cilat paraqesin molekulat kyçe në rregullimin e shumë proceseve komplekse biologjike, duke përfshirë koagulimin e gjakut, inflamacionin, rritjen tumorale dhe vdekjen qelizore. Megjithëse studimi paraprak ka treguar se serpinet në qarkullimin e gjakut (siç janë antitrombina dhe α-1-antitripsina) kontrollojnë degradimin e proteinave, shumë pak dihet për serpinet që funksionojnë përbrenda qelizave në organizmin e gjallë.
Dihet që te pacientët me një tip të caktuar të kancerit të lëkurës, tumoret e të cilëve kanë shumë serpine brendaqelizore, nuk kanë prognozë të mirë. Tash dihet se SRP-6 paraqet një mekanizëm themelor mbijetues që mbron qelizat nga dëmtimi, nxit korrigjimet pas dëmtimit, ndërsa në mungesë çon në një vdekje qelizore.

Në hulumtimet e ardhshme, do të përdoret kjo njohuri për të penguar mbrojtjen e qelizave kanceroze nga serpinet dhe kështu duke lejuar vdekjen e tyre. Në mënyrë alternative, mjekët do të mund të shtonin aktivitetin e serpineve për të penguar vdekjen qelizore, për shembull qelizat intestinale nga infeksioni bakterial, gjegjësisht enterokoliti nekrotik, një shkaktar i lartë i sëmundjes dhe vdekjes te foshnjat.

Rëndësia e SRP-6 është në mbrojtjen e lizozomeve, struktura brendaqelizore të mbështjella me membranë mbrojtëse që veprojnë si vend i mbeturinave qelizore. Enzimat e fuqishme lizozomale tresin proteinat e vjetra, karbohidratet, ADN-në, ARN-në, strukturat e tjera qelizore të dëmtuara, madje invadojnë edhe bakteret dhe viruset. SRP-6 mbron membranën lizozomale nga dëmtimi i shkaktuar nga cistein-proteazat dhe duke i neutralizuar cistein-proteazat tjera të lëshuara nga organelet e dëmtuara qelizore. Mirëpo, nëse lizozomet dëmtohen dhe rrjedhin, këto enzime mund ta dëmtojnë qelizën dhe mposhtin mbrojtjen nga serpinet (që është pozitive në rastin e qelizave tumoroze). /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Shëndetësi
Kalo në kategori