LAJMI I FUNDIT:

Richard Eder: Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare

Richard Eder: Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare

Romani "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" i Ismail Kadaresë, ka tërhequr vëmendjen e kritikëve të letërsisë në Shtetet e Bashkuara, pas ribotimit ditët e fundit në gjuhën angleze, njofton agjencia e lajmeve INA.

Gazeta New York Times ka botuar artikullin “Një mision i errët në fushat me eshtra të Shqipërisë”, në të cilin vlerësohej lart jo vetëm ky roman, por edhe vepra e shkrimtarit të madh në përgjithësi. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Arcade”, e cila ka sjellë edhe më parë vepra të shkrimtarit Kadare për publikun amerikan.

Botimi i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” është një rikthim në libraritë amerikane. Dick Seaver, shtëpia botuese e të cilit Arcade, nxjerr librin, sqaron arsyet.

“Ka dy arsye për ribotimin e ‘Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur’, së pari varianti i mëparshëm, kishte dalë jashtë qarkullimit prej shumë vjetësh dhe së dyti zoti Kadare nuk ishte plotësisht i kënaqur me përkthimin e atëhershëm. Edhe përkthimin e tanishëm ai e rishikoi dhe besoj se duhet të jetë i kënaqur me hedhjen në tregun amerikan të variantit të tanishëm”, ka thënë pronari i “Arcade”, Dick Seaver.


Kjo shtëpi botuese ka botuar edhe më parë libra të Kadaresë, përfshirë “Pasuesin” dhe “Vajzën e Agamemnonit”.

“Ne kemi botuar të paktën 12 libra të Kadaresë dhe i kemi botuar veprat e tij me shumë besnikëri sepse besojmë se ai është një shkrimtar i madh botëror”, ka vazhduar Seaver, duke shtuar se vepra e Kadaresë nuk ka depërtuar akoma plotësisht në tregun amerikan, pasi lexuesit amerikanë kanë në përgjithësi paragjykime për shkrimtarët e huaj.

Mirëpo derisa publiku amerikan të njihet me shkrimtarin e madh, vepra e Kadaresë është jo vetëm e njohur por e vlerësuar jashtëzakonisht nga kritikët letrarë, siç është Richard Eder nga gazeta New York Times.

“Bota e Ismail Kadaresë është një lloj anti-materie. Shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga ç’ndodh me grimcat elementare në fizikë, bota e tij plotëson tonën duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme”, shkruan Eder.

Autori i cili ka shkruar edhe më parë për librat e Ismail Kadaresë në faqet e New York Times-it, thotë se “të lexosh romanet e këtij shkrimtari të madh shqiptar, do të thotë të hysh në një makth ku ne nuk mund të banojmë, por që ne ndjejmë se e kemi brenda nesh”.