LAJMI I FUNDIT:

Rice: Serbia dhe Kosova kurrë nuk do të jenë përsëri një

Rice: Serbia dhe Kosova kurrë nuk do të jenë përsëri një

Rusia duhet ta pranojë realitetin se "Serbia dhe Kosova kurrë nuk do të jenë përsëri një" ose rrezikon jostabilitet atje, tha sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice.

"Është fakt se Kosova dhe Serbia kurrë nuk do të jenë një dhe ky është realiteti", tha sekretarja Rice, në një intervistë të botuar të mërkurën në të përditshmen, USA Today.

Më tutje ajo u shpreh se, "nëse ju nuk e keni parasysh realitetin, ju vetëm do të shkaktoni pakënaqësi të konsiderueshme dhe jostabilitet të konsiderueshëm", dhe shtoi se, "Kosova dhe Serbia duhet të shkojnë kah ardhmëritë e tyre, ardhmëritë e ndara por të ndërlidhura".

Për ta arritur këtë, "Serbia duhet të ketë perspektivë të fuqishme evropiane", tha Rice.


Tash fokusi është në sigurimin se Kosova i plotëson obligimet e veta sipas planit të Ahtisaarit, siç është mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe të monumenteve fetare, meqë, siç tha Rice, "nuk ekziston asnjë pikë më tepër për negociata të mëtejshme".