LAJMI I FUNDIT:

Rezultatet e zgjedhjeve në BE dhe raporti me Ballkanin Perëndimor

Rezultatet e zgjedhjeve në BE dhe raporti me Ballkanin Perëndimor

Ardian Kastrati

Pavarësisht algoritmeve mbrapa mediave sociale, të cilat vitet e fundit kanë krijuar polarizim të paparë mes të qytetarëve gjithandej Bashkimit Evropian, partitë e ekstremit të djathtë dhe ato euroskeptike nuk u votuan sipas pritshmërive në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian. Njëkohësisht, në shumë shtete të rëndësishme të BE-së, partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë pësuan rënie, e në disa raste edhe debakël, si për shembull laburistët në Mbretërinë e Bashkuar me vetëm 14 për qind të votave.


Për herë të parë që nga viti 1989, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë ra nën 25 për qind, kurse socialistët me rreth 20 për qind patën rezultatin e tyre më të keq që nga viti 1979. Në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht fitores së Partisë së Brexit-it të Nigel Farages me rreth 32 për qind (28 ulëse), rezultatet e Liberaldemokratëve me 20 për qind, të të Gjelbërve me 12 për qind dhe të Partisë Nacionale të Skocisë me rreth 38 për qind, hodhën në erë sistemin politik të Mbretërisë së Bashkuar. Ndonëse tingëllon kontradiktore, këto rezultate treguan shpirtin evropian të votuesit britanik, duke ndryshuar sistemin politik të dominuar nga dy partitë tradicionale.

Sa i përket partive të ekstremit të djathtë, përjashtim bëri fitorja e Le Penit në Francë dhe Lega Nord e Matteo Salvinit me 73 ulëse si dhe euroskeptikët e Fidesz-it të Viktor Orban duke arritur 53 për qind të votave, që është ekuivalent me 13 ulëse. Megjithatë, te tri këto do jenë larg dominimit. Në Austri, Partia e Lirisë (FPÖ) humbi mbështetjen pas të ashtuquajturit skandali “Ibiza”, kurse në Danimarkë, Partia Popullore Daneze humbi dy nga tri ulëset e saj, përfshirë edhe ulësen e Anders Primdahl Vistisenit – njërit nga aleatët kryesor të Salvinit. Në anën tjetër, pavarësisht narrativit anti-imigrim të së majtës ekstreme gjermane të Sahra Wagenknechtit apo asaj franceze të Jean-Luc Mélenchonit duke argumentuar se ardhja e emigrantëve është komplot kapitalist që do t’i ulë pagat e punëtorëve, edhe e majta ekstreme pësojë rënie të ndjeshme.

Me përjashtim të rezultateve të Le Pennit dhe të Salvinit, dalja e madhe e votuesve në zgjedhje mund të lexohet si refuzim i populizmit dhe i establishmenteve politike në shtetet me peshë në BE. Mesazhi kryesor ishte që BE mbijeton. Thënë ndryshe, përmes këtyre zgjedhjeve u refuzua ideja e nacionalizimit të politikave evropiane dhe u fuqizua ideja e europianizimit të politikave nacionale. Vota e qytetarëve evropianë po ashtu tregoi qartë se politika mbetet çështje lokale. Pavarësisht faktit se Marine Le Pen, Matteo Salvini si dhe Guy Verhofstadt kanë marrë pjesë në fushatat zgjedhore edhe jashtë vendeve të tyre, votat u determinuan kryesisht nga temat lokale.

Shikuar nga aspekti ideologjik, u vërejt se partitë tradicionale, të frikësuara populizmi, së paku një vit para zgjedhjeve ikën nga krahët e tyre të majtë dhe të djathtë duke kërkuar qendrën për të tërhequr votues nga të dy krahët. Kjo strategji ishte e gabuar, sepse elektoratin gjatë viteve të kaluara e zunë partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë. Kështu, gjatë fushatës zgjedhore, duke u munduar të kompensojnë elektoratin, disa nga partitë tradicionale përdoren gjuhën e populistëve dhe devijuan. Këto parti humbën zgjedhjet, siç është rasti Macron vs Le Pen në Francë. Kjo gjuhë i trembi votuesit liberalë, sepse këta votues nuk e shohin populizmin vetëm në kuadrin e çështjeve anti-imigrim, por i shohin populistët si ata që synojnë të shkatërrojnë sigurinë që vjen nga rendi demokratik me sundim të ligjit. Mirëpo, edhe në rastet kur është përkufizuar debati, si i “progresistëve kundrejt nacionalistëve”, populistët prapë kanë qenë më të efektshëm, sepse kanë barazuar “progresivizmin” me zbatimin e politikave “të hapura” ose “anti-krishtere”. Një qasje më e mirë do të ishte sikur presidenti francez, Emmanuel Macron, do të bënte fushatë për betejën ekzistenciale, pra për shpirtin e Evropës, si “demokratët kundrejt autoritarëve”.

Megjithatë, votat për listën e Macronit ishin përcaktuese që aleanca e liberalëve dhe demokratëve, ALDE, të radhitet e treta, me çka edhe do të ndikojë në fuqinë negociuese të Partisë Popullore Evropiane (EPP), nëse Fidesz-i i Viktor Orban vendos të lëshojë këtë grup dhe nëse realizohet Brexit-i me 31 tetor. Macron tani jo vetëm që do te jetë person kyç në negocimin e pozitave kryesore në Bashkimin Evropian, por nga ai do të varet edhe fati i Ballkanit Perëndimor në vitet në vazhdim. Menjëherë pas zgjedhjeve, Macron e bëri të qartë se është kundër procesit “Spitzenkandidat” (kandidatit udhëheqës), që është Max Webber nga EPP, i cili e ka përkrahjen e kancelares gjermane, Angela Merkel. Pas përçarjes së BE-së më 2008 për njohjen apo mosnjohjen e Kosovës, pastaj përçarjes së akterëve kryesorë sesi të paketohet dialogu Kosovë-Serbi (Merkeli kundër korrigjimit të kufijve të Kosovës, Macron i papërcaktuar, kryenegociatorja e BE-së, Frederica Mogherini, pro këtij korrigjimi), kjo qarje e re mes Macronit dhe Merkelit do të reflektojë edhe më keq në Ballkanin Perëndimor.

Me dështimin e procesit të Berlinit dhe të Samitit të BE-së në Bullgari, u bë e qartë se zgjerimi nuk është opsion as për qendrën e majtë e as për qendrën e djathtë në BE-së. Fjalisë së famshme përmes së cilës është përshkruar relacioni në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor “se ne po bëhemi sikur po dëshirojmë zgjerimin dhe ata po bëhen sikur po bëjnë reforma”, i dha fund Macroni i cili qartë ka thënë se aktualisht nuk ka zgjerim. Në anën tjetër, të njëjtën po e bëjnë vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor. Ato nuk veprojnë kinse po bëjnë reforma, por disa po kërkojnë zgjidhje edhe përmes Samitit 16+1 e disa janë në kërkim të alternativave tjera. Një nga argumentet e Macronit dhe bashkëmendimtarëve të tij në BE kundër zgjerimit, është se kanë pasur përvoja të këqija të regresionit demokratik me “anëtarët e rinj” (zgjerimi më 2004 dhe më 2007). Ky argument nuk mund të qëndrojë, sepse si mund te mendohet që ato shtete do të avanconin më mirë standardet demokratike duke pritur gjatë jashtë BE-së. Argumenti tjetër është se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë performuar dobët me reformat demokratike. Kjo qëndron, por edhe retorikat nacionaliste, korrupsioni masiv, ekonomitë e shkatërruara, sistemet gjyqësore të kontrolluara nga politika, nuk janë ekskluzivisht prodhime vendore, pasi që vet BE i ka përkrahur “stabilokratët” e Ballkanit për 20 vite me radhë.

Të udhëhequr nga dyshimet e tyre për zgjerimin, Macron dhe Merkel, me pajtim të shteteve anëtare të BE-së, e shtynë publikimin e vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse iu frikësuan rezultateve të zgjedhjeve. Në aspektin e rezultateve të zgjedhjeve, nëse ato do të ishin në favor të së djathtës ekstreme dhe të euroskeptikëve, atëherë ka gjasa që vendimi i Komisionit do të shtyhej prapë.

Se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është jashtë tavoline, Macron dhe Merkel këtë e konfirmuan edhe përmes organizimit të mini-samitit në Berlin, i cili nuk dha as mini-rezultate. Thjeshtë, ishte truk, një hile diplomatike që u përdor për nevojat e tyre që Ballkani mos të bëhej pjesë e fushatave zgjedhore populiste gjatë zgjedhjeve në BE. Një ditë pas këtij mini-samiti, Macron e publikoj Strategjinë Franceze për Ballkanin Perëndimor. Askund në këtë dokument nuk u përmend zgjerimi.

Në anën tjetër, rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, nuk duhet t’i jepet kuptimi që nuk e ka. Ky proces i jep kohë BE-së që me këtë qasje ta bëjë procesin më të gjatë dhe më të papërcaktuar. Nëse perspektiva e zgjerimit nuk përkrahet nga secili vend anëtar i BE-së, i përcjellë me plan konkret, narrativa e Komisionit Evropian nuk premton asgjë.

Rasti tjetër – edhe pse i shkëputur nga procesi i zgjerimit – është mos liberalizimi i vizave për Kosovën. Përveç qe na shtuan një kriter – si ai i demarkacionit – çdo statistikë flet se Kosova ka plotësuar kushtet. Nga 72 mijë aplikacione për azil në 2015, numri i tyre ka rënë në 7,500 në vitin 2017. Pra, ka rënie prej 90 për qind. Nga 9,700 kthime të dhunshme në Kosove nga BE më 2015, numri i tyre ka rënë në 1,800 në vitin 2017. Nga 19 mijë migrime legale më 2015, numri i tyre është ngritur në 26 mijë në vitin 2017. Kurse, askush nuk mund të konfirmojë se nivelet e korrupsionit në Kosovë janë më të larta se në Bosnje e Hercegovinë, në Shqipëri, në Serbi apo në Moldavi, Gjeorgji e Ukrainë – vende këto që kanë liberalizim të vizave.

Atëherë, pyetja është se çfarë do Macroni në Ballkanin Perëndimor pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, pa opsionin e zgjerimit në tavolinë? Nëse ka zgjedhur bllokimin e zgjerimit, nga frika se kjo temë është e ndjeshme të elektorati francez i orientuar kah Le Pen, apo për shkak se dëshiron të rrisë pazarin në negociatat me Merkelin lidhur me reformën në BE (ku kanë interesa të ndryshme), ai po gabon sepse në Ballkanin Perëndimor po shtrijnë suksesshëm ndikimin Rusia, Turqia dhe Kina. Nëse e kanë nga frika se popullata në këto shtete janë me shumicë myslimane, atëherë duhet ta dijë se sa milionë myslimanë i ka Franca dhe Gjermania, e sa Bosnja, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut (të gjitha së bashku), apo të marr për shembull Londrën që udhëhiqet nga një mysliman.

Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se vendet aspiruese nuk duhet të vazhdojnë reformat demokratike, por kjo po ashtu nuk do të thotë që duhet të pritet që këto vende të funksionojnë si Suedia, Danimarka apo Zvicra, sepse ato standardet janë të paarritshme edhe për disa shtete anëtare të BE-së. Për shembull, ne pamë sesi Qeveria në Spanjë pati skandal të madh me konservatorët që kishin shtrirë korrupsionin më të madh në histori të vendit.

Përkundër dallimeve sa u përket çështjeve brenda Unionit, për çështjen e (mos)zgjerimit pajtohet edhe Merkeli, sepse Gjermanisë i konvenon vetëm absorbimi i fuqisë së kualifikuar punëtore nga Ballkani (për çka kanë shumë nevojë) si dhe rrjedha e gazsjellësit “Turkish Stream” që do të kalojë nëpër Serbi, për të furnizuar në të ardhmen edhe Gjermaninë. Mirëpo, nuk janë të qartë edhe për integrimin politik të rajonit!

Pas zgjedhjeve në BE, është e qartë se ky relacion me Ballkanin Perëndimor do të vazhdojë dhe gradualisht do të zhdukë të vetmin sukses të madh të politikës se jashtme të BE-së – zgjerimi te anëtarët e rinj. Fatkeqësisht, kjo strategji që i vendos shtetet aspiruese për dekada në “dhomën e pritjes”, nuk i kontribuon zhvillimit demokratik, sepse e ulë entuziazmin për reforma, duke krijuar terren të favorshëm për nacionalistët lokalë, euroskeptikët, migrimin e krimin e organizuar. Kjo strategji e BE-së i konvenon vetëm Rusisë që shfrytëzon çdo situatë për të mbajtur ndezur konfliktet në Ballkan. Rasti më i freskët është aktiviteti i “diplomatit” rus të UNMIK-ut në veri të Kosovës. Madje, Rusia keqpërdor edhe protestat, si ato në Serbi, Mal të Zi e Shqipëri, duke besuar se mund të destabilizojnë rajonin dhe si të tilla të mos jenë në rezonancë me interesat e SHBA-së.

Nëse Ballkani mbetet kështu përderisa BE do të fillojë diskutimet e gjata për reformat institucionale, politikat fiskale, paketën financiare për vitet e ardhshme dhe e imponon “diktaturën” burokratike në vendet aspiruese – deficiti demokratik në rajon do të rritet. Kur kësaj i shtohet rivaliteti i fuqive të mëdha në kuadër të lëvizjeve të reja gjeopolitike, atëherë Ballkani mund të provokojë konflikte në baza etnike dhe veriu i Kosovës është gjeografia më e përshtatshme për operacione të tilla.

Kjo qasje tregon se edhe pas këtyre zgjedhjeve, nuk ndryshojnë implikimet për Ballkanin Perëndimor nga ana e BE-së. Krejt çfarë mund të thuhet është se Kosova ka përfituar nga këto zgjedhje veç pse nuk është rritur numri i partive të ekstremeve të djathta që të dominojnë institucionet e BE-së. Në një situatë të tillë, me orkestrimin e miqve të Vuçiqit, si Salvini e Orban, ka mundësi që do të insistohej që Serbia të integrohet në BE sipas modelit të Irlandës apo te Qipros – pra së pari integrim e më vonë zgjedhja e çështjeve kontestuese.

Kjo qasje tregon se edhe Macroni edhe Merkeli nuk do të jenë në gjendje të gjejnë baraspeshë midis angazhimit efektiv dhe politizimit të dëmshëm të procesit të zgjerimit, dhe do të dështojnë të gjejnë mënyra sesi BE-ja mund të përmirësojë besueshmërinë e politikave të saj drejt Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje do të vazhdojë ta mbajë temën e zgjerimit si subjekt me plot ambivalenca dhe ndjenja negative, qoftë për opinionin publik brenda BE-së, por edhe për shtetet anëtare të BE-së. Thjeshtë, kjo situatë na konfirmon se pas qerasjes së madhe me drekën “Marshall’ nga SHBA-të, BE-ja arriti të bëhet gjigant ekonomik, por vazhdon të mbetet xhuxh politik dhe milingonë ushtarake në krahasim me SHBA-në. Prandaj, shpresa e rajonit e ka adresën te politika e jashtme amerikane e cila ka konsistencë në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada. Pavarësisht magnitudave të këtyre dy viteve të fundit, qasja e administratës Trump megjithatë dëshmon se trajektorja e saj nuk ka lëvizur nga binarët strategjik që kanë për qëllim ndalimin e qasjes së Rusisë në Adriatik. Dëshmi për këtë është fakti se SHBA-ja mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe përkrahu zgjidhjen e problemit afër 30-vjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Tani radhën e ka Kosova dhe Serbia, në mënyrë që Ballkani Perëndimor njëherë e përgjithmonë të hyjë nën ombrellën e zonës së sigurisë së NATO-s, respektivisht asaj amerikane, duke e minimizuar kështu ndikimin rus. Nëse dialogu Kosovë-Serbi mbetet të trajtohet përmes letargjisë evropiane, perspektiva do të jetë e zymtë. Ndaj, lidershipi shqiptar duhet të punojë që të mbesë brenda binarëve strategjikë amerikan.

Politika ka një set rregullash dhe për çështje të interesave shtetërore, të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe atyre kombëtare përgjithësisht, nuk duhet të udhëhiqemi nga emocionet. Pavarësisht që në momente të caktuara inatet, mosdija dhe pasionet mund të vijnë edhe nga shumica, duhet që esëll të dimë të bëjmë dallimin mes të vendimeve të guximshme dhe atyre emotive që shërbejnë vetëm si karburant për elektorat. Shqiptarët do mund të realizojnë interesat e tyre brenda kontekstit të interesave strategjike amerikane, rrjedhimisht edhe brenda dinamikave të reja gjeopolitike, duke ruajtur linjën miqësore të komunikimit e integrimit me BE-në.

(Autori është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës)