Karl Ove Knausgard
Rusia është vend i historive. Historia e Carit dhe popullit të tij, e Leninit dhe Revolucionit, luftës së madhe patriotike. Transformimi i një toke në një shtet të madh modern dhe industrial. Historia e mbretërimit të terrorit të Stalinit, e një vendi që sklerotizon; historia e Vladimir Putinit, njeriut të KGB-së, i cili erdhi në pushtet në mes të kaosit dhe rivendosi rregullin. Si e bëri ai këtë? Falë tregimeve të së kaluarës, të thëna në një mënyrë që çon drejt Rusisë së sotme. Për një pjesë të mirë të jetës sime unë kam qenë shumë i tërhequr, gati i hipnotizuar nga këto histori. Kur isha i vogël, Rusia ishte një vend i mbyllur, pra misterioz, gjithmonë na prezantohej si e kundërta jonë. Ne ishim të lirë dhe rusët ishin të shtypur, ne ishim të mirë dhe rusët ishin të këqij.
Duke u rritur dhe duke lexuar kuptova se gjërat ishin më të komplikuara sepse ishte Rusia nga e cila vinte literatura më e mirë dhe më intensive, mbërriti: “Krimi dhe Ndëshkim” i Dostojevskit, “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit, “ Kujtimet i një të çmenduri” të Gogol. Çfarë lloj vendi ishte Rusia, ku shpirtrat ishin aq të thellë dhe shpirti aq i egër? Sepse pikërisht aty kritika e padrejtësive të shoqërisë së ndarë në klasa ishte kthyer në aksion fillimisht me Revolucionin e 1917 dhe më pas me Diktaturën e Proletariatit? Përse një histori e mrekullueshme, e cila flet për barazinë e të gjitha qenieve njerëzore, është kthyer në terror, brutalitet çnjerëzor dhe në mjerim? Rusia është ende një enigmë për mua. Çdo ditë një lajm na vjen nga Rusia – Putin, kundërshtarët e tij në burg, ndërhyrjet e tij në zgjedhjet e vendeve të huaj dhe të gjitha të konfirmojnë idenë se “Rusia “është një entitet unik, i kuptueshëm dhe i denjë. Por çfarë mendojnë njerëzit që jetojnë brenda këtij entiteti? Çfarë është “Rusia” për ta, cilat janë historitë që u tregojnë vetë atyre, njëqind vjet pas revolucionit dhe njëzet e pesë vjet pas rënies së regjimit komunist?
Për vite kam dashur të shoh Rusinë me sytë e mi, të takoj njerëzit që jetonin në atë entitet dhe të kuptoja se çfarë do të thoshte për ta të ishe rus. Është kjo arsyeja se përse një mëngjes në tetor u nisa me makinë se bashku me një fotograf dhe një përkthyes nga Moska drejt e në pasurinë e vjetër të Ivan Turgenjevit.
Për të kuptuar se si ishte Rusia përtej lajmeve. Vendi më i mirë për të filluar është bota e treguar nga Turgenjevi, fshati që shërben si sfond në librin e tij të parë, “Kujtimet e një gjahtari”. Botuar në 1852, “Kujtimet e një gjahtari” është një përmbledhje tregimesh që flasin për takimet e një gjuetari në shëtitjet e tij në pyje. Nuk ka asgjë nga emocionet dhe thellësia e psikologjisë së Dostojevskit as nga kompleksiteti epik i Tolstoit apo aftësia për të përshkruar një shoqëri të tërë në disa goditje pene. Ato janë nga të gjitha këndvështrimet tregime modeste, për të mos thënë të parëndësishme. Një njeri ecën nëpër pyll me një pushkë mbi shpatullat e tij, ai shkëmben dy muhabete më dikë, që ai takon, ndoshta ai gjuan disa zogj dhe kalon natën diku aty në rrugën prapa: kjo është e gjitha. Megjithatë edhe për shkak të afërsisë së Turgenievit me të cilën përshkruan shoqërinë ruse të viteve dyzetë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, libri konsiderohet si një nga më të mirët, një nga veprat e mëdha të letërsisë botërore. Gradualisht fusha bëhet më e valëzuar dhe më pas, papritur kemi arritur në majë të një kodre, pamja ndryshon plotësisht.
Vetëm gjysmë ore më vonë largohemi nga autostrada dhe hyjmë në një rrugë të vendit që na çon në fillim në një fshat dhe pastaj në një pronë të madhe të mbyllur me një parking. Nuk ka asgjë përreth dhe heshtja mbretëron. Retë janë të ulëta; ajri është i rënduar nga lagështira dhe duket se zbut çdo zhurmë. Në një cep ka një kapele guri me pjesën e poshtme të murit të mbuluar me myshk dhe njëqind metra më tutje është ajo që duhej të ishte shtëpia kryesore. Prisja diçka të mrekullueshme dhe monumentale, të ngjashme me një ndërtesë madhështore angleze. Turgenjevët ishin një familje fisnike. Në vend të kësaj e gjej veten përballë një shtëpie mjaft të vogël prej druri, ngjyrë të purpurt dhe të mbuluar me bimë kacavjerrëse. Nuk më jep ndonjë ndjenjë të veçantë. Nuk ndihet fryma e historisë. Unë përpiqem të imagjinoj Turgenjev, që del nga dera dhe ecën drejt pikës ku jemi, por është e pamundur të shoqëroje atë me ne dhe kohën e tij me tonën. Ne ndjekim një udhëzues të ri me mjekër dhe syze. Ai na shpjegon se pothuajse të gjitha sendet origjinale janë zhdukur dhe këto janë vetëm kopje. Disa objekte te shtëpia e shkrimtarit shfaqen në dhomat e shtëpisë pranë zyrës kryesore. Ka tavolina dhe karrige, piktura, xhingla dhe rafte plot libra. Por, edhe nëse janë autentike, këto objekte nuk flasin, ato janë thjesht në këmbë atje, memece, për të treguar të kaluarën. Të vetmet objekte që meritojnë interes janë pushka, një qese për barut dhe çanta që Turgenjev përdorte gjatë gjuetisë. Ndër objektet ka gjithashtu një divan në të cilin u ul Tolstoy. Të dy shkrimtarët jetonin vetëm disa orë larg nga njëri-tjetri. Në fillim ata ishin miq të mirë, pastaj ngadalë Tolstoi filloi ta urrente Turgenjevin. Ky i fundit vëzhgonte jetën e fshatarëve, por kurrë nuk arriti shkallën e përfshirjes.
Ne kalojmë parkun e madh në këmbë. Nuk ka asnjë tjetër përveç nesh. Ajri i lagësht dhe i akullt është i palëvizshëm. “A ka gjithmonë kaq pak njerëz këtu?”, pyeta shoqëruesin. Ai tund kokën me forcë . “Jo, zakonisht është plot me nxënës që vijnë nga të gjitha anët e Rusisë. Dhe vitin e ardhshëm vendi ka dyqind vjetorin e lindjes së Turgenjevit. Kjo është arsyeja pse është nën rinovim. Ne do të kemi shumë vizitorë, por sot është e hënë dhe jemi në tetor“. Ai ndalon pranë një peme të madhe të rrethuar nga një gardh i ulët. “Ky lis u mboll nga Turgenjevi vet “,thotë ai. Në të djathtë të pemës ka varreza. “Çfarë janë ato?”, pyes, duke i treguar ato. “Janë varrezat e ushtarëve”, përgjigjet udhërrëfyesi.
“Këtu?”. Po, luftuan kundër gjermanëve gjatë luftës dhe kanë rënë këtu “. Pak kohë më pas, kur nisemi, më mbetet në sy imazhi i varrezave, ndoshta sepse dhuna që ato paraqisnin ishte krejtësisht e papritur në realitetin e izoluar të një shtëpie muze.
Përpara Revolucionit, Rusia ishte një shoqëri bujqësore, në pjesën më të madhe të saj. Në fillim të vitit 1900, katër rusë në pesë ishin fermerë. Ishin të varfër, pa arsim, supersticioz dhe analfabet. Në shumë pjesë të vendit mënyra e jetesës praktikisht nuk kishte ndryshuar shumë nga mesjeta. Lev Trotskij nis historinë e Rusisë së Revolucionit duke theksuar se, “karakteristika thelbësore dhe më konstante e historisë së Rusisë është ngadalësia e evolucionit të vendit, me prapambetjen ekonomike, strukturën shoqërore primitive, kulturën më të ulët që rrjedh nga kjo ngadalshmëri.”
Në “Tragjedi të një populli”, historiani britanik Orlando Figes përshkruan një botë primitive në të cilën çdo aspekt i epokës së përditshmërisë drejtohej nga një konformizëm i papranueshëm ku të gjithë mbanin të njëjtat veshje, të gjithë kishin flokë të prerë në të njëjtën mënyrë dhe të gjithë flinin në të njëjtën dhomë. “Në botën e fshatarëve kishte shumë pak vend për privatësi”, shkruan Figes. “Banja ishte në një ambient të hapur dhe mjekët e qytetit ngeleshin të tronditur, ku njerëzit i pështynin në vesh njëri-tjetrit për të pushuar dhimbjen, ose të rriturit përtypnim më parë në gojën e tyre ushqimin që kishin për t’ju dhënë bebeve”. Këto përfaqësime të botës së fermës ruse të viteve tetëqind nuk janë false, por janë fryt i një observimi nga distanca dhe një gjeneralisimi të përgjithshëm. Largësia natyrisht është e domosdoshme, i shërben shkrimtarit për të kujtuar dhe shpjeguar zhvillimet e shoqërisë ashtu si i duhet politikës për të përballuar problemet shoqërore. Por, është largësia që ka lejuar bolshevikët të shkatërrojnë strukturën e shoqërisë ruse pa menduar për qindra milionë të vdekur, që cilësoheshin jo si persona, por “fshatarë”, që shiheshin me një distancë të tillë që fshihte nga ata çdo gjurmë individualiteti. “Kujtimet e një gjahtari” tregon për botën e përshkruar nga Trotskij e Figes nga brenda pa marrë asnjë distancë. Një nga historitë më të bukura të librit flet për një njeri që humbet duke u kthyer nga gjuetia, i cili përtej fushës sheh një zjarr rreth të cilit janë një tufë djemsh të rinj të cilët kujdesen për kuajt e tyre. Rrinë ulur pranë zjarrit për të kaluar kohën duke treguar historitë e tyre. Turgeniev i bën të gjalla të gjitha me mënyrën dhe personalitetin e tij. Ka diçka shumë prekëse në mënyrën se si ai i sjell, ai i merr ato seriozisht, u jep atyre dinjitet. Historitë që na tregohen janë apasionuese. Dhe historia që na tregohet nuk është klasa fshatare, supersticioze dhe reaksionare, e treguar nga revolucionarët dhe historianët, ata janë pesë djem, secili me jetën e vet.
“Kujtime e një gjahtari” nuk ishte një libër politik, por në Rusinë e viteve pesëdhjetë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kishte një ndikim të madh politik, pikërisht sepse nuk kishte një program politik apo letrar të tregonte jetën për atë që ishte dhe jo për atë që simbolizonte. Në atë kohë kishte ende robëri në Rusi. Pleqtë ishin pronarë jo vetëm të fshatrave që u ngritën në tokat e tyre, por edhe të fshatarëve që jetonin aty. Ishte me fjalë të tjera, një formë e skllavërisë. Libri i Turgeniev ndihmoi të ushqehej kritika e bamirësisë, e cila u hoq nëntë vjet më vonë, në 1861, nga Cari progresiv Alessandri II.
Njëzet vjet më vonë, Aleksandri II u vra përpara djalit dhe nipit, të cilët do të bëheshin më vonë Car Aleksandër III dhe Nikolla II. Nuk është e paarsyeshme. Imagjinoni se vrasja e Carit ka kontribuar për të transformuar të dy pasardhësit e tij në despotë reaksionarë dhe joliberalë, kundër çdo reforme dhe kështu të vendosur për të mbytur çdo formë të opozitës për të bërë Revolucionin.
Dhe tashmë është bërë errësirë kur gjejmë pikën e saktë ku është vendosur historia e Turgenievit mbi djemtë. Ai njihet si ” Livadhi e Bezhin” dhe këtë na e tregon një grua e moshuar.
“A doni të bisedoni me të?”, më thotë fotografi nga sedilja e pasme. “Jo, jo më mirë”, them unë. “Mirë, unë ende dua të marr disa fotografi”, thotë ai.
Brown dhe Addario zbresin dhe ngjiten mbi gardhin. Brown thotë diçka në rusisht, përgjigjet gruaja. Papritur e kuptoj se duhet të flas me të, se muzeu, pemët dhe librat e vjetër, gjërat në të cilat u përqendrova nuk përfaqësojnë asgjë tjetër veçse idenë time rreth vendit që po vizitoj.
Në çfarë po ngatërrohem? Vizioni im i Rusisë është tërësisht i bazuar mbi mitet dhe mbi një imagjinatë të caktuar romantike. Si mund të jem kaq mendjemadh për të besuar se mund të them diçka rreth Rusisë, pas një udhëtimi prej nëntë ditësh në një cep të vogël të këtij vendi të shkatërruar? Është sikur të përshkruash një kovë uji për të folur oqeanin. Dal nga makina dhe ngjis edhe unë gardhin. “Ajo thotë se nuk dëshiron të fotografohet”, shpjegon Brown. “Pse jo?“Ajo thotë se po mbledh vetëm disa misra për pulat “,shton ai, “por kjo nuk është fusha e saj“. “Unë e kuptoj”, i përgjigjem. Më pas gruaja pranon të na flasë për jetën e saj.
“Pyeteni se ku jeton,” thotë Addario, dhe fillon me foto. “Dhe çfarë bën ajo. Pyete, nëse kanë një familje”. Gruaja lindi në një fshat të vogël përgjatë rrugës. Kur ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeç u zhvendos në Moskë dhe ajo jetoi atje deri disa vite, pastaj u kthye për t’u kujdesur për nënën kur i vdiq babai. “Kur isha vajzë këtu, kishte shumë njerëz”, thotë ajo.
“Ishte një komunitet i pasur dhe i gjallë, do të kenë qenë pesëmbëdhjetë apo njëzet familje që jetonin këtu”, thotë ajo, duke treguar fermat e braktisura përgjatë rrugës. “Tani kanë ikur të gjithë”. “A keni lexuar Turgenjevin?”, pyes. “Kam lexuar ‘Kujtimet e një gjahtari’”. “A ju pëlqeu kjo?”. Për herë të parë ajo buzëqesh. “Ua lexoj nipërve të mi”. “A është sot ndryshe nga ajo që ishte kur shkroi Turgenjev?”. “Peizazhi është i njëjtë, por jeta është ndryshe. Është shumë ndryshe”, thotë ajo. Më pas u ndamë edhe vijuam rrugën.
Treni për Kazan zë një hapësirë që duket kilometrike përgjatë bankinës në stacion. Lokomotiva ngjyrë jeshile dhe ngarkesa e gjatë e vagonëve gri duket të dalë nga kohët e luftës. Ne kemi një ndarje, klasa e dytë me katër shtretër. Unë nxjerr të lexoj diçka. Libri, “Lenini jeta dhe revolucioni” i Victor Sebestyenit është interesant. Shkrimtari më i preferuar i Leninit ishte gjithmonë Turgenjevi. Lenini ishte njeri i thellë. Ai ishte fanatik, në të njëjtë kohë edhe emocionalisht evaziv, madje edhe gjatë gjithë mërgimit të tij, kudo që ai ishte. Ku do që të ishte, në Londër, Zyrih apo Paris, sigurohej që të kishte me vete një vepër të Turgenievit. Po lexoj një libër të Leninit, sepse vendet që kam zgjedhur të vizitoj në shtatë ditët e ardhshme i kam zgjedhur edhe duke menduar për të.
Për pak javë do të jetë 100-vjetori Revolucionit të Tetorit i 1917-ës, kur Lenini, pothuajse i vetëm mori pushtetin në Rusi. Ne do të shkojmë në Kazan, ku Lenini studionte ligjin dhe ku filloi të bënte politikë dhe pastaj do të shkonim në Ekaterinburg, ku në vitin 1918, Nikolasi II dhe familja e tij u ekzekutuan në një bodrum sipas urdhrave të Leninit. Në brutalitetin e tij të pamëshirshëm, ky veprim shënon fundin e botës së vjetër në Rusi dhe fillimin e ri. Çdo gjurmë e botës së vjetër do të çrrënjoset për ta bërë hapësirë të re.
Isha duke i parë njerëzit nga koka deri te këmbët. Fakti që të gjithë janë zbuluar plotësisht, më bën të ndihem si një njeri i bezdisshëm. Duket se askush nga pasagjerët nuk e ka problem, ata sillen sikur të ishin në dhomën e tyre. Ndalojmë para tre grave që po bisedojnë. Duhet të kishin të tria të njëjtën moshë. I kërkoj Brownit që të bëjë prezantimet. Të tria gratë më vëzhgojnë me vëmendje. “Ku po shkon?”, pyes. “Në Izhevsk”, thotë një nga të tria. “Ku bëjnë kallashnikovët”. “Dhe ishit në Moskë?”. Ato bëjnë me shenjë për po. “Çfarë keni bërë?”. Ato shkëmbejnë një vështrim. “Është sekret”, thotë ajo duke qeshur. Dy të tjerat qeshin. Dikush mbas meje po qeshte dhe më pas kur kthej kokën pas dhe shoh një 80-vjeçare që merr dorën e Addarios dhe e puth. Gruaja i thotë diçka Brownit dhe buzëqesh
“Çfarë tha ajo?”. “Ajo tha se je shumë i mirë”. “Oh, jo”, përgjigjem. “A do ta shkruani?”. “Sigurisht që jo,” iu përgjigja. “Por ju do t’i kërkoni asaj nëse mund të kthehem më vonë dhe të flas përsëri me të ato?“ Kur të kthehemi është shumë errësirë. Të tre gratë janë ulur rreth tryezës dhe po ndajnë një tas me kikirikë. Gruaja që foli më së shumti duhet të ketë menduar çfarë të thotë më parë, sepse menjëherë filloi të flasë për veten. Ajo quhet Natalja. Dy mikeshat e saj quhen Olga dhe Zinaida. Ajo na tregon se u rrit në një jetimore. Mbante mend prindërit dhe kishte një motër nga e cila ishte ndarë. Ajo kishte një jetë që e kërkonte, por ende nuk e dinte se ku ishte. “Në atë kohë ishte normale që të ndaheshin vëllezërit dhe motrat”, thotë ajo. Kur u bëra e madhe, u ktheva dhe gjeta një punë në të njëjtën jetimore. Por, nuk gjeta asgjë. Kështu që unë i shkruaja një programi në televizion që ndihmon njerëzit të gjejnë familjen e tyre dhe jam duke pritur për një përgjigje. “Kur i ke shkruar?”, e pyeta. “Dy vjet më parë”, u përgjigj ajo. E kuptoi edhe vetë që fjalët e saj nuk i lanë shumë vend shpresës, sepse më pas shtoi: “Ndonjëherë është e vështirë për t’i gjetur njerëzit përsëri, gjithashtu për gazetarët. Mund të zgjasë deri në pesë vjet “. Natalja fillon të flasë për besimin e saj të krishterë. Vitin e kaluar ajo shkoi në Izrael për të parë vendin ku Jezusi u kryqëzua. Ajo tregoi se ishte lutur për shumë njerëz në nevojë dhe se lutja e saj ishte plotësuar. “Pastaj jam lutur për burrë dhe ja ku e kam këtu, unë jam në takim më këtë njëri të mrekullueshëm!”. Ndërkohë që të tjerat qeshin kuptoj që nga goja saj del emri Putin.
“A tha diçka për Putinin?” I kërkoj Brownit. “Po, po. Ajo tha se nëna e saj është një mbështetëse e madhe e Putinit. Ato janë të gjitha admiruese të Putinit”. “Ne e duam vendin tonë”, thotë Natalja. “Dhe për herën e parë kemi një president të krishterë, një president ortodoks“. Kthejnë një revistë në tryezë për të na treguar kopertinën. Të gjitha fotografitë janë të Putinti. Në një është pa këmishë. “A e shihni çfarë fiziku ka”, thotë ajo. “Ka njëqind vjet që nga Revolucioni. Çfarë do të thotë kjo për ju?”. “Nuk ka rëndësi”, thotë Natalja. “Ato ishin njëqind vjet pa zot. Ata hodhën poshtë të gjitha kishat. Tani këta po i rindërtojnë dhe ne mund të shkojmë atje pa pasur frikë. Këtu, në këtë qytet ekziston një ikonë e virgjëreshës Maria. Është shumë e vjetër. Kur u gjet se ishte krejtësisht e zezë. Tani ngadalë po bëhet gjithnjë e më shumë e pastër dhe çdo vit që kalon bëhet më e qartë”, thotë ajo.
Një orë më vonë treni ndalet dhe unë shikoj nga pista. Është errët dhe nuk ka asnjë në stacione. Ndien një kënaqësi të veçantë në arritjen në një qytet gjatë natës, në errësirë. Nuk zbulohet se çfarë aspekti ka deri sa zgjohemi në mëngjes. Çfarë qyteti është Kazani? Lagjja në të cilën gjej veten është moderne dhe mirëmbahet. Xhamia madhështore që pashë nga dhoma e hotelit kur u zgjova është krejt e re.
Kazani, kryeqyteti i Republikës Autonome të Tatarstanit, dhe qyteti ku Lenini studionte ligjin dhe u dëbua nga universiteti. Babai i tij ishte një zyrtar publik në Rusinë cariste dhe jeta e Leninit sillej rreth shkollës, letërsisë dhe shahut, lojë në të cilën ai ishte shumë i mirë. Pastaj dy ngjarje tronditën jetën e tij. Babai i tij vdiq papritur nga një atak në zemër, në moshën 54-vjeçare, dhe vëllai i tij. Aleksandër, të cilin ai e adhuronte u dënua me vdekje për komplot kundër Carit. Lenini nuk dinte asgjë për këto aktivitete revolucionare të vëllait të tij dhe kurrë nuk ka qenë i interesuar për politikën. Vdekja e Aleksandrit ndryshoi gjithçka. Jo vetëm që Lenini iu bashkua menjëherë një qelize revolucionare në Universitetin e Kazanit, por si tregon Sebestyen në biografin e tij, “i gjithë personaliteti i tij u transformua”. Lumturia dhe humori i mirë i adoleshencës u zhduk dhe Lenini u bë një i ri i mbyllur , jashtëzakonisht i disiplinuar dhe i vendosur. Që nga momenti kur u dëbua nga universiteti, ai kurrë nuk pa më mbrapa.
Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës për të punuar për Revolucionin, të cilin megjithatë ai nuk e dinte nëse do ta arrinte me të vërtetë. Më në fund Lenini e detyrojë Revolucionin të ndiqte linjën e tij. Bolshevikët ishin ateistët dhe feja u zhduk plotësisht nga shteti i ri rus. Për tre breza ai u shtyp, deri në vjeshtën e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, kur ai bëri kthimin e tij, më të ashpër se kurrë. Në Kazan e gjithë kjo është e qartë. Në Rusi ka më shumë se 200 minoritete nacionale dhe etnike. Më i madhi është ai i Tataristë, i cili përfaqëson katër për qind të popullsisë së vendit. Pothuajse të gjithë tatarët janë të fesë islamike dhe një nga komunitetet myslimane më të mëdha në Rusi jeton në Kazan.
Parkoj makinë në Muzeun Nacional të Republikës së Tatarstanit. Është ora pesë dhe shkojë për të marrë një vajzë tatare që quhej Dina Khabibullina, një myslimane praktikante. E takova më parë dhe biseduam pak si ndiheshe ajo si pjesë e një minoriteti fetar dhe kulturor në Rusi. Pastaj na ftoi për darkë në shtëpinë saj. Dina është 29 vjeçe dhe punon si kërkuese në Akademinë e Shkencave të Republikës së Tatarstanit. Ajo është gjashtë muajshe shtatzënë. Ajo mori një edukim jomysliman në një shtëpi, në të cilën kultura tatariste ka munguar praktikisht dhe flitej kryesisht në rusisht. Në moshën 19-vjeçare pati papritur një iluminim dhe u konvertua në myslimane dhe mësoi tatarishten e vetmuar. Shumë nga shoqet e saj bënë të njëjtën gjë. Ndoshta feja ka qenë gjithmonë e pranishme në thellësitë e shoqërisë, duke pritur për kohën e duhur për të ngritur kokën.
“Çfarë ju nxiti të rizbuloni besimin tuaj?”, pyes. “Isha 19 vjeç kur babai im vdiq”, thotë ajo. “Pyeta veten çfarë mund të bëja për të kaluar vdekjen e tij. Në mësimet e islamit është shkruar qartë: duhet të jepni lëmoshë te të varfrit, duket bërë një pelegrinazh në Mekë dhe therni një dash”. Ndërtesa ku jeton Dina duket se daton që nga vitet pesëdhjetë. Ajo na tregon rrugën dhe na fut në apartamentin ku djali i saj i cili është shtatë vjeç, po e pret me burrin dhe mamanë e Dinës. Në fund të vizitës kuptova se babai i fëmijës, burri i parë i Dinës kishte vdekur. Pasi përshëndeti nënën e saj, shkon në kuzhinë për të gatuar, ndërsa burri, Damir Dolotkazin, hap një qilim lutjeje në dhomën e ndenjes. Duke gjykuar nga pamja, Damir është pak a shumë 30 vjeç. Ndërkohë që djali luan në divan me lodrat e tij dhe Dina gatuan, Damir ulet për faljen dhe kur përfundon para se të çohet thotë një lutje thuajse pa zë. Pastaj e rrokulliste atë qilimin dhe atmosfera solemne papritmas zhduket si kishte ardhur. Dina na thërret nga kuzhina. Na hedh në tasa një supë me perime, topa dhjami dhe copa mishi të errët. Damian ha supën me qejf dhe i përgjigjet me dëshirë pyetjeve të mia.
“A keni qenë gjithmonë mysliman?”, pyeta. “Jo”, përgjigjet ai. “Isha në ushtri këtu në Kazan. Unë kam qenë në një departament të sigurisë në kohën kur isha 18 vjeç dhe isha i krishterë”. Një nga miqtë e tij në ushtri ishte mysliman, thotë Damir, dhe “ai më mësoi se për çfarë bëhej fjalë. Mendova se ishte një fe e fortë dhe e madhe.” “Është shumë e mirë”, them unë. “Çfarë lloj mishi është ai?”. “Është mishi i kuajve”,-thotë Damir. Oh, jo. Oh, jo. Oh, jo. Ne nuk mund të bëjmë asgjë, por të vazhdojmë ta hamë se jemi mysafirë, dhe do të ishte e pasjellshme të mos e konsumonim gjellën që na shërbehet.
“Çfarë thonë për rusët në Perëndim?”, pyet ai. “Stereotipat e zakonshme?”. “Ka disa stereotipa, është e vërtetë”, iu përgjigja duke kafshuar një copë mishi të mirë. “Njerëzit mendojnë se ne jemi barbarë. Është shumë e trishtë. Ajo që politikanët thonë dhe bëjnë nuk ka të bëjë me ne që jetojmë këtu. Ka shumë njerëz të mirë në këtë vend, shpirtra të mirë dhe gjithashtu njerëz të këqij, natyrisht. Në nivel politik asgjë nuk ndryshon. Zgjedhjet janë një shaka”.
Pas darkës shërbehet një tabaka e madhe me ëmbëlsira tatare. Damir thotë se dikur ai ishte një tifoz i madh e futbollit, por pastaj e korrigjon veten: “Epo, me të vërtetë nuk është se me pëlqente futbolli. Më pëlqente të luftoja.” “A ishit një luftëra?” “Po. Për tre vjet shkova në lojëra futbolli për të luftuar. Kam pasur disa probleme me ligjin, por nuk kam më kontakt me atë mjedis. Tani preferoj të lexoj. Mundohem të lexoj njëzet libra në vit.” Pas darkës, kur kuptojmë se nuk mund të abuzojmë më shumë me kohën e tyre, e përshëndesim Dinën dhe Damirin dhe në korridor veshim palltot tona. Papritmas Damir më afrohet. “Motra ime vdiq në një aksident me avion më 2013”, thotë ai. “Më vjen keq”, iu përgjigja, duke mos ditur se si të trajtoj këtë informacion. Në shtrënguam duart. Ndiej një simpati të madhe për Damirin.
Gjëja e fundit që shoh para se dera të mbyllet është një karrige në sallon ku janë të mbështetura rrobat e një fëmije, një këmishë e bardhë edhe një kollare. Pas pak, ne ndalemi në një restorant në anën tjetër të rrugës. Menjëherë porosisim të gjithë një supë edhe ulemi në një tryezë. Pas ngrënies, kërkojmë një nga kamerierët nëse ne mund të flasim me të. Ajo bën një shenjë pak të pasigurt, thanë duart në një peshqirë edhe vjen. Ajo është e re, është më pak se tridhjetë vjeç dhe shpjegon se kjo është vetëm një punë e përkohshme. Restoranti është pjesë e një zinxhiri dhe ajo vjen për të ndihmuar kur dikush sëmuret. Ajo ka një qëndrim të rezervuar kur filloj për ta pyetur për Rusinë, u hedh një sy kolegeve papara se të përgjigjet. “Tani gjërat janë më mirë”, thotë ajo. “Ekonomia po rritet, jeta është gjithmonë më e mirë“. “Çfarë po thua?”, një njeri në tavolinën përpara e ndërpret. “Në Rusi gjërat janë më keq! Po shkon gjithçka drejt ferrit! Gjithmonë keq e më keq!“ Është i madh dhe imponues, me flokë të shkurtra dhe fytyrë të zbehtë dhe të sheshtë. Por ndërkohë që e thotë ai buzëqesh.
“Nuk ka progres”, bërtet ai para se të ulet në një tavolinë në mes të sallës. Falënderoj kamarieren e re, e cila ikën në kuzhinë e lehtësuar dhe i afrohem shoferit të kamionit pak me ngurrim. Ai më shikon nga poshtë, me lugë në dorë. “Pse po shkruan për Rusinë?”, pyet ai. “Në Shtetet e Bashkuara imazhi i Rusisë është shumë lidhur me Putinin dhe politikën. Kemi ardhur këtu për të parë si është jeta përtej këtyre gjërave”. “Gëzohem që u njohëm!”, thotë ai. “Ulu”.
Quhet Sergej. Ai është 44 vjeç dhe drejton një kamion që transporton makina nga një fabrikë Lada tek tregtarët e Kazanit. “Unë kam për të punuar 16 orë në ditë për të përballuar muajin”, thotë ai. “Nëse dëshironi të jetoni, duhet të punoni. Në vitin 2004 kam fjetur katër orë në natë dhe kam punuar pjesën tjetër të ditës. Në atë kohë kisha një shef të cilit duhet ‘i jepja llogari. Tani punoj për vete, kështu që të paktën unë mund të zgjedh vetë gjerat.” Ndërsa ai flet, shikoj se si më sheh drejt e në fytyrë, me një shkëlqim në sy. Ai gjithmonë ka shakanë gati. “Të takosh dikë si ty ndodh vetëm një herë në jetë“, thotë ai, duke shpërthyer së qeshuri. “Njëherë më kanë grabitur, a doni t’ju tregoj?“ Një mëngjes, pesëmbëdhjetë vjet më parë, ai kishte parkuar kamionin dhe po bënte një çaj në kabinë. Dyert u mbyllën papritmas dhe dy burra u përpoqën të hynin. “Për fat të mirë vetëm njëri prej tyre kishte thikë”, thotë Sergei. “Njëri hapi derën, tjetri u ngjit dhe më vuri në qafë një litar. Kam mbajtur atë me një dorë, ndeza kamionin dhe u futa në mes të rrugës për të kërkuar ndihmë. Djali që u përpoq të më mbyste ishte mes meje dhe atij që kishte thikën dhe kjo më shpëtoi. Kam arritur të hap derën dhe u hodha poshtë. Pastaj djali me thikë më goditi nga mbrapa. Unë ende kam shenja.” “Dhe, ata u larguan me kamion?” “Po, po. Doja vetëm të shpëtoja veten. Kam ecur gjatë rrugës, por askush nuk u ndal për të më ndihmuar mua. Nuk është çudi, isha gjysmë i zhveshur dhe i mbuluar me gjak. Nuk ishte askush në stacionin policor dhe më në fund arrita në një shtëpi ku po bëhej një festë. Shkova, mora disa rroba dhe ika menjëherë. Kamionin e gjetën disa orë më vonë, të braktisur, të shkatërruar dhe pa ngarkesë. Dhe, më arrestuan sepse kisha vjedhur rroba!“, qesh ai. Fytyra e tij është vazhdimisht në lëvizje, me shprehje që ndryshojnë për të nënvizuar hapat e ndryshëm në histori. Sergej është një tregimtar i lindur. Ai më thotë se gjyshi i tij pretendonte të ishte një Romanov. “Një Romanov?”, pyes. “Familja perandorake?”. ”Po. E pyeta nënën time, por kurrë nuk ia dolën mbanë për të gjetur nëse ishte e vërtetë”. Një fat i mirë, mendoj, të njihem me një pasardhës të mundshëm të Carit në një lokal të vogël në autostradë në mes të Rusisë.
Filloi të fliste me mua për gjyshin. ”Ai ishte shumë i fortë”, thotë ai. “Dhe gjyshi im ishte dyfishi i madhësisë sime. Një herë ishte duke provuar të lante një viç. Ishte një ditë e nxehtë dhe nuk lëvizte as një fletë. Viçi ishte i mërzitur nga një mizë, të cilin përpiqej ta largonte gjithë kohës “. Sergej ngre kokën dhe e shtyn atë përreth për të treguar gjestin e viçit. “Ai ia dha një kokë gjyshit. Gjyshi u zemërua dhe e goditi atë. Viçi ngordhi në vend. Një grusht e la të ngordhur.” Ai ndalon sa unë të marrë veten nga historia dhe më pas shpërthen së qeshuri. “Unë mendoj se ëndrrat tregojnë të vërtetën”, thotë ai. “Gjithashtu, edhe sipas mendimit tim”, përgjigjem unë. “Vërtetë?”. “Po.” “Pastaj do t’ju tregoj një ëndërr që kam parë që zgjati jetën e gjyshit tim edhe një vit. Në atë kohë e kisha lënë babanë dhe jetova me gjyshin tim, të cilin e doja shumë. Shkurtimisht, në ëndërr janë tre burra, të veshur me të zeza e me kapele të zezë. Shumë misterioze, pak e ngjashme me gjeorgjianët që vijnë në shtëpinë tonë. Më kalojnë përpara dhe shkojnë drejt tek gjyshi. Ata e marrin atë dhe ai nuk reziston, shkon me ta. Unë kapem në këmbën dhe zvarritem pas tij. Nuk mund ta shpëtoja edhe pse jam shumë i fortë. Kam humbur shpresën dhe filloj të bërtas. Njëri prej burrave të veshur me të zeza pyet: ‘Kush është ai që po ulëret?’. Pastaj ai më sheh dhe më thotë: ‘Sa ka mbetur për të?’. ‘Një vit’, përgjigjet një nga shokët e tij, ‘për disa vepra të mira që ka bërë’, thotë ai dhe më pas zhduken”. “Një javë më vonë gjyshi im hyri në terapi intensive. Ishte në koma. Unë thashë se nuk doja doktorë sepse e dija se do të shërohej. Pesë ditë më pas u zgjua dhe jetoi ekzaktësisht edhe një vit.” Pas bisedës shohim Sergejin që kalon rrugën për të shkuar drejt vendit të parkimit. Ai kthehet, na përshëndet me dorë, hipën në makinë dhe ndez motorin.
Një nga gjërat që më lidh më shumë me Rusinë që kam dëshiruar gjithmonë është, të shihja drejtpërdrejt fshatin tipik që gjendjet në romancat ruse të tetëqindtës dhe në fotot historike. Një grup shtëpish prej druri, më së shumti të palyera, disa gardhë, disa kopshte perimesh, pula që vrapojnë përreth, një korije aty pranë, një lumë që rrjedh ngadalë, i rrethuar nga fusha. Gjatë udhëtimit shpesh ndodhte të shihja nga larg fshatrat e këtij lloji. Më parë duke shkuar në fermën e Turgenjevit dhe pastaj përgjatë hekurudhës për në Kazan.
Fshati duket i pabanuar, përveç një zonje të vjetër e të vetmuar që është duke punuar në kopshtin e perimeve. Brown flet. Me sa duket në fshat është një grua që është 102 vjeçe. “A mund ta takoj?”, pyes Brownin. Ai i përsërit pyetjen gruas, e cila bën një shenjë për po dhe na tregon drejtimin. Ecim drejt një shtëpie të kaltër, ku shohim një grua me shami në kokë. Mban në dorë një pulë të madhe të bardhë që lufton për t’u çliruar. Kaloj pragun dhe hyj në dhomën e ndenjes brenda. Ka qilima kudo, në dysheme dhe në mure. Ngjan sikur është një shpellë. Në mes të dhomës së ndenjes, në këmbë është një grua shumë e vjetër. Kur hyjmë, ajo ngadalë kthen kokën dhe na shikon. Gruaja që na ftoi të hyjmë brenda shoqëron gruan e vjetër në një shtrat të mbështetur në mur, ajo e ul, i heq shaminë nga koka dhe e zëvendëson me një tjetër të pastër, pastaj i vesh një palë shapka lëkure, pothuajse sikur po vesh një kukull. Por, duket se zonjës së vjetër nuk i bën përshtypje. Ajo është ulur qetë me duart në prehër dhe na shikon. Mban veshur një fustan të zi me disa lule. Shamia e bardhë është shumë e madhe e nuk i mbulon vetëm kokën, por bie poshtë në shpinë. Ajo quhet Minizaitunja Ibjatullina. Afrohem dhe i shtrëngoj butësisht dorën. Ndërkohë që më sheh më thotë diçka. “Ajo po flet në tatarishte”, thotë Browni. “Nuk e di çfarë është duke thënë“. Minizaitunja kthen kokën drejt makinës fotografike ndërkohë që Addario fillon shkrepjet. Në derë është Kasimi, i cili kujdeset për gruan, i cili e sheh skenën nga larg dhe buzëqesh. Gruaja e tij, e cila quhet Alija, tërheq një fotografi të madhe nga një sirtar plastik dhe ia kalon gruas së vjetër. Është një foto e një ushtari dhe gruaja e mban atë para saj. Është portreti i burrit të Minizaitunjës, i cili vdiq në vitin 1943 në Ukrainë gjatë luftës.
Kjo foto është bërë 70 vjet më parë me atë burrë tërheqës dhe aq të ri dhe me këtë zonjë që tashmë është 102 vjeç. Por, mesa duket nuk i intereson shumë. Qëndron ulur krenare me fotografinë e burrit në dorë. Duhet të jetë e çuditshme edhe për të birin. Ai është 80 vjeç, më shumë se dyfishi i babait të tij kur vdiq. Kasimi ka jetuar gjithmonë në fshat, që në kohën e Bashkimit Sovjetik ishte një fermë kolektive. Ai na tregon se atje ka punuar si marangoz edhe nëna e tij ka punuar tërë jetën. Minizaitunja murmurit diçka. Djali drejtohet drejt saj. “Ai thotë se tashmë ajo është shumë e vjetër për të punuar, nuk ka më forcë“. “Çfarë pune bënte?”. “Ajo ka punuar në fermën kolektive. Milte lopët dhe bënte edhe punë të tjera”. Alija hyn në dhomën e ndenjes dhe na fton në tryezë. Ndërsa ne ishim atje, ajo kishte përgatitur diçka: në tryezë ndodhen disa vazo me reçelra të ndryshëm. Ka vetëm dy karrige dhe nuk ka asnjë mënyrë për të bindur të zotët e shtëpisë që të ulen. Gruaja derdh çajin, burri mban një qese të madhe me karamele. Duke parë që unë hezitoj të marrë, ai tërheq tre dhe i lë ato pranë pjatës sime. Një zë i hapave të ngadalshëm dhe delikat dëgjohet nga dhoma e ndenjes.
“Mbërrin babushka!”, thotë Alija. Disa sekonda më pas Minizaitunja shfaqet në prag. Djali e shoqëron atë në një shtrat tjetër, ku ajo ulet e shikon ndërsa ne hamë. Lindi në vitin 1915. Në atë kohë Rusia ishte ende një monarki dhe mbretëronte Nikolla II. Minizaitunja ka parë Perandorinë e Vjetër Cariste, Revolucionin, ngritjen dhe rënien e Bashkimit Sovjetik dhe tani Rusinë e re. Alija vë mënjanë pak bukë të freskët në një çantë, Kasim na jep disa qese me karamele dhe të treve na japin nga një shami të qëndisur. Edhe Minizaitunja ka një dhuratë për ne: një sapun për Brownin, dhe dy shalle për Addarion dhe për mua. “Të gjithë njerëzit me të cilët kam lindur janë të vdekur”, thotë ajo nga shtrati kur ngrihemi për të ikur. “Askush nuk ka mbetur”. Unë kurrë nuk shikoj askënd drejt në sy për më shumë se një minutë. Unë nuk dua të pushtoj hapësirën e të tjerëve dhe nuk dua që të tjerët të pushtojnë timen. Por, pasi kam shtrënguar duart miqve gjendem përballë kësaj gruaje që më shikon me vëmendje dhe mendoj se duhet t’ia kthej, madje kam detyrimin ta shohë në sy. Ata sy që e kanë parë botën në kohën e Carit dhe që ende e shohin sot, njëqind vjet më vonë. Ne shikojmë njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Në fillim ajo duket si e befasuar, dhe duket sikur e pyet veten se çfarë po bëj, më pas fillon të buzëqeshë dhe është kaq e mrekullueshme ajo buzëqeshje e cila menjëherë më pas, kur largohemi nga shtëpia, kam ende lot në sytë e mi.
Ditën e fundit udhëtuam 14 orë për të arritur në Ekaterinburg. Pak para mbërrijnë, në mes të një pyll rreth një orë nga qyteti, ndalem në breg një lumi dhe unë ndez një cigare nën qiell të hapur. Mendoj për atë që më pret të nesërmen. Vrasja e Carit dhe familjes së tij në një bodrum në Ekaterinburgut ishte një ngjarje tronditëse, një kopje e revolucionit francez. Por, ndoshta për Leninin ishte gjithashtu një çështje personale. Urrejtja për Carin që kishte ekzekutuar vëllanë e tij e konsumonte që kur ishte 17 vjeç. Nuk është e vështirë imagjinoni se kjo urrejtje personale e ka atë bërë edhe më të pamëshirshëm dhe të pakompromentueshëm.
Ditën tjetër në Ekaterinburg, e shohim një turmë njerëzish që u mblodh në një shesh, qindra njerëz që lëshojnë britma dhe ngrenë parulla. Kur ne kalojmë me makinë, ata kthehen për të parë. ”Për çfarë po protestojnë?”, pyet Addario. “Sot ka demonstrata në të gjithë vendin”, thotë Brown. “Në favor të një prej udhëheqësve të opozitës Aleksei Navalnyj, i cili është në burg. Dhe është edhe ditëlindja e Putinit“. “Me të vërtetë?”, pyes. Një moment më vonë e harroj këtë ngjarje, sepse jemi duke iu afruar Katedrales së Përgjakur, të ngritur në vendin ku përfundoi historia legjendare e Carëve. Në të vërtetë, kisha ofron një përvojë që është po aq e rëndësishme, për mua epike: një meshë autentike ortodokse. Falë romaneve ruse, dhe në veçanti veprave të Dostojevskit, për mua kjo përvojë është mbështjellë me një dritë altruiste të mëshirës, e cila ndriçon jo vetëm të parët dhe më të pasurit, por edhe të fundit dhe të varfëritë. Kuptova menjëherë që nuk do më hapej para meje asnjë vizion dostojevkan. Kisha ishte ndërtuar në stil tradicional, plot me kupola ndriçuese. Duke parë m’u krijua e njëjta ndjenjë e çuditshme që provova një herë në qytetin e vjetër të Varshavës, ku ndërtesat e lashta, të shkatërruara gjatë Lufta e Dytë Botërore, u zëvendësuan me kopje të papërlyera. Është si një lloj anomalie në hapësirë. Është e vjetër nuk është e vjetër , është e re nuk është e re. Por, atëherë ku jemi? 16 korrik 1918 – kështu thuhet – Cari dhe familja e tij zgjohen në mes të natës transferohen në një vend më të sigurt. Pasi i zbresin nga dhomat përkatëse çohen në bodrum, ku u thuhet të presin. Ata nuk kanë idenë e asaj që do të ndodhë, derisa shohim armën në kokat e tyre. Revolucionarët që formojnë togën janë amatorë, disa janë të dehur. Vijnë edhe të shtënat, kati mbushet me gjak, ajri është i trashë me tym, ndoshta ka britma dhe konfuzion. Disa njerëz në familje janë shtrirë në tokë, duke derdhur gjak, por ende gjallë, derisa dikush i jep fund me një të shtënë në kokë. Trupat i marrin dhe i nxjerrin jashtë qytetit dhe revolucionarët përpiqen për të bërë tiparet e panjohura me acid, përpara se t’i hedhin në një gropë miniere. Disa ditë më pas trupat zhvarrosen dhe u çuan në një pyll pranë t’u varrosur. Shtëpia është zhdukur, bodrumi është zhdukur, gjaku dhe trupat janë zhdukur. Por, Romanovët janë ende atje. Ata u kthyen në Katedralen e Përgjakur në formën e simboleve. Ato minuta të çmendura dhe të përgjakshme, dhe të gjitha ato që përfaqësojnë, janë të mbyllura në relikte që premtojnë të kundërtën: urtësi, rend, harmoni dhe balancë. Në hyrje të kishës gjendet një skulpturë e tërë familjes Romanov, në të njëjtin stili heroiko-realist i përdorur nga artistët sovjetikë për të treguar punëtorët në vitet 1920-30. Brenda kishës ka një seri ikonash në të cilat Nikolla II portretizohet në mënyrë mesjetare. Pothuajse çdo gjë në kishë duket se rrotullohet rreth një shtrembërimi. Cari dhe familja e tij u transportua në këtë mjedis dhe historia e tyre është zhdukur pa gjurmë. Ndërsa Leninin e balsamosën në mauzoleun në Sheshin e Kuq, trupi i tij është i vërtetë dhe i lidhur me këtë moment, por nuk ka asgjë në atë trup që e lidh atë me kohën e Revolucionit. “Historia është një makth nga i cili po përpiqem të zgjohem”, shkruan Joyce. Askund nuk është më e vërtetë se në Rusi.
Mëngjesin e ditës së nesërme, në Aeroportin e Jekaterinburgut, ndërkohë që pres që fluturimin për në Moskë, i hedh një sy lajmeve në telefon. Shikoj lajmin për minierën. Ka pasur demonstrata kundër Putinit dhe qeverisë në të gjitha qytetet kryesore ruse. Flitet kryesisht për manifestimet në Ekaterinburg, atë që pamë ndërkohë që shkonim në kishë. Janë arrestuar 24 protestues. Mendimi im i parë është se duhet të isha atje, se është nga atje që kalon historia, sepse atje do të kisha gjetur imazhin më të mirë të Rusisë moderne. Por pastaj mendoj: Jo, nuk është e vërtetë. Tregimet gjithmonë e kanë mbajtur Rusinë së bashku dhe ndoshta ajo që i bënë ata të ndryshëm nga historitë themeluese të vendeve të tjera është pikërisht natyra e tyre autoritare: ekziston vetëm një histori, dhe të gjithë ata që devijojnë nga versioni zyrtar ndalohen. Ishte kështu nën regjimin e Carit i cili censuroi librat dhe gazetat, kështu ndodhi edhe me Leninin dhe vazhdon edhe sot: në Rusi gazetarë burgosen herë pas here ose ndonjëherë edhe thjesht vriten. Por, edhe tregimet alternative, ato që autoritetet nuk duan të qarkullojnë, tregojnë rreth abuzimeve të pushtetit dhe shtypjes, të jetës nën një diktaturë ku çdo shpresë për të ardhmen është zhdukur, madje edhe historitë janë bërë të standardizuara. Ja si e thanë gazetat e huaja atë që ndodhi atë ditë: artikujt e tyre konfirmojnë dhe përforcojnë historinë e një populli të shtypur nga një shtet totalitar. Prapa këtij realiteti, megjithatë ekziston edhe një tjetër. Tri zonjat e lumtura në tren; Dina dhe Damiri; çifti Kazan me një fëmijë të ardhur; Sergej, shoferi kamionit; zonja shumë e vjetër e fshatit dhe çifti i të moshuarve që kujdesen për të. Cilat tregime mund të arrijnë të përfshijnë të gjitha këto realitete pa zvogëluar unikalitetin? Me siguri ato të Turgenjevit. Karakteret e tij nuk janë simbole të ndonjë gjëje, janë vetëm vetvetja. Por, bota ashtu siç është nuk mund të ekzistojë pa binjaken e saj, botën siç do të donim që të ishte. Lenini, shtypësi, lexoi Turgenjevin tërë jetën, dhe po ashtu Vladimir Putini e pranoi dashurinë e tij për “Kujtimet e një gjahtari” në një intervistë të vitit 2011 në të cilën ai tha: “Karakteri kryesor, në një mënyrë të thjeshtë, por piktoreske, tregon për histori të jetës së njerëzve që takon ndërsa shkon për gjueti. Tregojnë një portret të thellë të Rusisë te gjysma e shekullit të nëntëmbëdhjetë që na nevojitet si pikë fillimi, që na lejon të shohim vendin tonë, traditat e saj dhe psikologjinë e saj kombëtare nën një dritë e re”.
Në pasdite, në barin e një hoteli në Moskë, takohem Sergej Lebedevin, shkrimtar dhe gazetar 36-vjeçar, i cili në kohët e fundit është bërë një aktivist qytetar. Unë jam kurioz për të, aq sa jam edhe për shkrimet e tij, dhe jam i hipnotizuar nga historia e familjes së tij aq sa jam për njohjet që ata kanë mbi historinë kombëtare. E di që ai ka lindur në vitin 1981 dhe që është goxha i madh për të kaluar pjesën e tij më të madhe të fëmijërinë në Bashkimin Sovjetik dhe adoleshencën në vite kaotike për shkak të rënies së regjimit. Unë di gjithashtu që ai ka qenë gjeolog. “Kam lindur në një familje klasike sovjetike”, thotë ai. Pasi ne u ulëm në një tavolinë me pamje nga rruga. “Prindërit e mi ishin të dy gjeologë, i përkisnin inteligjencës sovjetike.“ Lebedev është i shkurtër dhe i stërmadhuar, me një mjekër të ashpër. Në të ka diçka të pathyeshme që më bën të mendoj për një kafshë që kur e kap prenë nuk heq dorë më. Lebedev më thotë se në adoleshencën e tij çdo gjë është projektuar në mënyrë të tillë për të mbajtur të fshehta pjesë të së kaluarës. Gjyshi i tij, për shembull, kishte qenë një njeri i ushtrisë cariste përpara se të lëvizte nga ana tjetër dhe të futeshin në ushtrinë e kuqe. “Ishte normale për mua”, thotë ai. “Kam jetuar në një botë të paplotë. Plot vrima. Me një seri të pyetjesh që nuk mund të bëheshin.” Ndoshta shumë kanë një histori të ngjashme me atë të Lebedevit, mendoj. Në të gjithë ne ekziston një mekanizëm që na pengon flasim për përvojat e këqija dhe na bën të ngurrojnë për të ringjallur të kaluarën. Identiteti ynë është i bazuar në historitë, në historinë tonë, në historinë e familjes tonë, mbi historinë e popullit tonë dhe të vendin tonë. Çfarë ndodh kur një nga këto histori, identitetet nuk përshtaten me realitetin? Papritmas ne nuk jemi kush menduam se ishim. Dhe pastaj kush jemi ne? Unë e pyes atë se cili është tregimi dominues në ditët e sotme në Rusi. “Është shumë e çuditshme”, përgjigjet ai. “Para së gjithash, është e rëndësishme të kuptoni se autoritetet nuk ndjekin një linjë të vetme, ideologjinë koherente. Ata përdorin elemente nga fusha të ndryshme: nëse diçka funksion, ata e marrin atë. Merrni për shembull emrin e partisë ‘Rusia e Bashkuar’. Fjalët ‘Rusia e Bashkuar’ ishte një slogan i kundërrevolucionar i shpikur në reagimin ndaj Leninit dhe bolshevikëve, të cilët donin të ngrinin republika të reja të afta për t’u vetëqeverisur. Administrata aktuale po ndërton një shtet që është themeluar mbi bazën e nostalgjisë për Bashkimin Sovjetik, por nuk bën asnjë problem për të marrë në posedim një slogan kundërrevolucionar dhe kjo nuk shkakton asnjë polemikë.”
Lebedev vazhdon: “Çdo vit që kalon kërkojnë të zvogëlojnë rëndësinë e vitit 1917. Ata e bëjnë këtë sepse në versionin e tyre ideal të ngjarjeve nuk ka pasur asnjë revolucion. Ata janë duke u përpjekur për të ndërtuar një lidhje midis Carit dhe Rusisë të Stalinit. Sipas rrëfimeve të deritanishme, njëqind vjet më parë ne u nxitëm për të vrarë njëri-tjetrin, nga spiunë të huaj dhe tradhtarë. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Prandaj, duhet të qëndrojmë të bashkuar, të gjithë duhet ta vendosim veten nën ombrellën e Putinit, ne duhet të ndalojmë çdo kundërshtim, gjithashtu duhet të sakrifikojmë të drejtat tona civile sepse nuk duhet të ndodhë më. Gjërat janë pak a shumë kështu.”
Pas intervistës, kalojmë qytetin dhe arrijmë në Kremlin. Rrugët janë plot me njerëz, qielli është i kaltër dhe i qartë. I shoqëruar nga Lebedevi, arrijmë përpara Teatrit Bolshoi. Sheshi përballë fasadës së mrekullueshme neoklasike është plot me autobusë dhe agjentë të policisë. “Policët në marshin e trazirave”, shpjegon Lebedev. “Dje ishte një demonstrim, ata janë të shqetësuar, duan të sigurohen se asgjë nuk ndodh “.Turma endet midis sallave të gjërave për të ngrënë dhe për të pirë. Atmosfera është e gëzuar, njerëzit qeshin me shaka, dielli shkëlqen në fytyrat e tyre. Nën sfondin e bukur të kaltër të qiellit duken të instaluara dhe kullat e Kremlinit. “Është festivali i korrjes”, thotë Lebedev. “Tipike e Putinit dhe e kësaj qeverie. Ata investojnë në ngjarje jopolitike dhe në vendet e grumbullimit publik si ky. Këtu flasim vetëm për sheqerka. Ata po përpiqen të trillojnë tradita të reja, qëllimi është të vënë në dukje pasuritë e Rusisë.”
Vazhdojmë të ecim në “Sheshin e Revolucionit”, që në kohen e Carit u quajt “Sheshi i Ringjalljes.” “Siç mund ta shihni këtu, nuk ka gjurmë të Revolucionit”, thotë Lebedev. “Përvjetorët praktikisht ne nuk i festojmë dhe sigurisht nuk flitet për dhunën dhe mizoritë që janë kryer. Por, nëse doni të kuptoni se çfarë ka ndodhur në këtë vend në vitet 1920 dhe 1930, është e pamundur t’i injorosh dhunën dhe tmerret e pesë viteve midis viteve 1917 dhe 1921. Është e pamundur të kuptohet pse njerëzit ishin aq të shqetësuar për të vrarë njëri-tjetrin. Kishte një lloj lufte të kujtesës në Rusi, për atë që duhet të mbahej mend dhe çfarë duhej harruar. Sot historia është vetëm një çështje e simboleve, ne kemi humbur çdo lloj ideje të faljes reciproke dhe të ribashkimit”. “Por do ta shihni tani që do të hyni këtu”, thotë ai, duke treguar hyrjen në një stacion metroje. Ne ngjitemi në një shkallë lëvizëse të pjerrët dhe të gjatë, dhe në botën nëntokësore ku po shfrytëzojmë transportin duket se koha është ndaluar. Në muret e metrosë, në disa platforma ndodhen disa statuja bronzi të figurave të njohura heroike. E para sjell një pushkë dhe një fishek: është një nga revolucionarët. Pastaj vijnë njerëzit e zakonshëm, burrat, gratë, pleqtë dhe të rinjtë, fermerë, peshkatarë e punëtorë. Pamja e mrekullueshme magjepsëse përfundon me një fëmijë të ngritur nga një i rritur, simbol i të ardhmes. Është kaq e mbushur me shpresë dhe besim sa fakti që është një punë propagandistike nuk kanë rëndësi, sepse ne po përballemi me një vizion të jetës, të një toke, të një të ardhmeje dhe nuk ka asgjë të rreme. Vetëm bukuri. Ky ishte edhe Revolucioni: ëndrra e një jetë më të mirë për të gjithë. I gjithë arti i asaj kohe vibron nga një energji dhe optimizëm i egër si ai i idesë së një fillimi të ri.
Gratë janë të parat në rresht, jo si objekte seksuale, por në tërësinë e tyre. Artistët eksperimentuan: është epoka e Majakovskit, Ajnshtajnit, Kandinskit. Por është gjithashtu një epokë e vdekjes, dhunës, brutalitetit, urisë, ngushtësisë, mjerimit dhe me kalimin e kohës, të një sistem që sklerotizon dhe mbyll dyert e botës për të bllokuar nga të vërtetat e saj. Stacioni i metrosë në Sheshin e Revolucionit është vendi më i bukur që kam vizituar gjatë udhëtimit tim në Rusi, por këtë herë bukuria nuk mund të vihet në përdorim në asnjë mënyrë, sepse ajo është e lidhur me një koncept të realitetit në të cilin askush nuk beson më dhe për këtë arsye nuk mund të realizohet kurrë.
Jo për këtë, megjithatë, kjo është një gënjeshtër. Është një gënjeshtër statuja e Carit në frontin e Katedrales së Përgjakur, sepse manipulon të kaluarën. E megjithatë skulpturat e metrosë së Moskës duhet të ndryshonin të ardhmen. Pastaj fakti që e ardhmja e imagjinuar nuk erdhi kurrë, nuk u realizua, nuk e bën të rremë këtë vizion nëntokësor e bënë vetëm të vakët dhe të bukur. Dhe pak gjëra janë më të bukura se shpresa e vakët.
Karl Ove Knausgard është shkrimtar nga Norvegjia, autor i një autobiografie në gjashtë vëllime, “Beteja ime”, botua në Itali nga Feltrinelli. Ky artikull është publikuar në “New York Times”. Teksti u përkthye dhe u përshtat nga Valmira Dalipi, ndërsa për herë të parë në shqip u publikua në portalin dritare.net.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje