LAJMI I FUNDIT:

Repertor i ngjeshur i DokuFestit

Repertor i ngjeshur i DokuFestit

Të shtunën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër- DokuFest 2009 u rishfaqën filmat dokumentarë, "Voices From el Sayed", "12 Notes Down", "Lessons From the Night", "Bronx Princess" dhe në vijim në Shtëpinë e Kulturës u shfaqën filmat shkurtër të shkollës Sam Spiegel Film School nga Izraeli, mes tjerësh u shfaq filmi "Tolya" me të cilin publiku prizrenas ishte njoftuar një vit më parë.

Paralelisht, në kino Lumbardhi u shfaq premiera e filmit dokumentar Kosovar Muri i kaltër, dera e kuqe e regjisorëve Yll Çitaku dhe Alban Muja. Regjisorët ishin të pranishëm në sallë dhe pranuan pyetje nga publiku. Në vijim u shfaqën gjashtë filma të shkurtër kosovarë, mes tyre një film në gjuhën turke, “Dilema”.

Ndërkohë, në Hamamin e Mehmet Pashës, u mbajt prezantimi i Ballkan Documentary Centre me qendër në Sofje, qendër kjo të cilën e prezantoi vijuesja e rregullt e Dokufestit, producentja Marichka Bozhilova. Më pas regjisori Boris Despodov prezantoi Master Class të bërjes së filmit “Korridori 8”, i cili e kishte mbyllur edicionin e vjetshëm të festivalit.

Të shtunën u mbyll edhe programi i DokuKids ku u shfaqën rreth 30 filma të animuar dhe për fëmijë.


Në repertorin e mbrëmjes ishin filmat “Left Behind” nga Gjermania, filmi maqedonas “Cash&Marry, Lost Songs of Anatolia” që i mbushën sallat e kinemave të hapura të Prizrenit me artdashës të filmit.