LAJMI I FUNDIT:

Reformimi i sistemit gjyqësor – i domosdoshëm për integrim në BE

Shoqërinë kosovare po e presin reforma po thuajse në të gjitha sferat institucionale, por reformat me hapa të shpejtë duhet filluar, vazhduar dhe përfunduar në sferën e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit e sidomos në sferën e sistemit gjyqësor, sepse këto janë parakushtet për integrim në Bashkimin Evropian

Ndryshimet themelore që duhet të bëhen në sferën e sistemit gjyqësor, janë kërkesat më të shpeshta si nga vetë shoqëria kosovare, po ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare, këto kërkesa siç po duket janë mjaftë të vështira të përmbushen për institucionet kosovare, sepse siç dihet të fillosh reformat në një sferë të caktuar është një punë mjaftë e vështirë dhe e ndjeshme, e cila kalon nëpër një proces të vështirë, e sidomos kur është fjala për sistemin gjyqësor, madje një mendimtar i njohur thotë se “reformat janë të dhimbshme”. Reformat në sistemin gjyqësor duhet të vazhdojnë me një përkushtim sa më të madh dhe me një seriozitet të lartë, sepse pa reformimin e mirëfilltë të sistemit gjyqësor nuk do të ketë as reformim të mirë në sistemin ekonomik dhe atë politik të vendit.


Shikuar nga këndvështrimi i organizimit të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës, funksionimin e institucioneve në mënyrë të mirëfilltë dhe a po munden t’i kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve/shtetasve të vet, del se pakënaqësitë më të mëdha janë të adresuara ndaj sistemi gjyqësor, për arsye se pikërisht në sistemin gjyqësor i cili përfshin të gjitha instancat e gjykatave, prokurorive, po ashtu edhe avokaturën, janë duke u shkelur të drejtat elementare të qytetarëve (shtetaseve), ku këtu shpesh kemi vonesa të panevojshme dhe të paarsyeshme të proceseve gjyqësore, injorime nga më të ndryshmet, si nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, e sidomos edhe nga avokatët. Po ashtu ka edhe lëshime të mëdha profesionale, të gjitha këto janë në kundërshtim me atë që thuhet se kanë filluar reformat në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës. Për ta vërtetuar këtë mjafton të vizitohen gjykatat dhe prokuroritë dhe të shihen raportet e monitorimit të organizatave të ndryshme, sidomos raporti i fundit i BIRN-it mbi monitorimin e sistemit gjyqësor dhe Raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.

Nëse e shikojmë nga këndvështrimi i krahasimit me shtetet për rreth nesh, se si qëndron gjendja me sistemin gjyqësor të tyre, del se përsëri sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës është mbrapa në shumë aspekte, sidomos në funksionalitet, efikasitet, profesionalizëm, pozitë materiale të punonjësve të sistemit gjyqësor dhe kushte infrastrukturore. Për shembull Republikës së Shqipërisë i është dashur të investojë më shumë se dhjetë vite rreth sistemit gjyqësor për të arritur një nivel të pranueshëm sipas standardëve të mira ndërkombëtare, ku prapëseprapë i mbetet edhe shumë kohë për ta arritur nivelin e kënaqshëm të reformimit total të sistemit gjyqësor, sepse hyrja në BE kërkon një gjyqësor të pavarur totalisht, funksional dhe efikas ne ushtrimin e veprimtarisë së tij.

Është e pamundur të ketë sukses reformimi i sistemit ekonomik, shëndetësor dhe arsimor, nëse nuk kemi një reformim të mirëfilltë të sistemit gjyqësor, sepse atëherë nuk do të ketë zbatim të ligjeve, kur nuk do të ketë zbatim të ligjeve, nuk mund të ketë funksionim të sistemit ekonomik, shëndetësor dhe arsimor… etj. në nivelin çfarë kërkojnë standardet evropiane.

Nëse institucionet tona nuk punojnë me seriozitet të lartë për t’i përmbushin kërkesat që dalin për integrime evropiane për nivelin e nevojshëm të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, reformimin e sistemit ekonomik, shëndetësor, arsimor dhe sidomos atij gjyqësor, forcimin e sundimit të ligjit dhe të dalin me rezultate konkrete për arritjen e sukseseve në reformimin e këtyre sistemeve, atëherë vështirë se do t’i bindim institucionet e BE-ës për të na përkrahur për tu ber pjesë e këtij bashkimi të shteteve. BE-ja dhe zyrtarët e lartë të saj kohëve të fundit janë në mëdyshje sa i përket politikës së zgjerimit në pjesën juglindore të Kontinentit, sepse janë tejet të pakënaqura me zgjerimin e fundit që është bërë, sidomos me aderimin e dy shteteve nga kjo pjesë e Kontinentit, Rumanisë dhe Bullgarisë. Që të dyja këto shtete nuk kanë arritur të jenë në hap me shtetet tjera anëtare, sa i përket luftimit të korrupsionit në administratën shtetërore, krimit të organizuar, keqpërdorimit të buxhetit shtetëror dhe subvencioneve të BE-së, lidhur me forcimin ekonomik dhe sistemit gjyqësor të tyre. Në këtë drejtim BE-ja ka një praktikë jo të mirë sa i përket anëtarësimit të shteteve nga kjo pjesë e Kontinentit.

Nëse këtij skepticizmi të zyrtarëve të lartë të BE-së ia shtojmë edhe atë se çfarë i ofron Kosova aktualisht BE-së dhe çfarë do t’i ofrojë në dhjetë vitet e ardhshme, atëherë rezultati del negative dhe shumë larg realitetit për të arritur një standard çfarë kërkohet të qenit anëtar i BE-së. E vetmja shans për momentin dhe minimum dhjetë vitet e ardhshme është që Kosova mund të jetë anëtare e BE-së me disa kufizime dhe mbikëqyrje nga ana e institucioneve të BE-së në reformimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor, në të kundërtën Kosova në asnjë mënyrë nuk mundet me qenë as në statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, aq më vështirë është kur kësaj ia shtojmë edhe problemin tjetër politik, kur dihet se Kosovën si shtet ende nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të BE-së, të cilat janë duke u përballur me problem e veta, si politike ashtu edhe ekonomike, si p.sh. Greqia e cila është duke u përballur me një krizë ekonomike dhe financiare.

Institucionet e Kosovës i pret shumë punë në ditët, muajt dhe vitet në vijim që të fillojnë dhe vazhdojnë reformat në shumë sfera, e sidomos në atë të sistemit gjyqësor, sepse pa një gjyqësor të reformuar në aspekt të efikasiteti, funksionalitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së plotë, vështirë se Kosova do t’ia del me qen anëtar me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, atëherë shoqërinë kosovare po e presin reforma po thuajse në të gjitha sferat institucionale, por reformat me hapa të shpejtë duhet filluar, vazhduar dhe përfunduar në sferën e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit e sidomos në sferën e sistemit gjyqësor, sepse këto janë parakushtet për integrim në Bashkimin Evropian.

(Autori është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)