LAJMI I FUNDIT:

Refleksion mbi bisedën e bërë ndërmjet profesor Ilber Ortajly dhe studentit të ti

Refleksion mbi bisedën e bërë ndërmjet profesor Ilber Ortajly dhe studentit të ti
Ilustrim

Zhuljeta Kadilli

Një kolege më dërgoi këto ditë për të lexuar bisedën e një studenti me profesorin e tij në Turqi, Ilber Ortayli. E kisha lexuar shumë kohë më parë, por këtë radhë më ngacmoi diçka e brendshme për të reflektuar rreth kësaj bisede mjaft interesante dhe me shumë mesazhe. Profesorin e njoh nëpërmjet librave të tij, të cilat i kam lexuar me mjaft interes, madje dhe i kam referuar në pothuaj të gjithë botimet e mia për qytetin e Elbasanit gjatë periudhës osmane.


Për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar, po ua jap bisedën, tekstualisht, siç është botuar në origjinal. Biseda është treguar nga studenti i profesorit:

“Gjendesha në zyrën e profesorit që kisha më së shumti për zemër. Më pyeti:

‘Çfarë ke dëshirë të bëhesh në të ardhmen’?

‘Unë dua të bëhem intelektual’ – iu përgjigja.

‘Prej teje nuk del intelektual’ – ma ktheu.

Isha befasuar, pas pak me një ton zëri të mërzitur iu drejtova:

Megjithëse e kam marrë një herë lëndën tuaj, sërish vij e marr pjesë në mësim. Unë jam studenti që lexoj, hulumtoj dhe futem në diskutime më shumë nga të gjithë të tjerët në këtë fakultet …

‘Prej teje nuk del intelektual’!

Isha nervozuar shumë!

Edhe temat e punimeve të profesorëve, sërish unë ua sugjeroj.

Profesori u mbështet pas kolltukut dhe duke buzëqeshur shtoi:

‘Prej teje del një studiues shumë i mirë, por jo një intelektual. Sa për arsyen, kur unë të thashë se: ‘Prej teje nuk del intelektual’, në vend që të më pyesje se ‘Përse?’, ti u nervozove dhe u pezmatove. Të shkruarit lidhet me dijen, ndërsa intelektualizmi nuk është çështje e dijes, por e të sjellurit. Që një person të dalë intelektual i mirëfilltë, familja e tij duhet të ketë lexuar për tri breza me radhë. Hidhi sytë e shih pjesën e përparme të fakultetit. Është e mbushur me makinat e modeleve të fundit; të gjitha iu përkasin profesorëve. Çdo vit ata ndërrojnë makinat duke marrë modelin më të ri në treg. Vallë, a kanë vërtetë nevojë për diçka të tillë? Përse ata bëjnë një jetë të tillë. Sepse sado të larta qofshin titujt akademikë të atyre profesorëve, në fakt shpirti i tyre mbetet veçse një fshatar feudal. Ata janë të detyruar të sillen në këtë mënyrë veç për t’iu imponuar të tjerëve titullin që mbartin. Një intelektual i vërtetë kurrë nuk mbart një mentalitet të tillë. Ndërsa fshatarëve feudalë që hiqen si intelektualë nuk u mjaftojnë as diplomat. Ashtu sikurse edhe paratë’”.

Si mbarova së lexuari mendova, a qaset kjo me realitetin tonë në Shqipëri? Në Turqi paska të paktën studiues, apo dhe studentë që aspirojnë për studiues, pse jo edhe intelektualë siç është prof. Ilber Ortayli apo edhe të tjerë. Ky është shkaku që Turqia në shumë fusha, përfshirë edhe arsimin, është shumë, shumë më përpara se ne. Dhe, ne jemi shumë më prapa se Turqia apo edhe vende të tjera, qofshin këto edhe të Ballkanit Perëndimor. Në mjaft raste ne përpiqemi që ta gjejmë shkakun e prapambetjes te sundimi osman pasi, sipas nesh, Perandoria Osmane ka qenë e prapambetur, prandaj dhe ne jemi kështu. Mbase në raport me Evropën Perëndimore edhe mundet, por Turqia pas vitit 1830 ka ditur të bëjë reforma të cilat e bënë të ecën përpara, të zhvillohet në degë të ndryshme të ekonomisë, arsimit, shkencës etj. Intelektualët e vërtetë në Perandorinë Osmane e kuptuan se me regjimin autokratik të Sulltanit nuk mund të ecej më dhe filluan përpjekjet në këtë drejtim. Ata e donin vendin e tyre dhe bënë më të mirën për të.

Reformat që u kryen pas vitit 1830 prekën në radhë të parë administratën qendrore dhe administratën lokale. Edhe pse disa nga këto reforma duket sikur prekën formën, në të vërtetë ato bënë një ndryshim rrënjësor të mendësisë, me një transformim të ndjeshëm të strukturave dhe ecurisë së shtetit, që preku jo vetëm njerëzit, por edhe zakonet, madje edhe vetë vizionin për shtetin. Reformatorët kishin ide të qarta mbi reformat që duheshin bërë, ata njihnin mirë dobësitë e sistemit osman, gabimet që duheshin ndrequr dhe çështjet që kishin dalë për t’u zgjidhur. Mbi të gjitha, njihnin mirë modelet evropiane të funksionimit të shtetit.

Zbatimi i reformave do të varej nga puna e zyrtarëve, të cilët duhej të ishin të aftë t’i kuptonin dhe zbatonin ato. Mirëpo, deri në atë kohë nëpunësit e administratës osmane dilnin nga ulematë të cilët merrnin vetëm mësimet që u jepeshin nëpër medrese apo në shkollat e Sarajit. Kjo shkollë dhe kjo përgatitje dukej e pamjaftueshme dhe e papërshtatshme. Prandaj, ishte e domosdoshme të krijohej një sistem tjetër përgatitjeje, një sistem tjetër arsimor i çliruar nga traditat dhe nga peshat e vjetra. Vetëkuptohet se as me dhjetë e as me njëzet vjet nuk mund të ndryshohej një administratë e kapur fort pas traditave dhe shthurjes së saj. Aq më tepër, nuk mund të reformohej një sistem arsimor i cili nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’u hapur dhe për t’iu përshtatur niveleve të reja të dijes.

Sidoqoftë, reformat filluan dhe shtysa për to u bë edhe shtypi. Po futej kudo një mendësi e re e cila promovohej edhe nga shtypi që po rriste tirazhin me ritme të mëdha. Lëvizja reformuese e filluar në fillim të viteve 1830 u kurorëzua me institucionalizimin e reformave më 3 nëntor 1839. Reformat nuk ishin gjë tjetër, veçse pjesë e Iluminizmit global, pjesë e tërësisë së projekteve që kërkonin organizimin e ekonomisë dhe shtetit mbi parime të reja që përshtateshin me zhvillimin e kapitalizmit, avancimin teknologjik dhe përparimin e globalizmit. Në fakt, këto nuk e shpëtuan Perandorinë nga rënia, por e çuan shumë përpara. Dhe, ajo që me të vërtetë e futi Turqinë në rrugën e progresit ishin reformat e Mustafa Qemalit në vitin 1925, të cilat ishin të guximshme. Intelektualët u vunë në krye të lëvizjes reformuese dhe fituan. Turqia nuk pati zhvillime të mëvonshme politike të cilat mund të ndërprisnin këtë ritëm. Mbase edhe atje mund të ketë pasur ndonjë devijim, por baza e themeli i zhvillimit u ruajtën. Ky mund të jetë çelësi i suksesit.

Po ne në Shqipëri çfarë bëmë gjatë kësaj kohe?

Në vitin 1830, kur Turqia filloi reformat e guximshme për përparim, ne ishim të përfshirë në anarkinë feudale, anarki e cila çoi në konsolidimin e familjeve të mëdha. Në vitet 1840 filloi te ne periudha e Rilindjes Kombëtare, me kërkesa për gjuhën dhe kulturën kombëtare. Ndoshta ishin vërtet kërkesa të vogla, të padiskutueshme, por për ne ishin thelbësore për formimin e kombit dhe ekzistencën e tij. Filloi fuqishëm lufta për përhapjen e gjuhës shqipe, arsimit shqip, kulturës e traditave vendase. Së bashku me këto u zhvillua edhe lëvizja politike, e cila përfundoi me Shpalljen e Pavarësisë. Edhe gjatë kësaj periudhe u formua një elitë intelektuale, e cila e vuri veten në shërbim të atdheut. Ishin Rilindësit të cilëve për kontributin e tyre u jemi mirënjohës. Ata vunë gjithçka në shërbim të atdheut, dashurinë, ndershmërinë, pronën, pasurinë etj.

Pas Pavarësisë, veçanërisht në vitet 1920-’30, me gjithë prapambetjen e madhe ekonomike, në Shqipëri zhvillimi kulturor bëri hapa përpara. Shqipëria si vend evropian ndjeu nevojën e oksidentalizimit dhe eci drejt tij. Tashmë po formohej një shtresë e re intelektuale, me ideale kombëtare e progresive. Ata punuan me përkushtim në shërbim të atdheut, dhanë dijen dhe shpirtin e tyre për Shqipërinë. Falë përpjekjeve të këtyre intelektualëve dhe forcave të tjera përparimtare e sidomos të inteligjencës në këtë periudhë, u krijua një situatë e favorshme për zhvillimin e kulturës, si në mendimin filozofik, politik e shoqëror, kulturën popullore, letërsi, art, arsim, botime etj. Mbase nuk ishin të mjaftueshme, apo të krahasueshme me vendet e tjera evropiane, por sidoqoftë ishin një fillim i mirë shprese për të bërë përpara. Nëse nuk do të kishin ndodhur dy ngjarje të mëdha në Shqipëri si Lufta e Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit komunist, Shqipëria me vizionin e zhvillimit të viteve ‘20- ‘30 do të ishte shumë ndryshe, madje edhe sot. Këtë e parashikuan edhe intelektualët e viteve 1930. Ata theksonin se: “Në Shqipëri nuk duhej të ndodhnin tronditje të thella shoqërore bolshevike dhe vendi duhej të ecë në rrugën e progresit”. Luftës shkatërrimtare të klasave intelektualët e kohës i kundërvinin solidaritetin shoqëror, që do të krijohej me anë të zhvillimit kulturor e shpirtëror. Ata gjithashtu kritikonin me ashpërsi marksizmin si doktrinë të gabuar, jo reale e destruktive, të importuar në Shqipëri nga Rusia. Pikërisht kjo doktrinë u përhap dhe u zhvillua në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e regjimit komunist më 1944.

Pasi morën pushtetin, komunistët marshuan fitimtarë, e nisën drejtimin e vendit prej tyre me eliminimin e elitave të vjetra, segmenti më i gjerë i të cilave u diskreditua gjatë luftës me pretekstin e bashkëpunimit me autoritetet fashiste dhe naziste. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, përgjithësisht kjo elitë nuk u bë pjesë e Partisë Komuniste, por qëndroi në opozitë me të. Partia Komuniste menjëherë pas çlirimit filloi goditjen kundër elitës në Shqipëri duke e konsideruar si kundërshtaren potenciale politike kryesore. Ajo vinte nga shtresat e mesme dhe të larta të shoqërisë shqiptare. Ky segment ishte pjesa më e civilizuar e shoqërisë shqiptare dhe më e afta për të organizuar një opozitë efikase. Në Shqipëri nuk pati ndonjë qeveri rivale që të sfidonte komunistët. Më 1945 qeveria komuniste filloi arrestimet në masë të “kriminelëve të luftës” dhe kolaboracionistëve, madje u arrestuan dhe u nxorën në gjyqe publike ku dhe morën dënime nga më të rëndat. Familjet e klasave të larta dhe intelektualët po kështu u konsideruan si disidentë dhe u trajtuan pothuajse në të njëjtën mënyrë. Ky qëndrim dhe këto masa synonin të godisnin shtresën e intelektualëve, pasi mendonin që ato përbënin rrezik për komunistët në pushtet.

Paralelisht, ata nisën edhe krijimin e elitave të reja dhe rekrutimin e tyre nga grupet shoqërore që deri në atë kohë kishin qenë të përjashtuar nga jeta politike. Do të ishin këto segmente sociale, të futura rishtazi në aparatin e pushtetit, që do të shërbenin si shtyllat mbajtëse të autoritetit të PKSh-së për thuajse 45 vjet.

Regjimi komunist me Enver Hoxhën në krye, për interesa të tij, mbajti edhe një pjesë të vogël të intelektualëve të paraçlirimit. Kjo gjë atij i duhej për fasadë, por edhe për kontribut në fusha të ndryshme të shkencës dhe kulturës. Gjithsesi, ky grup i intelektualëve punonte në kushtet e një survejimi, kontrolli dhe presioni psikologjik të rreptë nga ana e pushtetit dhe organeve të specializuara. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve i rezistuan kohës, falë përgatitjes së tyre shkencore e mbi të gjitha integritetit të tyre moral dhe intelektual. Veçse metodologjia e punës së tyre ishin parimet Marksiste-Leniniste dhe mësimet e Partisë e të shokut Enver. Kjo ishte koha, ky ishte sistemi dhe ata e dinin këtë. Ata përballeshin me sfidat e sistemit, të cilat në jo pak raste i bënë edhe viktima të tij.

Pas përmbysjes së sistemit komunist në vitet 1990, cili është roli i këtij grupimi shoqëror? Ata u bënë pjesë e Lëvizjes Demokratike. Më së shumti, pjesë e kësaj lëvizjeje u bë ajo pjesë e intelektualëve të formuar në komunizëm. E para, sepse shtresa e intelektualëve të ardhur nga vitet e para luftës nuk ishte më. E dyta, fëmijët e tyre sistemi i la të pashkolluar, mënyrë kjo për ta eliminuar gradualisht këtë shtresë. Gjithsesi, kjo shtresë u përpoq të jepte kontributin e saj me aq sa mundi, por kaq. Mirë apo keq, këtë do ta vlerësojë historia.

Gjatë këtyre 30 vjetëve, mbase ka një pjesë të intelektualëve që janë aktivë në jetën shoqërore dhe politike te vendit, por kjo është shumë e vogël. Vetë shoqëria e ka lënë në hije këtë shtresë, pse jo dhe e ka anashkaluar. Në shumë raste intelektualët e vërtetë me dashje nuk janë bërë pjesë, pasi ata nuk janë pajtuar me disa platforma apo programe zhvillimi, me situatën kaotike për perceptimin e rolit të intelektualit. Në përgjithësi, shtresa e intelektualëve perceptohet më së shumti ajo e profesorëve të universiteteve. Dhe, me të drejtë, pasi më së paku i përket botës së librave të kërkimit shkencor dhe më në fund të prodhimit dhe përçimit të ideve.

Kur thuhet që universiteti është qendër e mbledhjes, përpunimit, përftimit dhe shpërndarjes së dijes, do të thotë se gjithë këto funksione i përmbushin profesorët, sepse në raport me dijen universiteti nuk është tjetër pos profesorët që janë pjesë e tij. Sepse dija nuk gjendet jashtë tek librat, por në gjenialitetin e ekzaltimit konceptual të të gjithë dijes së mundshme, siç përfytyrohet se është jeta e brendshme intelektuale dhe shpirtërore e dijetarëve; librat dhe bibliotekat pa dijetarët janë të padobishëm. Në këtë kuptim, si dijetar, çdo profesor është një qendër e interceptimit, kryqëzimit dhe përtëritjes së dijes dhe ligjërimit adekuat për ta manifestuar atë; çdo profesor është i tillë sepse prodhon ide dhe skema dhe zgjeron kufijtë e ligjërimit në gjuhën dhe kulturën të cilave u përket. Për profesorin, çdo dije apo ide e re është një mundësi potenciale që ai të ndryshojë gjithë mënyrën e tij të të menduarit. Profesorët janë bashkë. Profesori i ekspozon tezat e tij ndaj kolegëve, e ekspozon auditorin e tij ndaj shoqërisë, e ekspozon vërtetësinë e tij ndaj disponimeve mosmiratuese të studentëve. Vetëm kështu fisnikërinë dhe gjenialitetin ai jo vetëm do t’i rekomandonte përmes dijes që transmeton, por edhe përmes çdo çasti kontakti me të tjerët, përmes mënyrës së tij të të qenit. Për studentët, profesori nuk është thjesht zbatuesi i protokollit për të transmetuar tek ta informacionin për të cilin është kontraktuar, por edhe një këshilltar shpirtëror, nëse arrin më parë të ngjallë tek ta ndjenjat e mirënjohjes dhe nderimit.

Profesori nga nevoja për ta mbajtur gjallë auditorin me ligjërata të reja, nxitet që të përftojë teori të reja, por nxitet edhe nga jeta e tij mendore për të përftuar teori të reja, vërtetësia e parë e të cilave është sesa prodhojnë si efekt të dëshiruar anësor, ligjërata të reja për auditorin. A është në fakt universiteti vatër e intelektualizmit shqiptar sot? A janë kështu realisht profesorët?

Dëshira do të ma donte që të ishte, por a është realisht kështu?

Nga sa lexojmë e dëgjojmë, e shikojmë mendoj se përgjigjja anon më shumë nga jo. Universiteti nuk është kthyer në qendër të mirëfilltë të punës shkencore të nderit e dinjitetit shoqëror. Flitet për plagjiatura, për punë të pakët shkencore, për prodhim të pakët idesh intelektuale, për të mos thënë që mund të ketë profesorë që nuk studiojnë e kërkojnë fare, thjesht vegjetojnë. Sot në ambientet shoqërore po flitet për probleme të mëdha që shtrohen për diskutim, veçanërisht në fushën e albanologjisë, por në fakt janë të pakët ata profesorë që bëhen pjesë e diskutimit dhe ideve. Thjesht kundërshtojnë, por nuk japin ide të argumentuara shkencërisht. Ne kemi shumë profesorë, të paktën me letra zyrtare. Koha po tregon se nuk mjafton vetëm nxjerrja e kartonëve, ajo që tregon nivelin intelektual, por sjellja dhe idetë që prodhon. Këtë e vërtetojnë edhe udhëheqjet e disa doktoraturave, që vetëm të tilla nuk mund të quhen. Ato janë udhëhequr pa asnjë kompetencë shkencore, me gabime, plagjiatura, pa interpretime dhe pa ide, që vetëm profesorët nuk duhet t’i bëjnë, por fatkeqësisht janë bërë.

Akoma më e rëndë është kur flitet për veprime si, ryshfete, intriga, falsifikime, vjedhje të pronës intelektuale, korrupsion etj., që vetëm profesorëve dhe intelektualëve nuk duhet t’u përkasin. E papranueshme është sidomos në periudha zgjedhore në universitete, kur vetë profesorët bëhen pjesë e intrigave dhe baltës prodhuar skutave të errëta apo kafeneve për kolegët. Intelektualët dalin me platforma dhe ide, me diskutime të drejtpërdrejta. Për këtë kemi dëgjuar boll dhe jemi prezent në këto 30 vjet. Ka përpjekje për të përmirësuar disa problematika, por nuk e di si do bëhet. Mos vallë arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor kanë nevojë për reforma të thella, pse jo dhe të rishikimit të titujve akademikë? Këtë duhet ta shohin politikëbërësit. Veçse një gjë di të them, që duhen bërë. Nuk janë titujt dhe gradat ato që vlerësojnë realisht, mbase profesoratin po, por intelektualin jo. Është sjellja, produkti intelektual matësi dhe treguesi kryesor i saj. Është impakti në shoqëri me ide dhe integritet. Por se si matet produkti, është temë më vete, por mendoj se është edhe opinioni publik. Dhe në fund më duhet të pohoj, mos vallë është sistemi që e solli deri këtu nivelin e profesoratit? Sigurisht që po. Në shumë raste grupi e di edhe në se mund të kesh kartonë pa hesap se deri ku je, ndodh edhe e kundërta. Mbase këta kartonë e diploma kanë ndikuar në uljen e numrit të intelektualëve të vërtetë. Gjithashtu më duhet të pohoj se, në universitete ka profesorë dhe intelektualë të nderuar dhe vlerësuar, por janë shumë pak, madje shpeshherë edhe të papërfillur. Pavarësisht nga ky qëndrim, ata janë krenarë për punën e vlerat e tyre, ata janë intelektualë. Ata janë të vlerësuar nga studentët ndër breza, por edhe nga opinion publik. Për të pasur sa më shumë të tillë Universitetet duhet të hapen ndaj çdo ideje të re, ndaj studiuesve të vërtetë. Universitetet duhet të kenë një qasje tjetër.

Më së pari ndaj intelektualëve të mirëfilltë jo ndaj pseudointelektualëve. Ato duhet të jenë të hapura ndaj çdo prurjeje të re, kandidatëve të studiuar jashtë, realisht me cilësi, madje të ardhurit edhe të motivohen.

Kjo ndodh në shumë vende të botës. Nëse e them këtë, nisem nga fakti se ka një tendencë për t’iu vënë shpeshherë pengesa kësaj kategorie dhe intelektualëve të vërtetë. Nga se vjen kjo? Sigurisht nga kompleksi i inferioritetit.

Po çfarë janë tjetër intelektualët, përveçse të lexuar? Aristoteli quan intelektualë ata njerëz me virtyte që bëjnë pjesë në shkencë, art, punë mendore e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën. Në radhë të parë, intelektualët janë të ndershëm.

Njeriu i ndershëm jo vetëm që është korrekt, por më shumë se kaq. Ndershmëria buron së brendshmi. Korrektesa kushtëzohet nga faktorë të jashtëm, siç janë ligji, shteti etj.. Me dashje apo pa dashje korrektesa imponohet. Kurse ndershmëria është në ADN-në e njeriut, e ke ose nuk e ke. Intelektuali jep nga vetja për të mirën e shoqërisë dhe të individit, sidomos në rastet kur i takon, pasi kur nuk i takon është fare e papranuar për njeriun e ndershëm. Intelektuali në thelb është i ndershëm dhe fisnik. Ai nuk bën kompromise me parimet dhe me idetë e tij, ndihmon progresin e shoqërisë. Vetëm kështu, duke qenë të ndershëm, intelektualët tanë do të bëhen të besueshëm. Profesorët tanë të universiteteve nëse do të jenë intelektualë të vërtetë, duhet të formojnë studiues dhe më vonë intelektualë. Më së pari profesorët t’i mësojnë studentët të mendojnë e reflektojnë, e pastaj gjëja rrjedh natyrshëm. Duhet të pranojmë se jo vetëm universiteti përgatit intelektualë. Universiteti të jep dije, por jo domosdoshmërish të bën intelektual. Të bërët intelektual është një proces shumëdimensional, veç universitetit është shoqëria, familja, studimi individual, biblioteka, është edukimi dhe vetëdukimi etj., që ndihmojnë në këtë proces. Universiteti duhet të reformohet që të bëhet pjesë e formimit të elitave intelektuale. Le të shpresojmë se një ditë do të kemi intelektualë të mirëfilltë, për të cilët ka nevojë shoqëria shqiptare.

Në trend

Më shumë
Konfirmohen pesë skuadrat me të cilat Anglia mund të përballet në fazën tjetër të Euro 2024

Konfirmohen pesë skuadrat me të cilat Anglia mund të përballet në fazën tjetër të Euro 2024

Përfaqësueset
Stano tha se Kosova nuk e njoftoi BE-në me raport për sulmin në Banjskë, ambasadori Bajrami ia përmend të gjitha me data

Stano tha se Kosova nuk e njoftoi BE-në me raport për sulmin në Banjskë, ambasadori Bajrami ia përmend të gjitha me data

Lajme
Kishte ra në rrjetën e tyre dhe mendonin se kanë kapur peshk për darkë, doli të jetë peshkaqen gjigant – burri nga Australia e riktheu në oqean

Kishte ra në rrjetën e tyre dhe mendonin se kanë kapur peshk për darkë, doli të jetë peshkaqen gjigant – burri nga Australia e riktheu në oqean

Interesante
Franca mund të shkaktojë krizën e ardhshme të euros

Franca mund të shkaktojë krizën e ardhshme të euros

Gideon Rachman
U tha se ka kryer marrëdhënie me Ilnisën brenda Big Brother, flet Meriton Mjekiqi

U tha se ka kryer marrëdhënie me Ilnisën brenda Big Brother, flet Meriton Mjekiqi

Magazina
Arsyeja pse Danimarka përfundoi mbi Slloveninë përkundër pikëve dhe golaverazhit të njëjtë

Arsyeja pse Danimarka përfundoi mbi Slloveninë përkundër pikëve dhe golaverazhit të njëjtë

Përfaqësueset
Kalo në kategori