LAJMI I FUNDIT:

Reduktohet aktakuza kundër “Grupit të Llapit”

Reduktohet aktakuza kundër “Grupit të Llapit”

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka nisur të mërkurën procesi i rigjykimit të tre ish- luftëtarëve të UÇK-së, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, të cilët akuzohen për keqtrajtim, rrahje dhe torturim të popullatës civile në qendrat e paraburgimit në Llapashticë, Koliq dhe Bajgorë. Nga aktakuza është hequr akuza për vrasje të civilëve.

Kolegji i gjyqtarëve ka vendosë që ky proces të ngarkohet me aktakuzën e 30 qershorit të viti 2003. Kjo akuzë është reduktuar sipas së cilës trupi gjykues konsideron që kanë mbetur dhe do të procedohet pjesërisht pika 5, 8, 9 dhe 14-të e aktakuzës, tha avokati mbrojtës i Latif Gashit, Mexhid Syla.

“Sipas këtyre pikave ngarkohen për trajtim mbajtje në kushte johumane dhe jonjerëzore dhe torturë’, ka sqaruar avokati Syla.

I akuzuari Latif Gashi, ka paraqitur mbrojtjen para gjyqtarëve. Ai ka parafrazuar mbrojtjen e tij të mëparshme duke thënë se ndihet i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet nga trupi gjykues.


Mexhid Syla, avokat mbrojtës i të akuzuarit Latif Gashi, tha se trupi gjykues duhet të hedhë poshtë edhe këto pika me të cilat ngarkohen të akuzuarit, sepse nuk ka prova që mbështesin dyshimin se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Nesër para trupit gjykues pritet të dëshmojnë, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti. /rtk/