LAJMI I FUNDIT:

Reagojnë çamët: Regjistrimi i popullsisë çështje e brendshme e Shqipërisë

Reagojnë çamët: Regjistrimi i popullsisë çështje e brendshme e Shqipërisë

Partia çame për Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi të premten ndaj deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Gregory Delavekouras mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, duke theksuar se kjo është një çështje e brendshme e shtetit shqiptar.

Partia çame theksoi se shteti grek nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një çështje që i përket sovranitetit ligjor të shtetit shqiptar dhe shkelja e këtij sovraniteti, sidomos nga një shtet me shumë minoritete të panjohura, që nuk ka kryer kurrë regjistrim mbi baza etnike, përbën një përqasje tragjiko-komike të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Greqi.

“Regjistrimi i popullsisë është një procedurë që çdo shtet e ndjek dhe kryhet në mbarë botën çdo vit të dytë të dekadës. Pyetjet mbi përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore nuk përfshihen në pyetësorët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, përfshi shtete që kanë minoritete apo grupime të mëdha etnike dhe gjuhësore, si Greqia, Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Zvicra, etj”, theksuan zyrtarë të partisë çame, duke shtuar se në BE, nga 27 vende anëtare, vetëm përafërsisht 10 kryejnë regjistrimin mbi këto baza.

Partia çame propozoi nxjerrjen e rezultateve mbi kombësinë bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që është cilësuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian si një regjistër model, duke thënë se në bazë të këtyre të dhënave zyrtare, PDIU është e gatshme të votojë apo qoftë edhe të iniciojë çdo ligj në Kuvend për respektimin e të drejtave të minoritetit.


Partia çame tha se kjo do të shmangte regjistrimin nën kërcënimin e pensioneve që shumë shqiptarë marrin nga Greqia, kërcënimet për heqjen e lejeve të qëndrimit të mijëra shqiptarëve në Greqi dhe shmang pagesat në dorë që lobet greke po përgatisin në mbarë vendin.

PDIU i bën thirrje ministrit të Inovacionit të heq nga pyetësorët pyetje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të përparuar, aq më pak në një vend unitar si Shqipëria, që qarqe të huaja tentojnë ta paraqesin si multi-etnike. Shqipëria nuk është multietnike dhe nuk do të jetë kurrë e tillë, tha partia çame. /Telegrafi/