LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Ban Ki Moonit nuk është obligativ

Raporti i Ban Ki Moonit nuk është obligativ

Zyrtarët kosovarë i janë përgjigjur negativisht kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të 6-pikëshit. Raporti i Ban ki Moonit, sipas tyre, nuk është obligativ për Kosovën dhe dallon nga deklarata presidenciale e KS-së. Sipas lidershipit të Kosovës, dokumentet e vetme që do të implementohen në Kosovë, janë Kushtetuta dhe plani i presidentit Ahtisaari.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Serbisë drejtuar Kombeve të Bashkuara për fillimin e zbatimit të planit gjashtëpikësh, kryeministri Hashim Thaçi tha se raporti i Bani Ki-moonit dallon nga deklarata presidenciale e miratuar në Këshillin e Sigurimit dhe si i tillë nuk është obligues për institucionet e Kosovës që ta zbatojnë.

“Në raportin e Këshillit të Sigurimit është i përfshirë edhe 6-pikëshi, edhe 4-pikëshi kosovar. Ai dokument nuk është obligativ, ndërsa në deklaratën presidenciale ka një mesazh të vullnetit të mirë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të respektojnë vetëm Kushtetutën e vendit”, tha Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi tha po ashtu se vizita e një delegacioni ministror të Qeverisë së Serbisë që po realizohet në Kosovë, është bërë me dijen e Prishtinës. Ai tha se institucionet vendore kanë qenë të njoftuara nga autoritetet ndërkombëtare për këtë vizitë.


Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur t’i komentojë çështjet që ndërlidhen me Serbinë, por ai tha sot, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Irlandës, Brian Coëen, se Kosova po funksionon si shtet dhe po ndërton marrëdhënie bilaterale me shtetet tjera, ku ndër to është edhe Irlanda, si një shtet mik i Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri irlandez, Brian Coëen, tha se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si në planin e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të ndihmave që qeveria e këtij vendi do t’i ndajë për Kosovën.

Ai shprehu besimin e tij se pavarësisht raporteve të Kosovës dhe Serbisë, Kosova, në perspektivë, e ka vendin e vet në Bashkimin Evropian si një shtet i pavarur. /Radio Evropa e Lirë/