LAJMI I FUNDIT:

Ramushi lakmon Kupën

Ramushi lakmon Kupën

Sulmuesi kryesor i Dritës së Gjilanit, Ismet Ramushi, ka deklaruar se është i kënaqur me fitoren e fundit të skuadrës së tij kundër Fushë Kosovës me rezultat 5-2, në kuadër të xhiros së 13-të të elitës sonë të futbollit.

Gjilanasit pas kësaj fitore tashmë janë më të qetë, pasi që gjenden në pozitën e tetë me 16 pikë të tubuara.

Ramushi thotë se fitorja ndaj Fushë Kosovës është e rëndësishme. Ai mendon se Drita ka treguar lojë mjaft të mirë dhe e ka merituar fitoren kundër Fushë Kosovës.

Sigurisht se është një fitore e rëndësishme. Jemi shumë të kënaqur me fitoren. Kemi shfaqur lojë të mirë dhe e kemi merituar fitoren. Çdo fitore është e rëndësishme dhe shpresoj se do të vazhdojmë me formë të mirë edhe në ndeshjet e ardhshme, ka thënë Ramushi për KosovaPress.


Ai ka folur edhe për rikthimin e Arbnor Morinës në krye të bankinës së “bardh e kaltërve” të Gjilanit.

Me Arbnor Morinën kemi punuar edhe më parë. Ai është trajner i njohur për ne. Kryesia e ka parë të arsyeshme që ta rikthejë atë në klub dhe shpresoj se rezultatet tona më të do të jenë edhe më të mira, tha ai.

Sulmuesi korpulent i Dritës, mendon se synimet e skuadrës së tij janë mesi i artë i tabelës dhe trofeu i Kupës së Kosovës. Ramushi beson se skuadra e tij ka potencial t’ia arrij synimet e klubit.

Objektivat tona janë mesi i artë i tabelës dhe Kupa e Kosovës. Ne kemi skuadër të mirë dhe besoj se mund të arrijmë synimet e klubit tonë, ka theksuar Ramushi.

Ai beson se Drita do të jetë një skuadër solide në mesin e ekipeve elitarë të vendit tonë. /Kosovapress/Telegrafi/