LAJMI I FUNDIT:

Ramosaj kandidat i AAK-së dhe LDD-së për Prishtinën?

Ramosaj kandidat i AAK-së dhe LDD-së për Prishtinën?

Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë duke e shqyrtuar shumë seriozisht opsionin që të kenë një kandidat të përbashkët për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë. Sipas të përditshmes Kosova Sot, ky kandidat është nënkryetari i LDD-së, Berim Ramosaj.

Edhe pse këto dy subjekte (AAK, LDD) nuk janë të gatshme të zbulojnë zyrtarisht kandidatin e tyre për kryetar të Prishtinës, burime të besueshme të kësaj gazete nga radhët e LDD-së, kanë konfirmuar ekzistimin e “koalicionit në hije” mes këtyre dy partive – për të dalë me një emër të përbashkët në kryeqytet.

Sa i përket dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së, të cilat në koalicion mbajnë pushtetin në nivel qendror, nuk pritet shumë befasi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, potencon kjo gazetë, në garë për të parin e Prishtinës pritet të vendosë sërish kryetarin aktual të kryeqytetit, Isa Mustafa.


Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, pritet të kandidojë Ramadan Aviun – i cili, siç theksohet, ka dalë më se miri nga të gjithë kandidatët të tjerë në sondazhet brendapartiake që janë bërë. /Telegrafi/