LAJMI I FUNDIT:

Rama, gijotina dhe Teatri

Rama, gijotina dhe Teatri

Nga: Raimonda Shundi

Partizanët e teorisë së pavetëdijes, sipas Brehtit, vënë në dukje triumfalisht se arti nuk e “duron llogarinë”, sesi nuk mund të fabrikohet mekanikisht në tryezën e punës së marangozit. E kundërta ndodh me politikën që funksionon me tjetër mekanizëm. Këta dy armiq gjithmonë kanë patur dhe duhet të kenë përplasje e mosdakordësi, ndaj përdorin forma dhe përqasjet përkatëse në varësi të agresivitetit të sistemeve politike ndaj kësaj kategorie. Pavetëdija është ajo vatër e fshehur te çdokush, e cila shfaqet papritur, ashtu si rastësisht, çuditshëm. Ndjesitë të cilat lindin nga pavetëdija (nga ku edhe artistët në përgjithësi karikohen në referencat e krijimeve të tyre), mekanizohen duke u trajtuar si një e vërtetë krejtësisht banale: duke pasuruar çdo mendim origjinal që përmban në vetvete një element loje i cili është i endur në lidhje të shumëfishta, emocionale, lëvizëse, dinamike.

Por, teoricienët tanë të kthimit në pavetëdijes kanë parasysh jo këtë përqasje, por diçka tjetër. Ata këshillojnë të mos përdorësh kurrsesi arsyen dhe të drejtojnë te thesari i pasur i dijes së pavetëdijshme, që qenka detyrimisht më i pasur se ajo doza e vogël e varfër e dijes së vetëdijshme që ata e kanë organizuar vetë. Këtu nis edhe manipulimi apo përdorimi i unit tonë personal dhe atij kolektiv.


Strategjia tipike e qeverisë, dirigjuar nga artisti Rama, është forma tipike arbitrare centralizuese e përqendrimit nga vatra e nxehtë e konfliktit. Duke investuar gjatë mbi pjesën propagandistike e duke vënë në lëvizje mekanizmin e manipulimit të informacionit, ai hedh bujarisht armatën e gatshme për hipnozën kolektive. Ata thonë: “Nostalgjikët, militantët e opozitës, qytetarët e shumtë, shoqëria civile nuk duan një Teatër të ri”. Jo, nostalgjikët dhe përkrahësit e tyre duan që kjo godinë të mos shëmbet. Ky është thelbi i konfliktit. Teatri i ri ose jo… është një diskutim i dytë në një fazë po të dytë. I pari dhe ajo çka është problemi qendror në këtë konflikt, është mosshembja e godinës së vjetër dhe pikë.

Por, strategjia e hiles së shpërqendrimit të vëmendjes nga plaga në një lajm të ri arkitekturoro-artistik për qytetin, është kurthi i radhës për të çuar ujin në oqeanin e piketuar prej tyre. Një ndërtim i ri supermodern që banorët adhurues të të resë, duke shkelur mbi gërmadhat e së vjetrës, të revoltohen për palën nostalgjike që po ndal zhvillimin e qytetit etj. Ja tek nis konflikti, ja tek nis debati, ja tek nisën portalet pro apo kundër, ja tek lexohen skandalet e pakteve private dhe ja tek u realizua tejkalimi i vëmendjes që është shpërqendrimi i qëllimtë, rrjedhimisht… banalizimi i problemit mëmë. Nëse e bëjmë edhe më praktikë shkrimin.

Simptoma që lideri ynë aktual aplikon me lukun e kaq komentuar të tij (brekushe, atlete, kollare, këmisha, piktura) është loja e kalimit të vëmendjes nga nervi i problemit. Sapo na shfaqet skandali i radhës, ai hedh shashkën e stilit arkaiko-modern dhe vëmendja shkon tutje. Takimet alla Hoxha “Gju më gju me popullin” degradojnë në biseda konfidenciale për gruan e bukur, gruan trime që ia mbledh burrit, atë që se kishte njohur në të ri se do e bënte anëtare të partisë së tij… për të shpërqendruar temën e nxehtë që i djeg duart. Artistët vijojnë të mosdakordësohen për rrënimin e godinës së Teatrit, pasi artistit nuk i pëlqen manipulimi. Pjesa e manipuluar artin e ka kaluan në sekondare, pasi prioritarja ishte shumë herë më e fortë se ajo e pjesës emocionale. Pra, kjo sfidë ndau shapin nga sheqeri. Mjaft më me etiketime emrash që duan memorien e këtij qyteti. Mjaft më me dizinformime kriminale për një brez me shembuj të ftohtë si betoni i kudogjendur, apo raporte të ngërcosura. Mjaft na i shitët lajle-lulet dhe zhurmën si vlerat të zhvillimit. Si njerëzorë që jemi, i përkasim një kategorie ku vlerë i jepet emocionit, intimitetit… e duke qenë të tillë, memoria nuk i përket vetëm egos tonë. Duke qenë njerëz, na volit shumë më shumë nja oazë komforti që ka qenë aty shumë më shumë se të lindnim ne, se sa ai i zhurmës dhe kaosit që pjesa e çakërdisur e kësaj historie duan.

Lëvizja “Chipko” është legjenda e gruas indiane që u shndërrua në një nga protestat më unike duke mbrojtjen pemët nga prerja masive me trupat e tyre. Në vitet 1960, sforcimi i Indisë për zhvillim ekonomik bëri që politikat t’u jepnin prioritet biznesmenëve të huaj për të shpyllëzuar zonën. Krahinat e varfra rrëzë Himalajeve ishin objekti i shënjestruar për t’i kthyer në qendra të mëdha sportive. Burrat mundën të gënjehen nga oligarkët, duke i mbajtur gratë në shtëpi të mos pikasnin tragjedinë që po niste të ndodhte. Ato pyje mbanin më bukë jo vetëm familjet, por edhe bagëtitë. Në momentin që sharra nis të presë pemët e para, ndizet alarmi dhe rreth 27 gra vrapojnë dhe përplasen me agresorët me thonj (në Indi, “chipko” do të thotë “me gërry” – akt fizik që lidhet me teknikën e mbrojtjes instiktive; është një veprim i natyrshëm vetëmbrojtjeje, sado agresiv qoftë ai i kundërshtarit). Në fund, ato lidhin trupat e tyre me ato të pemëve, duke bërë që kjo masakër të mos realizohej kurrë.

Legjenda “Chipko” u kthye në lëvizjen më të fuqishme kundra shpyllëzimit dhe vijon të jetë edhe sot një realitet vigjilent për ata që guxojnë dhe shesin pasuritë natyrore për qendra betoni. Ndërsa ne kemi një histori Teatri vendosur në gijotinën e Ramës prej më shumë se 15 vitesh. Është i njëjti person që vijon të kërkojë vdekjen e tij, sidomos sot që e ndjen më shumë se kurrë veten të pushtetshëm mbi pasuritë tonë kombëtare. Legjenda jonë reale, ka një emër dhe fytyrë e cila prej vitesh po baltoset e fundoset nga ky fenomen në kufijtë e çmendurisë. Fenomeni tashmë ndërkombëtar “Kryeministri që shemb të vetmin Teatër”, po bën atë që asnjë nga skandalet e tij nuk e ka bërë, vetëdiskretitimin. Në protestën “Chipko”, një nga sipërmarrësit e zemëruar u thotë protestueseve: “Ju gra provinciale budallaçka, a e keni idenë se çfarë qarkullon në këto pyje? Rrëshirë, dru, dhe shumë valutë e huaj. Gratë u përgjigjen: Po, e dimë. Çfarë qarkullon në pyll? Tokë, ujë dhe ajër i pastër. Ndërsa sipërmarrësi ynë, Kryeministër, bën po të njëjtat pyetje. Përgjigja është aty. Qëndresë deri në fund.