LAJMI I FUNDIT:

Qeverisje e qelbur

RTK është shembull i keqqeverisjes, keqmenaxhimit, keqadministrimit (të gjitha këto me qëllim), si dhe shembull i korrupsionit dhe krimit publik (i organizuar shkëlqyeshëm). Punësimi pa asnjë hesap, pa asnjë kriter e prapavijë në përvojë e shkollim, që më vonë do të përçohet në secilën ministri dhe agjenci qeveritare, e ka sjell Kosovën në pikën ku qeverisja shtetërore të fillojë të qelbet përveç se të lëshojë rrënjë.

Flitet shumë për sistemin politik, për strukturën dhe profilizimin e partive politike, si dhe për mënyrën ose modelin e qeverisjes në Kosovë. Praktikisht, ato dy të parat e përcaktojnë, bile e paracaktojnë qeverisjen në Kosovë. Fajin për qeverisjen e qelbur dhe të kobshme zakonisht po e merr politika. Janë vet krerët dhe anëtarësia e partive politike (cilësdo parti) ata që ndikuan dhe po ndikojnë keqas në qeverisje, në administratë, menaxhim, administrim dhe pastaj në përgjegjësi dhe llogaridhënie, si dhe në produkt, që mungon, natyrisht.

Ndikimi fillon me punësime dhe pastaj vazhdon me kërkesat e vazhdueshme që paraqesin punëtorët e punësuar në këtë mënyrë. Ata, ose ato, duhet të mirëmbahen, t’u sigurohet rroga, trajnimet me mëditje, promovimi në pozita punuese sipas dëshirës, e çka jo tjetër. E kundërta, askush nuk kërkon asgjë prej tyre, asnjë rezultat pune, asnjë prodhim administrativ, asnjë llogari dhe aspak përgjegjësi. Bile, ka një numër të konsiderueshëm të “shërbyesve civilë” të cilët janë kontrabanduar në vendet e tyre të punës.


Por, pse unë i mbesë besnik temës së punësimit më të njofshëm? Sepse është sistem i kontrabanduar i qeverisjes. Sepse në mënyrë që dikush të zhvillohet, tjetri duhet të shkatërrohet. Ky është modeli qeverisës në Kosovë.

Në thelb, e tërë lufta për pushtet bëhet për të marr Qeverinë për të siguruar qeverisjen. Kështu, partitë politike vazhdueshëm konkurrojnë se kush do të ofrojë Qeveri dhe qeverisje më të mirë, cilësore, të organizuar, të administruar dhe menaxhuar mirë, me përgjegjësi dhe llogaridhënie. Sepse, në thelb, jo vetëm konfrontimet politike, por edhe jeta e secilit individ varet drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga qeverisja. Por, cilado parti që do të merr dhe do të udhëheq Qeverinë e ardhshme do të ballafaqohet me administratë të paaftë, të kontrabanduar, ku mungon vetia e krijimtarisë.

Qeveria e Kosovës, si formulë administrative e pushtetit, asnjëherë nuk arriti të krijojë administratë të mirëfilltë, por të ofrojë keqqeverisje të qëllimshme, bile të organizuar mirë. Dhe nga këtu rrjedh terminologjia dhe teoria e njohur e krimit të organizuar. E kur kësaj i shtohet edhe fakti që shpesh ministrat dhe kryeshefat nuk e njohin punën e vet, atëherë lëmshi administrativ bëhet edhe më lëmsh, ku shpesh mbijeton dhe përparon vetëm i forti, pra ai/ajo që ka krah politik. Ndërsa, shteti e shoqëria?

Sa për ilustrim, a e dini se cila është formula e arsyetimit e ministrave dhe e kryeshefave? Se edhe ata janë në ato pozita për interesa personale, financiare dhe familjare. Duke u nisur nga kjo praktikë, shtrohet çështja: kush është shefi këtu, pasi që shefi (ministri, kryeshefi) është aty për hesape të veta e jo të institucionit, të shtetit dhe shoqërisë.

Në fund, si rezultat i zgjedhjeve të ardhshme, lufta kundër korrupsionit, mirëqenia ekonomike, si dhe mirëqenia politike e qytetarëve do të varet nga qasja dhe ballafaqimi me administratën, nga fuqia mendore krijuese e punëtorëve në administratë. Praktikisht, me administratën e tanishme (qe dhjetë vjet) nuk po mund të bëhet asgjë. Secili tentim, për çfarëdo projekti, po del i humbur ende pa filluar. Duhet bërë ndërrime thelbësore.