LAJMI I FUNDIT:

Qeveria bën thirrje për investime në Kosovë

Qeveria bën thirrje për investime në Kosovë

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se problemet me furnzimin me energji elektrike, me të cilën po ballafaqohet aktualisht Kosova do të kalohen në një periudhë afatshkurtër dhe në vendin tonë muaj e ardhshëm pritet të ketë investime të huaja.

Këto komente ai i bëri në Samitin e Biznesit dhe Investimeve që është duke u mbajtur në hotelin Grand dhe që është organizuar nga ministria që ai drejton, ajo e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me European Finance Convention dhe Crimson Capital.

“Kjo është një ngjarje mjaft e rëndësishme për promovimin e potencialeve dhe mundësive të Kosovës për investitorët e huaj. Kjo konferencë po mbahet pikërisht në kohën e duhur. Kosova është e gatshme për ofrimin e mundësive të ndryshme të biznesit dhe posedon qeverisje të mirë”, tha ministri Shala në samit.

Sipas tij, Kosova së shpejti do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore dhe ka për qëllim që t’i bashkëngjitet edhe Organizatës Botërore të Tregtisë.


Kurse për problemin me energji elektrike që kanë bizneset Shala tha se nuk është problem vetëm i Kosovës, por i gjithë rajonit dhe se Qeveria e Kosovës është duke punuar lidhur me këtë çështje.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka ndarë një ditë më parë 84 milionë euro kredi për KEK-un, më qëllim stabilizimin e furnizimit dhe shpreson që ky financim të japë rezultate.

“Po mundohemi në një plan afatshkurtër që këto vështirësi të tejkalohen, rezultate pozitive presim të arrijmë në fund të verës apo të muajit tetor të këtij viti, ndërkaq në javët dhe muajt e ardhshëm do të kemi investime të shumta në Kosovë”, tha ai.

Në këtë samit po marrin pjesë edhe kompani ndërkombëtare si “Koc Group” nga Turqia, “Deutsche Bank”, “Enel Enel” nga Italia, “Pic” nga Austria, “Nomura Intl” nga Japonia, “Mçift” nga Afrika e Jugut, “Shearman & Sterling” nga Amerika, “Lydian” nga Britania e Madhe etj.

Edhe drejtori i USAID-it, Michael Farbman,tha se Kosova tashmë ka rregulluar ambientin dhe ligjet ekonomike për bizneset.

“Ambienti i mirë ekonomik është esencial për tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilëve ju nevojitet siguria për një ambient të rregulluar dhe ligjor ekonomik. Ju sapo e dëgjuat këtë nga ministri Zharku. Kosova ka fatin të ketë një legjislacion shumë modern, por tani shteti i ri duhet të dëshmojë se edhe e zbaton legjislacionin që ka”, tha ai. /Telegrafi/