LAJMI I FUNDIT:

Qeni në gjyq

Qeni në gjyq

Një qen është paraqitur në një gjykatë në Indi, i akuzuar për prishje të qetësisë. Policia në shtetin lindor indian, Biha ka kërkuar veprime të rrepta kundër qenit pasi që kishte kafshuar disa njerëz.

Qeni, me emrin Chhotu, ka pasur telashe me ligjin edhe më herët. Në vitin 2003, një gjyqtar ia kishte shqiptuar Chhotus dënimin me vdekje.

Fqinjët ishin ankuar se ai ishte çmendur dhe kishte kafshuar disa njerëz. Por aktivistët për të drejtat e kafshëve arritën të ndryshojnë vendimin e marrë nga gjykata.

Chhotu herën e fundit është paraqitur para gjykatës përplot njerëz në qytetin Purnea.


"Gjykata është detyruar të lëshojë një letërthirrje për qenin, sepse policia ka konstatuar se ai është një kërcënim për qetësin dhe ekziston frika se ai mund të krijojë një problem për rregullin dhe qetësinë publike", ka thënë zyrtari rajonal, Rajiv Ranjan.

"Përkundër pranisë së shumë njerëzve në sallën e gjyqit qeni nuk ka kafshuar e as lehur në ndonjë prej tyre", ka thënë avokati i qenit, Dilip Kumar Deepak, në mbrojtje të klientit të tij.

Rasti gjyqësor vazhdon dhe Chhotu është urdhëruar të paraqitet sërish në gjykatë më 5 gusht, së bashku me pronarin e tij, të venë e pafëmijë, Rajkumari Devi.

"Chhotu është mbrojtësi im i vetëm dhe unë e kam rritur sikur të ishte fëmija im", ka thënë ajo, duke shtuar se qeni i ka kafshuar vetëm ata persona të cilët kanë dashur të futen me dhunë në shtëpinë e saj.