LAJMI I FUNDIT:

Pse u përjashtua Kosova nga ENQA dhe cilat janë pasojat?

Pse u përjashtua Kosova nga ENQA dhe cilat janë pasojat?
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Sot, sistemi i arsimit të lartë në Kosovë e ka marrë edhe një goditje të rëndë nga një organizatë me reputacion ndërkombëtar. Fjala është për Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë – ENQA – që ka marrë vendim të mos e rinovojë anëtarësinë e Agjencionit Kosovar për Akreditim (AKA) të entiteteve të arsimit të lartë.

Për ata që nuk e dinë se çfarë është ENQA, po ua sjell shkurt një profil të saj. ENQA është asociacion që për qëllim ka të nxisë rritjen cilësisë së arsimit të lartë të vendeve anëtare, duke i mbështetur ato në shkallë vendi, si dhe duke u ofruar shërbime gjithëpërfshirëse dhe mundësi të rrjetëzimit me agjenci tjera anembanë Evropës. Misioni i organizatës është krijimi i një hapësire evropiane të arsimit të lartë në të cilën studentët do të kenë qasje në arsim cilësor dhe ku studentët mund të arrijnë kualifikime që respektohen në të gjithë botën.


Asociacioni cekë një numër shkaqesh që mbështesin vendimin e tyre për dëbim të AKA-s, por më të rëndësishmet kanë të bëjnë me një mospërputhje mes aktiviteteve të raportuara nga AKA dhe fakteve të mbledhura në terren; mungesë të resurseve njerëzore dhe financiare për ta mbështetur Agjencionin; mungesë e qartë e krijimit të mekanizmave formalë për krijimin e rutinave solide për kontrollin e cilësisë… Rekomandimet e bëra në vitin 2018 nuk janë implementuar fare nga AKA, e kjo është mungesë e qartë e asaj që quhet vlerësim i punës shkencore, akademike ose profesionale nga të tjerët që punojnë në të njëjtën fushë (peer-review experts). Këtu nuk duhet harruar as mungesa e publikimit të raporteve të AKA-s të cilat duhet të jenë me evidencë substanciale.

ENQA në mënyrë të veçantë kërkon nga AKA të shqyrtojë nga afër rekomandimin e panelit dhe të garantojë pjesëmarrjen e studentëve në vlerësimet institucionale dhe vlerësimet e programeve.

Si njeri, si akademik, si shqiptar, si kosovar… ndjehem i shqetësuar dhe i turpëruar për këtë vendim të ENQA-s. Kam frikë se ky vendim do përkeqësojë gjendjen në arsim si dhe do bëjë që një gjendje e tillë në arsimin e lartë të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.

Më e keqja është se duket sheshazi se asnjë forcë politike që ka qeverisur Kosovën deri sot nuk e ka pasur si qëllim të adresojë gjendjen në arsim. Në vend që fokusi jonë i investimit human dhe financiar të përqendrohet së pari në arsim dhe pastaj në shëndetësi e fusha tjera, politikanët akoma flasin për investime në autostrada. Dihet përse, ndaj nuk kam nevojë ta elaboroj këtë.

Në mënyrë të veçantë është shqetësues aprovimi i heshtur që i bëhet kësaj kaste politike nga ana e akademikëve dhe intelektualëve. Sot dëgjova se është rizgjedhur kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Çfarë na duhen neve organizmat akademikë të këtij tipi kur kurrë nuk u është dëgjuar zëri e kurrë nuk kanë folur për problemet e vërteta të kësaj shoqërie. Është e turpshme heshtja e tyre.

Personalisht kam bindjen se lirinë që e gëzojmë sot ne duhet atribuuar në mënyrë të veçantë gjeneratës së akademikëve dhe intelektualëve të viteve 1980-90. Ata kanë shërbyer si vetëdije e interesave dhe idealeve të shoqërisë. Gjenerata jonë e intelektualëve është shndërruar në shërbëtorë të klaneve mafioze politike, që për qëllim kanë të konsumojnë të ardhmen e shtetit tonë. Kjo është e turpshme.

Është koha e fundit që kësaj situate shthurjeje morale dhe politike t’i vijë fundi. Nëse kjo nuk ndodh shpejt, Kosova do të zbrazet nga ata që dinë dhe munden ta çojnë vendin aty ku duhet të jetë, në familjen e kombeve evropiane.

Roli i intelektualëve në këtë aspekt është fondamental.

(Autori studimet për master i ka mbaruar në Universitetin Kurt Bösch. Doktoratën e ka nga Universiteti i Londrës – Birkbeck. Momentalisht jep mësim në RIT Kosovo (A.U.K), ndërkaq më parë ka ligjëruar në institucionet prestigjioze arsimore, si Birkbeck, London School of Economics dhe University College London)