LAJMI I FUNDIT:

Pse na duhen investimet turke në Ballkan

Në bazë të të dhënave të CIA The World Factbook, deri në 2008, ekonomia Turke ka një rritje të madhe, e sidomos në kohën e fundit kishte një rritje mesatare prej 6%, ndërsa vetëm në vitin 2011 kishte rritje prej 8.2% . Si rezultat i kësaj edhe investimet e tyre jashtë vendit janë në rritje të sipërme, si dhe investimet e jashtme turke (rreth 1.5 miliardë dollarë ne bazë vjetore).
Dikush këto investime turke po i shikon nga prizmi ekonomiko-politiko-historiko- strategjik. Çka do të thotë se turqit janë të interesuar të investojnë në vendet, të cilat një kohë Perandoria Osmane i kishte nën kontroll. Por e vërteta është se investimet më të mëdha të Turqisë janë në Rusi, edhe atë rreth 1/3 e të gjitha investimeve të jashtme turke.

Një fakt është me rëndësi se shteti dhe shoqëria turke janë në një ekspansion ekonomik dhe politik të madh. Duke filluar nga roli i Turqisë në vendet Islame, gjithashtu edhe në rrafshin global ku mban hapin me ekonomitë apo vendet me rritjen më të madhe ekonomike (duke i marrë parasysh vendet që kanë popullatë mbi 50 milionë). Bizneset dhe biznesmenët Turq janë duke e rritur ndikimin e tyre global. Drejtori Gjeneral i Coca Cola-s Muhtar Kent është Turk, erdhi në këtë pozitë pas ekspansionit të Anadolu Efes në tregjet e reja, sidomos në vendet e ish BRSS-së. , Turqia i ka punët mirë me Amerikën, Rusinë, Kinën (rreth 20 Miliardë Dollarë eksporton në Turqi). Roli i Turqisë dhe ndikimi i saj në Ballkan, dhe në Lindjen e Mesme, lidhjen në mes të Evropës dhe Azisë, këtë ekonomi e bëjnë edhe më me ndikim.

Ekonomia e cila ka një përqindje të madhe të rritjes ekonomike dhe një ulje të përqindjes të papunësisë të konsiderueshme (në vitin 2011 ishte rreth 9.8%), me siguri se ka dhe do të ketë ndikim edhe në ekonominë apo funksionalizmin e Bashkimit Evropian.

Nëse miliona Turq vendosin ta lëshojnë Gjermaninë dhe të kthehen në Turqi ndikim më i madh negativ do të jetë në Gjermani se sa në Turqi. E nëse Gjermania është e dobët ajo do ta dobësojë edhe më shumë BE-në, sepse me rolin e saj të “lokomotivës” po i motivon edhe vendet e tjera evropiane, edhe pse po vendos standarde të larta. Gjermania tani më ka filluar t’i has problemet e para me mungesën e stafit të kualifikuar, e i njëjti sindrom do t’i prek edhe vendet e tjera të Evropës.

Kështu, nga viti 2015 pritet që Belgjika të ketë një valë të madhe të të pensionuarve, ku shumë vende të punës do t’i humbin, dhe për momentin njëra prej sfidave është se si të sjellin punëtorë të aftë për t’i zëvendësuar këto vende të punës.
Njëri ndër planet më serioze të Turqisë është në fushën e energjetikës. Planet janë që deri në vitin 2025 çdo vit të ndërtohen 2 centrale bërthamore për gjenerim të energjisë elektrike, si nevojë e madhe për ekonominë turke. Ky ndoshta edhe është fakti kryesor pse kompanitë turke të mbështetura nga qeveria janë në vazhdim e sipër të investimeve në distribuimin e energjisë.
Blue Stream dhe Red Stream janë dy projektet strategjike ruso-evropiane të tubacioneve, të cilat kalojnë nëpër Turqi. Turqia dhe Rusia janë në marrëdhënie të mira politike, me faktin se investimet e jashtme më të mëdha të Turqisë janë në Rusi.

Duke i marrë parasysh të gjithë këta faktorë dhe faktorin krizë në Evropën Perëndimore dhe largësinë nga SHBA-të, Ballkanit, e sidomos Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe BeH, për momentin ndihma turke në natyrën e investimeve të huaja sidomos në projekte strategjike dhe infrastrukturore u duhet më së shumti.
Sektorët e tjerë të cilët janë të zhvilluar në Turqi, dhe që munden të kenë ndikim në zhvillim në Ballkan, janë sektori bankar, sektori bujqësisë, përvoja turke në sektorin e turizmit, e shumë sektorë të tjera të zhvilluar prej dekadave në Turqi.

Në Kosovë investimet më të mëdha deri vonë vinin nga Sllovenia, por ky shtet me të cilin deri para 22 vjetëve jetonim në një shtet ka problemet e veta, vetëm për shpëtimin bankar të Sllovenisë sipas disa opinioneve iu duhen deri në 3.5 Miliardë Euro, pa i prekur problemet e tjera sllovene. Njëra prej bankave sllovene, e cila është prezente në Kosovë, NLB është pjesë e kësaj krize, edhe pse operacionet e saja në Kosovë janë fitimprurëse, baza në Slloveni është më probleme të mëdha. Kjo është një shenjë se nuk mundemi shumë të mbështetemi tek kapitali slloven edhe shumë. IPKO për momentin si ofertuesi i telefonisë mobile, fikse dhe internetit, mundet të jetë një shembull tipik se deri në çfarë niveli mundet kapitali slloven të ketë ndikim në tregun kosovar.

Gjermania si vendi i cili ka mundësi të bëj investime të mëdha në Kosovë për momentin nuk është duke shprehur interes të veçantë. Njëra prej arsyeve për Gjermaninë është deficiti buxhetor në rritje, por edhe ndihma financiare gjermanë ndaj vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, të cilat janë në proces e sipër, por çka është me rëndësi, Gjermania tani më e ka identifikuar Rusinë si vend ku do të investojë për arsye se ekonomia Gjermane, e cila është e mbështetur shumë në burime minerale, për momentin mund me bollëk t’i gjejë në Rusi.

Anglia ose Mbretëria e Bashkuar në term më të gjerë, gjer më tani nuk kanë shpreh shumë interes për investime në Kosovë, përpos interesit të tyre në Trepçë. Por, Turqia është njëra ndër shtetet më të zhvilluara në industrinë e minierave dhe mineraleve, edhe vetë kam mbetur i mahnitur kur e kam parë në Wikipedia se çka posedon ky shtet edhe sa janë të rëndësishëm këto burime natyrore.

Vendeve të Ballkanit nuk i mbetet shumë përpos të mbështeten tek investimet turke. Serbia psh. prej Rusisë si aleate politike tradicionale më shumë humb se fiton prej këtyre investimeve. Rasti konkret është me privatizimin e gjigantit NIS, i cili u bë pazar me çmim shumë të vogël financiar, por me përkrahje të madhe politike për çështjen e Kosovës. Kapitali turk në Serbi, i cili ofrohet në projekte infrastrukture në metoda koncesionale është i madh, por politika ditore serbe e bllokon këtë investim.

Shembulli më i mirë është interesi për të investuar në Banjën e Bujanocit me një investim simbolik për kompaninë turke, e cila ishte e bllokuar nga serbet lokal shkaku se pronari i kompanisë turke ishte një shqiptar më prejardhje nga Bujanoci, i cili jeton dhe vepron në Turqi. Këto probleme politike mund të kenë ndikim negativ në të gjitha vendet e Ballkanit nëse shteti ose politika shtetërore nuk I del në përkrahje investimeve turke.

Deri vonë në Ballkan kemi thënë se kualiteti i mallit dhe I shërbimit turk është i një niveli të ulët. Por, kjo teori kohën e fundit nuk po gjen mbështetje, e këtë fakt po e shohim për çdo ditë. Sa e sa produkti turk është duke u shitur në Kosovë, dhe atë si produkte kualitative, Riviera turke po e dëshmon veten, duke i marrë turistët evropian. Puna e ENKA-s në Kosovë është edhe një fakt tjetër.