LAJMI I FUNDIT:

Pse librat më qesharakë janë edhe më seriozët?

Pse librat më qesharakë janë edhe më seriozët?

Letërsia që na bën të qeshemi, shpesh është më e thella dhe më inteligjentja, shkruan John Self. Një përmbledhje të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

Pasi i lexova veprat nga lista e sivjetme e ngushtë për Çmimin “Booker”, më duhej të shtrihesha dhe mbase ta merrja një pije. Ky çmim e ka reputacionin e shpërblimit të librave të vlerësuar si “depresivë”, për çka më 2015 juria e quajti listën e ngushtë, të atij viti, si “të zymtë”. Por, viti 2020 e shënon një lloj rekordi të padëshiruar, me çdo titull të ndërtuar mbi themele të tilla.

Ndoshta juria ka të drejtë; mbase lexuesit duan pesimizëm e jo ​​shaka nga fituesit e çmimeve letrare. Nëse po, nuk janë të vetmit që mendojnë ashtu. Komedia, veçanërisht ajo e atij lloji letrar që vlerësohet dhe fiton çmime, çmohet më pak sesa duhet. Martin Amis, me romanin e tij të ri “Inside Story” (Përbrenda rrëfimit), fajëson për këtë “magjepsjen intelektuale të errësirës… idenë se pesimizmi është shenjë e seriozitetit të lartë”.


Epo, një autor komik, kabineti i trofeve të të cilit nuk është i mbushur mirë, do ta thoshte këtë. Dhe, ka të drejtë. Edhe romancieri më i famshëm komik i shekullit të kaluar, PG Wodehouse, iu referua vetes me fjalët që e bënin punën e tij të tingëllojë e lehtë dhe e parëndësishme. Ndërsa, revista “Punch” ka shkruar se “ta kritikosh atë është si ta hash sufllaqen me lopatë”.

Por, problemi është më i thellë se kaq. Nuk është vetëm letërsia e tillë ajo që rrallë merret seriozisht. Ajo anashkalohet edhe kur shkrimtarët seriozë janë qesharakë. Vitin e kaluar isha në shënimin e njëqindvjetorit të lindjes së shkrimtares Iris Murdoch. Për vite me radhë e shmanga leximin e romaneve të saj, duke menduar se ishin të rafinuar e pa humor. Por, gabova: në librat “The Black Prince” (Prini i Zi) dhe “The Sea, the Sea” (Deti, deti), ajo del shkrimtare qesharake. Ka veprime të ngathëta e të turpshme, farsë e komedi të çmendurisë dhe shkatërrimit, që nga rrëmbimi i qenve yje të filmave e deri te lojërat me karriget muzikore seksuale… Ndërsa, asnjë sjellje nuk është e paarsyeshme për personazhet e saj.

Megjithatë, në tekstet e shkruara për të, vitin e kaluar, pak përmendej shkëlqimi i saj komik. Ky nuk është një fenomen i ri: në biografinë e saj të vitit 2001, Peter J Conradi theksoi se kritikët bashkëkohës ndonjëherë anashkalojnë faktin se sa qesharake ishte puna e saj. “Të humbasësh komedinë [në romanet e saj më të mira]”, shkroi ai, “nuk e humb një detaj, por zemrën e veprave”.

Pse ndodhë kjo? Mbase për shkak të inteligjencës së frikshme të Murdochut – statusit të saj si shkrimtare-filozofe e madje edhe të jetës së saj të përditshme si boheme autentike, meqë ajo dhe burri i saj John Bayley jetuan si endacakë në një shtëpi kaotike në Oksford (“Kurrë nuk kemi qenë të dhënë për mirëmbajtjen e shtëpisë”). Askush me këtë mendje kaq të shkëputur nga e përditshmja, nuk mund të jetë qesharak!

Shkrimtarja Sophie Hannah, e cila e njeh shkëlqimin komik të Murdochut dhe shkroi parathënien në edicionin e fundit për “Prindin e Zi”, thotë se komikja dhe seriozja janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme në romanet e saj: “Ajo e kupton se absurdi komik i jetës është absolutisht i pazgjidhshëm nga serioziteti. Humori e përforcon më shumë sesa zvogëlon seriozitetin, dhe anasjelltas.”

Nëse kjo tingëllon si diçka e njohur, atëherë letërsia është e mbushur me libra që janë shumë seriozë dhe shumë qesharakë. “Shkrimtarët janë qesharakë sepse jeta është qesharake”, ka thënë Amisi. Kjo është e vërtetë jo vetëm për satiristët si Charles Dickens, por edhe ata që tradicionalisht shihen si tregtarë të errësirës, si Samuel Beckett dhe Franz Kafka – vizioni absurdist i të cilëve, për botën, është se nëse nuk qesh do të qash. Merreni “Waiting for Godot” (Duke pritur Godonë): çfarë mund të jetë më qesharake sesa të presësh pafund dikë që e njeh e nuk do të shfaqet kurrë – dy herë?

Komedia më e mirë ka nevojë për tragjedinë, si balast për ta ndaluar atë të shkojë shumë larg: Çmimi “Booker” herë pas here e njeh letërsinë me humor dhe romani i Howard Jacobsonit, “The Finkler Question” (Çështja Finkler), rreth plakjes dhe vdekjes, nuk lidhet thjesht me tragjedinë, por zhytet në të. Kur një grua çifute përballet me një kërcënim të vogël antisemit, ajo “nuk shkon nga frika në dëfrim dhe prapa sërish; ajo i përjetonte të dy emocionet, njëkohësisht. Nuk ishte as çështje e regjistrimit të të kundërtave, sepse ato nuk ishin të kundërta për të. Secila pjesë merr nga tjetra.”

Çfarë mund të jetë më e plotësuar? Çfarë mund të ketë vlerë më të mirë sesa tragjedia dhe komedia e ndërthurur? Vepra më e mirë e Kurt itVonnegut e ilustroi këtë qasje hibride në tragjikomedinë “Slaughterhouse-Five” (Thertorja 5) – për epideminë moderne të vetmisë – dhe fabulën e tij për fundin e botës, “Cat’s Cradle” (Foleja e maces). Marie Phillips, autore e disa romaneve komikë, përfshirë “Gods Behaving Badly” (Zotërat që sillen keq), pajtohet me mënyrën beketiane: “Bota është absurde në rastin e saj më të keq”. Phillipsi thotë se “njerëzit gabojnë kur mendojnë se e kundërta e qesharakes është serioze dhe se nëse je qesharak nuk mund të jesh serioz dhe anasjelltas”. E kundërta e qesharakes, natyrisht, nuk është serioze; e kundërta e qesharakes është jo qesharake. Qesharakja dhe seriozja janë simbiozë, sepse humori nuk është veç shembull i inteligjencës, por një formë e inteligjencës. Kërkon mendim anësor; duke bërë ndërlidhje të papritura; duke qenë një hap përpara lexuesit. Për një tjetër fitues të Çmimit “Booker”, George Saunders, “komikja për mua do të thotë se gjithmonë ka një mungesë midis asaj që mendojmë për vetveten dhe asaj që jemi”.

Për ta thënë ndryshe, komedia e suksesshme në një roman nuk përbëhet nga shakatë e shtresuara lartë, por si e endura në pëlhurë. Moderatori televiziv që u bë romancier, Richard Osman, thotë: “Libri duhet të jetë qesharak, jo autori. Shakatë e thyejnë murin e katërt”. Kur e shkruante romanin e tij bestseller, “The Thursday Murder Club” (Klubi vrastar i së enjtes) “përpiqesha shumë të mos e shkruaj një libër qesharak. Personazhet nisën të jenë qesharakë, por u përpoqa të mos bashkohesha me ta”. Mirëpo, u sigurua nga Muriel Spark dhe Michael Frayn se “mund të shkruash një libër që i bën njerëzit të qeshin, e ta mbështetësh këtë në realitet”. Spark, në fakt, është shembull i përsosur i humorit që nxit: zgjuarsia e saj mizore dhe gjallëria e personazheve të saj i parandalon librat si “Memento Mori” (“Mos harro se do të vdesësh”… një vepër ku një grup njerëzish të moshuar terrorizohen nga telefonatat anonime që i kujtojnë ata se do të vdesin) ose “The Driver’s Seat” (“Ulësja e vrasëses”… ku një grua e rregullon vetëvrasjen e saj) të mos jenë të palexueshëm. Për Osmanin, loja e saj më mirë është se Sparku, si Iris Murdoch, “është qesharake pa e thyer asnjëherë magjinë e librit”.

Kjo ka të bëjë me atë që Bernardine Evaristo tha teksa fliste, vitin e kaluar, për romanin e saj fitues të Çmimit “Booker”, “Girl, Woman, Other” (Vajza, gruaja, të tjerët), që konsiderohet si Kali i Trojës në komedi. “Kur je duke e shkruar një libër serioz e me humor, nëse e hapni lexuesin ndaj humorit, ju gjithashtu i hapni për gjithçka tjetër që është në libër”, gjë që në rastin e saj është depërtim në rolin e grave me ngjyrë në Britaninë moderne. “Komedia është një lugë me sheqer”.

Për disa shkrimtarë, të jesh qesharak është të jesh i vërtetë ndaj natyrës së tyre. George Saunders thotë se ai i kaloi “rreth shtatë vjet duke u përpjekur që ta mbaj humorin larg nga puna, por pastaj kuptova se i kisha mbajtur pjesët e mira të vetes përjashta”.

Por, siç sugjeron Richard Osmani, komedia nuk mund të transplantohet artificialisht në një libër – ose te një autor – për ta bërë veprën qesharake. William Golding, laureat i Nobelit dhe autor i librave të shkëlqyer e seriozë rreth errësirës së natyrës njerëzore, arriti në këtë pikë. Suksesi i romanit të tij fitues të Çmimet “Booker”, “Rites of Passages” (“Riti i kalimit”), dështoi në humor, ndaj vendosi të shkonte në komedi me romanin e tij të ardhshëm, “The Paper Men” (Njerëzit e letrës)… por, dështoi. Përvoja e tij mund të jetë shembull i mirë se pse disa shkrimtarë largohen nga komedia: sepse, është e vështirë ta bësh mirë. Romancierja amerikane, Rivka Galchen, thotë se humori është “i pasigurt”, një lloj nëme magjike që mund të prishet lehtë, duke e bërë lexuesin “të largohet sa herë që budallai pushon së dhëni sharmë”.

Rreziqet pra janë të mëdha. Mbase, në këtë aspekt, shkrimi komik është si shkrimi erotik, më sfiduesi në letërsi, për çka nuk është rastësi që në Mbretërinë e Bashkuar ekziston Çmimin për Seksin e Keq – për romanet që duhet të na eksitojnë e në vend të kësaj na bëjnë të qeshim. /Telegrafi/