LAJMI I FUNDIT:

Pse Kosova është ende e rëndësishme

Libri ndërkombëtar i fundit që argumenton fuqishëm pro pavarësisë dhe identitetit kontinuel të Kosovës me argumente historike, politike, legale dhe demografike është shkruar nga politikani dhe humanisti britanik, z. Dennis MacShane dhe quhet: ’Pse Kosova ende është e rëndësishme’(Why Kosovo still matters, Haus Publishing Ltd, 2011). Në vazhdim do të zgjedh disa pjesë më të rëndësishme dhe më interesante.

MacShane shkruan se për situatën serioze në Kosovë kishte dëgjuar në vitin 1988 në Montreal, në një konferencë ndërkombëtare të sindikatave botërore dhe atë nga sekretari gjeneral i socialdemokratëve gjerman i quajtur Peter Glotz. Glotz kishte deklaruar se në Evropë po shohim një fashizëm të rrezikshëm në ngritje, një nacionalizëm të tmerrshëm që rrezikon ta kthej Evropën në kohën e konflikteve dhe errësirës dhe ai është fashizmi serb. Për të përfunduar se Milloshevic kishte mbajtur një fjalim të tillë me në Fushë Kosovë dhe për çka Glotz kishte kujtuar se ’nuk do të dëgjonim fjalime dhe fashizëm të tillë në Evropën moderne’ (f.4).


Ky ishte ai moment që bëri MacShane të interesohet për Kosovën, sipas autorit vetë. Kishte shikuar në Enciklopedinë Britanike të vitit 1902 dhe nuk kishte gjetur asnjë informatë për Kosovën. Më vonë, duke qenë ndihmës politik në Forin Office/MPJ më 1997 dhe më pastaj ministër për Ballkan dhe për Evropën si dhe duke lexuar nga specialistë të ndryshëm britanikë sikurse Noel Malcolm, Jammes Pettifer, Paddy Ashdown, Brendan Simms, Tim Judah etj., kishte krijuar idenë dhe kontekstin e qartë se çka kishte ndodhur dhe çfarë po ndodhte në Kosovë.

Nëpërmes këtij libri autori argumenton se përse të gjithë ata që angazhohen dhe duan paqe në Ballkan duhet të përkrahin Kosovën, të drejtën dhe ambiciet e njerëzve të Kosovës dhe që të lejohen bashkë sikurse edhe kroatët dhe serbët, sllovenët, boshnjakët dhe maqedonasit që të jetojnë si komb brenda shtetit të vet.

Në lojën globale të shahut të quajtur Politikat e Fuqive të Mëdha, Kosova ende shfrytëzohen si piun/ushtar në tabelën ndërkombëtare të shahut që përshkohet me rivalitete dhe konkurrencë mes fuqive kryesore botërore. Në anën tjetër edhe Serbia lejon shumë lehtë që të shfrytëzohet si piun në fushën e shahut nga Rusia dhe pushtetmbajtësit në Kremlin që nuk besojnë në përfitime përmes bashkëpunimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, por janë skeptikë dhe dyshues si dhe ndjekin agjendat e veta përfituese (f.6).

Shekuj të tërë të historisë së Kosovës

MacShane duke cituar Ch. Hitchens shkruan se përkundër të drejtës, vuajtjeve dhe persekutimit, me gjasë nuk kishte ndonjë çështje/vend tjetër që kishte pasur më pak miq se sa shqiptarët e Kosovës (f.11) gjer në vitet 1990-ta.

MacShane shkruan tutje se Kosova ka pasur gjithmonë identitetin, gjuhen e vet, kulturën dhe ligjet e veta. Kosova ka atributet e një vendi të vogël evropian që nuk ka gjetur rrugë të lehtë për të krijuar shtetin e vet. Fjala Kosovë sipas autorit përmendet në historinë e Evropës në shekullin e 14-të, në betejën e Fushë Kosovës më 1389 dhe në këtë betejë ishin të përfshirë si shqiptarët ashtu edhe serbët. Tani të gjithë historianët pajtohen se shqiptarët dhe serbët ishin aleatë kundër otomanëve sikurse edhe të krishterët e tjerë ballkanikë.

Pas kësaj beteje dihet që otomanët pushtuan Ballkanin për rreth 5 shekuj me radhë. Në shekullin e 15-të, sipas autorit, heroi nacional i shqiptarëve që ishte edhe hero kristian i Evropës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468) luftoi kundër turqve për disa dekada deri ditën kur vdiq (f.15-16).

Sipas MacShane çështja e fesë dhe tolerancës fetare tek shqiptarët është një shembull dhe model fascinues i tolerancës edhe për Evropën.

Vitet e shtypjes, represionit dhe masakrave nga Serbia

Shqiptarët u organizuan në Lidhjen e Prizrenit për të kërkuar të drejtat e veta dhe për të mbrojtur territoret e banuara nga ta, pas një periudhe të gjatë shtypjeje. Po atë vit Serbia u bë një shtet i pavarur si konsekuencë e vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878. Në atë kongres, fuqitë e mëdha evropiane vendosën t’ia japin Serbisë pjesë të Kosovës, që shikohej në atë kohë si provincë otomane e banuar nga shumica shqiptare. Serbët menjëherë krijuan dhe zbatuan politikat e spastrimit etnik kundër shqiptarëve. Sipas burimeve të Arkivit Nacional Britanik në Londër, mbi 150 000 shqiptarë u përzënë me forcë nga 624 fshatra shqiptare gjatë viteve 1878-1879. Shqiptarët u përzënë nga tokat e lashta të paraardhësve të vet dhe nga fshatrat në Serbinë jugore, në lindje të kufirit të tashëm të Kosovës (f.18-19). Shpërbërja e shpejtë e Perandorisë Osmane shtoi ambiciet serbe për Kosovën.

Shqipëria krijoi shtetin e pavarur më 1912 dhe ishte më lehtë për shkak të linjës detare, por për Kosovën ishte më vështirë të integrohej për shkak të presioneve nga Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria si dhe reliefit gjeografik sipas autorit. Serbët filluan luftën propaganduese kundër Kosovarëve/shqiptarëve për gjoja ’krime’ kundër serbëve. MPJ Angleze kishte një konsull në Shkup, W.D. Peckham mes viteve 1912-1914. Ai ishte diplomati i vetëm që i raportonte Forin Offisit britanik, pasi ai i hulumtoi ato raporte incidentesh kuptoi se përgjegjësinë e kishin vetë serbët që kishin kryer vrasje dhe jo shqiptarët (f.20). Edith Durham raportonte për masakra të kryera ndaj shqiptarëve më 1912 sipas MacShane (po ajo faqe). D. Tucoviq kishte shkruar ’kemi zbatuar vrasje të planifikuara të një kombi të tërë, jemi zënë në atë akt kriminal dhe jemi penguar, tani do të paguajmë dënimin, pas luftërave ballkanike Serbia jo vetëm që shtoi territoret, por edhe armiqtë e jashtëm (f. 20).

Në vitin 1913 një gazetar danez raportonte që 5000 shqiptarë ishin vrarë nga serbët në Prishtinë pas okupimit të qytetit (f. 21) sipas autorit. Kreu katolik i Shkupit i raportonte Vatikanit lidhur me situatën në Prizren ku shkruante se ’serbët trokisnin në shtëpitë e shqiptarëve, i merrnin dhe i vrisnin ata, ai qytet ishte sikur një mbretëri e vdekjes’ (f.20).

Fuqitë e mëdha si Britania, Franca, Austria, Hungaria nuk e donin daljen e Serbisë në det dhe e njohën Shqipërinë si të pavarur, por Kosova e pozicionuar në rajone malore u la në mëshirën e Serbisë komenton autori. Në qershor/korrik 1913 me Traktatin e Bukureshtit u njoh pushtimi i Kosovës nga Serbia. Pra Kosovës iu mohua e drejta e pavarësisë dhe u fut nën sundim të invaduesve serbë.

Barbaria e disa serbëve ndaj Kosovës vazhdoi të shqetësonte zyrtarët britanikë. Më 6 prill 1914 ministri i Jashtëm britanik kishte marrë një notë zyrtare që në Kosovë po digjeshin fshatra të tëra dhe njerëzit po masakroheshin nga serbët, por këto raporte u injoruan sikurse raportet për krime dhe masakra në vitet 1990-ta sipas autorit (f.22).

Kosova ishte bërë një ’top futbolli’ në këmbët e fuqive të mëdha të asaj kohe. Më 1919 në Konferencën e Versajës, Shqipëria nuk u lejua të merrte pjesë, u krijua e ashtuquajtura Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Serbët imponuan planprogramet e veta mësimore kundër shqiptarëve, tokë e Kosovës iu dha kolonëve serbë që të jetonin në Kosovë, në administratë shtetërore nuk kishte shqiptarë dhe këto politika kolonialiste u përkrahën nga ushtria okupuese serbe. Siç kishte thënë një nga ideatorët serbë dhe anëtar i ’Dorës së Zezë’, V. Cubrilovic, ’qëllimi ynë është që tua bëjmë shqiptarëve jetën e vështirë ashtu që ata të ikin nga këto troje” për të vazhduar: ’nëse gjermanët mund të dëbojnë me mijëra hebrenj, dëbimi i disa qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova nuk do të shkaktoj luftë botërore’. Ai përfundimisht rekomandonte keqtrajtimin e elitës dhe klerikëve fetarë, shkatërrimin e varreve dhe në mënyrë të fshehtë djegien e fshatrave dhe qyteteve shqiptare’.

Regjimi dhe dhuna e Milloshevicit

Pas luftës së dytë botërore Kosova kishte një autonomi që ishte i barabartë me statusin e 6 republikave tjera dhe të një krahine, në kohën e Titos, kishte Kuvend nacional, në shkolla mësohej shqip, kishte shtyp dhe TV shqip, universiteti u hap etj. Autori përmend demonstratat e vitit 1968 dhe 1981 për më shumë të drejta dhe për liri të Kosovës, si dhe për Republikë.

Autonomia e Kosovës u shua me dhunë më 1989 nga forcat okupuese serbe. Kësaj i kishte paraprirë fjalimi i Milloshevicit në Fushë Kosovë dhe propaganda e ashpër serbe kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Shqiptarët u larguan nga puna, universiteti, mediet dhe televizioni u mbyllën. Si përgjigje ndaj kësaj dhune dhe regjimi, shqiptarët me në krye Dr. Ibrahim Rugovën u organizuan në rezistencë paqësore duke formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pastaj krijuan qeveri paralele në ekzil.

Rugova ishte një profesor universiteti, i urtë, joagresiv, trim dhe njeri jopolitik fillimisht. Ne gjithherë flisnim frëngjisht pasi ai kishte studiuar në Francë dhe fliste rrjedhshëm. Ai ishte një njeri i matur që kurrë nuk ngrinte zërin e tij (f. 30-31).

Sipas Noel Malcolmit, LDK, ishte lëvizje solidariteti popullor e ngjashme me Solidarnostin në Poloni. Regjimi serb në ndërkohë ashpërsoi politikat e tij agresive ndaj Kosovës, njerëzit maltretoheshin, punëtorët u përzënë nga vendet e punës dhe shumë veta u burgosën, të tjerë u vranë. Ushtria dhe grupet paramilitare të tipit të Arkanit u dërguan në Kosovë (f.31).

Evropa fillon të zgjohet dhe reagon ngadalë

Më shumë se 500 000 shqiptarë nga Kosova mërgojnë në vendet perëndimore në vitet 1993 e tutje. Pas luftërave të tmerrshme në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë rreziku vinte për Kosovën. Brutaliteti serb në Bosnjë duke përfshirë rrethimin e Sarajevës dhe vrasjen masive dhe gjakftohtë të 8000 meshkujve myslimanë atje kaloi çdo imagjinate njerëzore e politike evropiane. 2000 ekzekutues serbë kishin ekzekutuar për 5 ditë aq shumë njerëz civilë në një vend (f. 34). Në atë kohë në kryeqytetet kryesore perëndimore duke përfshirë konservativët britanikë nuk kishte imagjinatë e as vendosmëri për të ndalur makinën vrasëse serbe në Ballkan (f.39).

Profesori Brendan Smith në librin e tij kritikon kryeministrin John Major për paaftësi në lidership dhe në marrje të përgjegjësive, në krijimin e koalicioneve për të ndaluar ato që po ndodhnin në Ballkan. Ish ambasadori amerikan në NATO, R. Hunter, kishte akuzuar britanikët që po bllokonin vendimet në OKB dhe përpjekjet e NATO-s për të ndalur luftën në Bosnjë në vitet 1993-1995 (f. 38). Në ndërkohë më 1992, presidenti amerikan G. Bush kishte dërguar një paralajmërim Kërshëndellash për Serbinë duke deklaruar ’se Milloshevici nuk duhet të filloj një luftë në Kosovë dhe të mendoj se SHBA nuk do të reagoj’ (f.35).

Lufta për çlirim dhe ndërhyrja e NATO-s

Në vitin 1997, ministri Britanik i mbrojtjes, George Robertson i raportonte Parlamentit Britanik se Arkani dhe Mladic dhe paramilitarët e tyre ishin rekrutuar nga Beogradi për të përgatitur vrasje dhe masakra të shqiptarëve në Kosovë. Në ato vite, si pasojë e dhunës sistematike dhe vrasjeve ndaj shqiptarëve, në Kosovë u krijua UÇK apo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. T. Judah argumenton se UÇK mund të radhitet si një nga ushtritë apo organizatat guerile të suksesshme të kohërave moderne’ (f.43).

Pas masakrës së Reçakut në janar 1999 të kryer nga forcat paramilitare serbe, me ç’rast bota u tmerrua dhe shikonte me tmerr, aktorët politik filluan të aktivizohen me vendosmëri kundër Serbisë. Pas tentimit për të arritur paqe në Rambuje, kjo nuk u bë e mundur pasi që Serbia refuzoi dhe me atë rast NATO filloi sulmet ushtarake kundër Serbisë më 24 mars 1999, nën lidershipin e SHBA-së dhe Britanisë. T. Blair kishte mbajtur një fjalim në Çikago për përgjegjësinë dhe të drejtën humanitarë ndërkombëtare për të ndërhyrë ushtarakisht kundër diktatorëve sikurse Milloshevici.

Milloshevici kishte menduar se do te përçante vendet perëndimore dhe shtypin atje, por në vend të asaj, ai me budallallëkun e tij, kishte arritur të kundërtën dhe kishte vështirësuar në maksimum pozitën e Serbisë për të arritur marrëveshje politike (f.49).

R. Cook kishte folur në Parlamentin Britanik për luftën, për të ndalur gjenocidin dhe spastrimet etnike serben ë Kosovë. R. Cook kishte deklaruar se historia do të shkruaj për këtë ngjarje si angazhim për lirinë e një populli, angazhim për të vendosur paqe dhe për të ia treguar vendin e tij një ’udhëheqësi fisnor’(f. 56).

Në fund pas rreth 3 muajve, NATO kishte arritur fitoren dhe Serbia do të tërhiqej nga Kosova. Ch. Crafword, ish ambasador britanik në Beograd kishte thënë njëherë se ’mund t’i çosh serbët deri te uji, por nuk mund t’i detyrosh ta pinë atë’ (f.44). Por dihet se NATO-ja kishte arritur jo ’vetëm t’i bind ata të pinë ata ujë’ por përfundimisht edhe të tërhiqen nga Kosova në mënyrë të nënshtruar dhe si humbës. Pas çlirimit, në Kosovë u vendos UNMIK-u që ta administroj, dhe KFOR-që të kujdeset për sigurinë e vendit.

Mac Shane shkruan se fitorja ushtarake ishte e siguruar nga bota demokratike. Por bota demokratike e udhëhequr nga diplomatët e OKB-se ka bërë gabim historik që nuk vendosi për Kosovën e pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare që atëherë. Formulimet e paqarta, apo ’statusi i ardhshëm’ i krijuan mundësi dhe hapësira diplomatike Serbisë dhe Rusisë për të shkaktuar vonesa dhe manipulime tjera dhe për të penguar progresin në Kosovë. Sipas MacShane UNMIK-u dhe KFOR-i (të tjerë do shtonin edhe faktorin shqiptar) dështuan të merrnin nën kontroll Mitrovicën, mes tjerash edhe për shkak të ardhjes së rusëve në aeroportin e Prishtinës dhe ky gabim po shihet qe e ka përcjell Kosovën edhe në ditët e sotme.

Pavarësia, njohjet dhe e ardhmja e Kosovës në shekullin 21

M. Ahtiisari, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën dhe pasi bisedimet me Serbinë dështuan edhe një here, Kosova më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe në këtë moment është njohur nga rreth 80 shtete (deri në momentin kur është shtypur libri).

MacShane shkruan edhe për vendosjen e EULEX-it dhe KFOR-in e mbetur në Kosovë në vazhdim. Ai është kritik për disa nga politikat e BE-së për Kosovën. Në faqen 93 ai shkruan kështu: ’BE kërkon disa standarde, ligje, medie, norma menaxheriale dhe juridike si dhe administratë publike në Kosovë që janë të nivelit me vendet Nordike, gjersa që vështirë të gjenden në shumë vende të tjera anëtare të BE-së, e veçmas asnjë në Ballkan’ (f. 93).

Autori vazhdon se sigurisht që Kosova duhet të përmirësoj në mënyrë masive policinë, gjyqësinë dhe sundimin e ligjit, por për këtë duhet më shumë kohë. Në Kosovë ka politikanë që janë pasuruar shumë në raport me të ardhurat që marrin, por për këtë duhet forcuar gjyqësinë dhe sundimin e ligjit që të merren me këto probleme.

Serbia ende vazhdon ta pengoj Kosovën në rrugën e saj si përmes lobimit kundër njohjeve, si përmes strukturave paralele në veri apo bllokadës ekonomike, pastaj moslejimit të fluturimit të aeroplanëve që udhëtojnë për Kosovë etj.

Kosova nuk mund të udhëhiqet si protektorat ndërkombëtar apo që KFOR-i të jetë atje gjithmonë, prandaj njohja e plotë e Kosovës dhe marrja e përgjegjësive ndërkombëtare nga Kosova është shumë e rëndësishme. Kosova duhet të ketë më shumë njohje dhe të bëhet anëtare e organizatave politike ndërkombëtare.

Prioritet i lartë i Kremlinit ka qenë që të maksimalizoj politikat anti-SHBA dhe anti-NATO në Këshillin e Evropës p.sh.. Rusia ka kërkuar aleatët ortodoksë për të mbrojtur Serbinë apo shtetet tjera ortodokse-sllave nga kritikat (f. 99). Politikë e njëjtë është udhëhequr edhe në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Propaganda kundër Kosovës dhe liderëve të saj rrjedh nga Beogradi me bekimin e Moskës për një arsye. Daun t’i pengojnë njohjet e Kosovës. Serbia kërkon ndikim, bile edhe kontroll eventual në rajonet e Ballkanit si në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi dhe është linja ultranacionaliste serbe që po pengon progresin e vet saj dhe po shkakton probleme në Kosovë. Kurse Rusia e Putinit po udhëheq politika agresive kundër Perëndimit dhe në këtë kontekst përkrah edhe Serbinë, ata kanë probleme dhe debate me Poloninë, pastaj me Estoninë dhe vendet tjera Baltike, pastaj me Gjeorgjinë, me Çeçeninë etj.

Megjithatë bota dhe vendet demokratike më të rëndësishme e kanë njohur Kosovën, duke filluar nga SHBA-të, Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Kanadaja, Turqia, vendet arabe si Arabia Saudite, Bahrejni, Jordania, Hondurasi, Kolumbia, Malejzia, Koreja Jugore, Australia, dhe vendet e Ballkanit si Kroacia, Bullgaria e Shqipëria etj. Është e rëndësishme që pesë vendet e BE-së të njohin Kosovën dhe mosnjohja nga Spanja është e pakuptimte dhe e paarsyeshme, sepse Kosova është rast i veçantë. Por edhe shtetet e tjera të BE-së nuk kanë arsye ligjore, por e bëjnë për shkak të problemeve të brendshme apo aleancave ortodokse (Greqia dhe Qipro). Nuk kanë arsye sidomos pas vendimit të GJND në gusht të vitit 2010 ku qartë u theksua se pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

MacShane shkruan edhe për fillimin e dialogut mese Kosovës e Serbisë me ndërmjetësim të BE dhe argumenton se do të ishte gabim strategjik nga BE nëse do të pranonte anëtarësimin e Serbisë në BE pa e njohur Kosovën (f. 122). Ai tutje shkruan se ’BE-ja më shumë është e relaksuar që t’i jap liberalizim vizash (t’i heq vizat) Tajvanit që asnjë nga vendet e BE-së nuk e njohin si shtet se sa ta ndihmoj me shumë Kosovën edhe pse 22 anëtarë të BE-se e njohin atë ’(f. 128).

Liberalizimi i vizave të Serbisë duhet të kushtëzohet me qarkullimit e qytetarëve të Republikës së Kosovës për Serbi. Evropa duhet ta ndihmojë dhe njoh edhe më shumë Kosovën se sa tani, një mënyrë është që parlamentet të bëjnë marrëveshje këmbimore dhe të vizitojnë vendin. Partitë politike dhe politikanët në Kosovë mund të mësojnë nga përvojat e avancuara të vendeve të BE-se dhe në shumë fusha të tjera. Kosovarët duhet të përfshihen dhe mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

MacShane përfundon se Kosova e Serbia duhet të pranojnë çka ka ndodhur dhe të ndërtojnë të ardhmen, të ecin tutje dhe të arrijnë integrimin në BE, d.m.th. të dyja të pavarura.

MacShane duke qenë objektiv për Kosovën argumenton në mënyrë të fuqishme dhe profesionale se pse Kosova ende është e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për paqen në Ballkan. Autori duke pasur përvojë të gjerë politike dhe humanitare dhe duke qenë i përkushtuar në angazhimin për lirinë dhe të drejtat e Kosovës dëshmon dhe argumenton të drejtën legale, atë historike, politike dhe demografike se përse Kosova duhet të jetë e pavarur dhe të vazhdoj integrimin në BE si hap të ardhshëm. Por ai në mënyrë të sinqertë dhe direkte kritikon edhe fuqitë e mëdha në të kaluarën se si kanë vendosur për fatet e popujve sipas interesave të tyre. Po ashtu ai kritikon OKB-në dhe sidomos BE-në se nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë sa duhet për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj.

Sigurisht kritika me të drejtë bëhen edhe ndaj sistemit gjyqësor, policisë dhe mënyrës së qeverisjes së Kosovës në segmentet ë ndryshme. Ky është një nga librat më të rëndësishëm dhe që argumenton fuqishëm pro Kosovës së pavarur dhe vendit të saj në familjen botërore të shteteve të lira.

(burim_breznica@yahoo.com)