LAJMI I FUNDIT:

Pse i duhet Kosovës Sistemi Presidencial në Zgjedhjet 2011?

Çmimi me te cilin njerëzit e mirë paguajnë indiferencën për punët publike është fakti që të këqijtë e marrin pushtetin…

1. Dilema hamletiane rugoviane e viteve ’90-ta se a më parë do të duhej ndërtuar kapacitetet (pluralizmi, mediet e lira, standardet e tolerancës ndëretnike, etj.) demokratike e më pastaj instrumentet e shtetit (ushtria, policia, gjyqësia, etj) të përcjella me gjithë aparaturën klasike, si duket u hoq në vitin 1999, kur de facto e de jure filloi ndërtimi i shtetit te Kosovës si një shtet i ri. Dilema e vetme më tej, e realisht edhe sot mbeti se: athua ky shtet i ri i duhet t’i ngjajë një shteti tipik klasik me të gjitha ingerencat e tija të lartcekura në formë përmbajtje, apo ky shtet ka nevojë vetëm për një formë (ndërkaq jo edhe për përmbajte (!?) të ngjashme ngaqë rrethanat janë te atilla që e pamundësojnë realizimin e tërësishëm të tij si të gjitha shtetet tjera të lindura?


Duke u nisur nga paradigma e një paradoksi të ndodhur në Kosovën e pasluftës, me rastin e tendencës për të instaluar diskursin e demokracisë dhe aparaturës së saj përcjellëse: pluralizmin, zgjedhjet e lira, synimin për ndërtimin e kapaciteteve institucionale (qeverive lokale e nacionale) etj., pa e ndërtuar lokomotivën kryesore lëvizëse – pra institucionin e ekzekutivit tërësisht të pavarur, na doli se demokracia e kuptuar si “sundim i popullit” në rastin e Kosovës, jo vetëm që nuk u bë, por si shtesë e gjithë kësaj, u komprometua deri në ekstrem, sidomos me lojën e vetëkënaqësisë së individëve, grupeve të ndryshme partiake (lexo: grupeve të interesit!) dhe Administratës ndërkombëtare.

Realisht projekti i instalimit të këtij sistemi në rastin e Kosovës, doli jo si një lloj interesi nacional, por më tepër si një lloj eksperimentimi në vete, ku ish administrata e UNMIK-ut, përpara se ta ndërtojë shtetin e Kosovës, filloi t’i improvizojë mekanizmat përcjellës të këtij demiurgu, që është një rast unikat që nuk mund të haset e as të shpjegohet me logjikën e teorive bashkëkohore sociologjike mbi rolin dhe përgjegjësinë e shtetit. E ndodhur në një lloj të këtillë paradoksi të hasur askund gjerë tani në teoritë dhe praktikat bashkëkohore të ndërtimit të shteteve, Kosova dhe shoqëria e saj filloi të futet krejtësisht e pa përgatitur në një rreth vicioz të krizës morale, politike, kulturore e sidomos sajna ekonomike, ku vetëm çështja e përmbylljes së statusit politik e frenoi kataklizmin e trazirave sociale që edhe sot e kësaj dite po rri si shpata e demokleut edhe mbi estabilishmentin e tanishëm politik.

1. Një fakt tjetër se përse Kosovës i duhet sistemi presidencial është se përvoja dhjetëvjeçare e kësaj demokracie tipike improvizuese dëshmoi disa fakte të pakontestueshme se Kosova, edhe më tej, vazhdon të jetë e keqmenaxhuar dhe e keqqeverisur, e pa perspektivë edhe për disa dekada, ndonëse vizioni i përgjithshëm shoqëror, politik, kulturor e ai ekonomik, si edhe resurset natyrore dhe ato njerëzore, nuk i mungojnë në asnjë kalkulim meritor. Papunësia dhe varfëria e skajshme (tashmë me mbi 20%!?) e qytetarëve të Kosovës (të identifikuar si faktor tejet kërcënues për të gjithë, në një mënyrë a një tjetër, janë faktorë të tjerë fuqizues, për të dëshmuar se koha e improvizimeve dhe e pretendimeve për të ndërtuar jo një demokraci (siç e kam identifikuar unë!) “feudale”, por demokraci neoliberale me një sistem te qartë presidencial, ku të gjithë qytetarët kosovarë do ta kenë mundësinë e mirëfilltë startuese të menaxhimit të situatave e përgjegjësive para se gjithash ekonomike), për t’i dëshmuar shkathtësitë e veta personale, grupore, elitike etj., të (keq)menaxhimit me resurset njerëzore dhe ato shoqërore.

Shikuar kështu kuptojmë që Kosovës i duhet më shumë se kurrë një vizion i ri, pra, një shpresë dhe një rimobilizim i ri jo si gjerë tani politik, por detyrimisht social, në mënyrë që të adresohen të gjitha format e defekteve të gjertanishme shoqërore, sociale, politike, e sidomos tyreve ekonomike. Vizioni i ri rimobilizues (natyrisht i mbuluar jo me premtime boshe, siç ndodh gjatë këtyre viteve, por me garancitë e sistemuara me afatizime konkrete(!), sidomos kur janë në pyetje shpresat e një ringjalljeje sociale e politike për qytetarët e Kosovës, do të mund t’i krijonte konditat edhe të instalimit të shprehisë së mirëfilltë të një demokracie liberal- demokratike, ku qytetari i saj, me plot kurajë e elan rindërtues, do të mundë të kyçej lehtë në praktikat e vendeve dhe shteteve premtuese, e cilat e kanë tashmë traditë strategjinë e instalimit të demokracisë liberal-demokratike, pra profilin më të ri të proceseve globalizuese dhe sistemin presidencial.

2. Shteti liberal-demokratik i identifikuar me sistemin presidencial të qeverisjes, si synim të vetin nuk e ka improvizimin, por pjesëmarrjen dhe afirmimin e qytetarit në jetën politike dhe atë publike, pastaj: përgjegjësinë dhe sidomos transparencën e gjitha sfidave publike të shoqërisë, duke filluar prej tenderimeve e deri te procesi i privatizimit dhe ai i integrimeve rajonale e më pastaj edhe ato evropiane.

Demokracia aktuale (si e kam quajtur unë “fisnore”)nuk mund të ndërtohet me improvizimin e pluralizmit partiak, organizimit sa për sy e faqe të zgjedhjeve, krijimin e një qeverie servile, jo profesionale, jo kompetente e, mbi te gjitha, e menaxhuar nga një mekanizëm antidemokratik, siç është akoma EULEX dhe faktorët tjerë ndërkombëtar, por, me inaugurimin e sistemit liberaldemokrat ku roli i qytetarit të ri mobilizuar, përmes programeve dhe projekteve shpresëdhënëse, garantohet dhe ushqehet e ardhmja e tij dhe e familjes në formë të krijimit të parakushteve për një jetë të dinjitetshme dhe me status, bile të paktën reprodukues.

Në këtë kontekst, demokracia liberale, i shoqëruar me formën e qeverisjes presidenciale, pra një Presidenti i cili do të zgjidhej drejtpërdrejti nga vota qytetarit te Kosovës, në kohën kur Kosova ka pësuar një devalvim të çdo vlere morale, do të ishte një zgjidhje padyshim modeste por kuptohet në pamje të parë ndoshta edhe një “mission impossible”, kur kihen parasysh sidomos interesat e përziera të logjikës së fiseve, grupeve dhe partive aktuale politike.

3. Me sistemin presidencial në Kosove definitivisht do të fillonte inaugurimi i përgjegjësisë dhe e mobilitetit social dhe transparencës e gjithsesi edhe inaugurimi i përgjegjësisë për secilën punë dhe obligim të ngarkuar nga institucionet shtetërore dhe ato të më vonshme private. Pra, sistemi presidencial, shikuar nga këndvështrimi institucional, është një frymë e re, e cila, deri diku, përafrohet edhe me kulturën dhe ngrehinën e mentalitetit tonë tradicional kolektiv. Të përkujtojmë vetëm për një çast cilësinë e menaxhimit dhe përgjegjësisë se madhe që e kishin ata nëpër periudha shumë të vështira sociale, ekonomike e sidomos sosh politike. Kuptohet, ngrehina e këtillë, që kulmon me një tip të ri të përgjegjësisë, pra me një frymë të re të sjelljes ndaj punës, individit, institucionit dhe shtetit të ri që do të ndërtohet dhe do të ruhet me po aq xhelozi, sa investohet në të. Thënë më thjesht, sistemi i ri i sjelljes dhe mobilitetit politik e social do t’i stimulonte pa mëdyshje edhe reformat në arsim, shkencë, teknologji, inxhinierinë njerëzore etj.

Ky lloj kontiniumi heteregjon, në pamje të parë, do t’i krijonte pastaj edhe parakushtet e reja për një mobilizim social kombëtar, meqë do të krijoheshin vende të reja pune, do të fuqizoheshin kapacitetet dhe resurset e gjithëmbarshme sociale. Në anën tjetër, po ashtu, do të hetoheshin demaskimi i pengesave burokratike, të instaluara qëllimisht nga ana ish administrata e UNMIK-ut dhe kontrollet meskine shtetërore, që do të zvogëloheshin në nivele të vendeve që i kanë kaluar ethet e procesit të tranzicionit. Kjo, pa dyshim, mund të arrihet vetëm përmes reformës së pushtetit lokal, decentralizimit, privatizimit, rregullimit dhe reduktimit të administratës qendrore e asaj lokale, në një administratë të efektshme dhe racionale.

4. Gjithsesi sistemi i ardhshëm presidencial Kosovar do të krijonte përveç tjerash edhe një siguri dhe stabilitet të pushtetit ekzekutiv, ku llogaridhënia me nuk do të kishte shans të “avullohet” nëpër sirtarët e pluhurosur të burokracisë, ngaqë procedurat për sanksione eventuale ndajë personave dhe institucioneve përgjegjëse do ishin shumë më të shkurtra dhe efikase gjë që me siguri do të krijonte një mobilizim te ri shumë më shpresëdhënës se sa që është tani në Kosovë.