LAJMI I FUNDIT:

Pse bërtasin analistët?

Pse bërtasin analistët?

Në koridën spanjolle, profesori dhe neurofiziologu José Manuel Rodríguez Delgado, del përballë një demi të tërbuar. Në vend të thikave dhe shpatave për mbrojtje, profesori ishte i armatosur me teledirigjues. Në atë “ballafaqim”, demi mësynë Delgadon dhe, në gjysmë të rrugës, Delgado shtyp një sustë dhe ndalon sulmin e demit. Kjo ngjarje që ndodhi në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, u konsiderua si fillimi i studimeve për kontroll dhe për simulim të trurit.

Studiuesi Delgado dëshmoi atë që shkenca veçse pandehte: agresiviteti dhe hidhërimi neutralizohen në një pjesë të vogël të trurit që njihet si amigdala. Teledirigjuesi ka qenë i lidhur me një elektrodë që ka neutralizuar amigdalën e demit dhe kështu, në mënyrë “automatike”, demi u qetësua.


Shumë vite më vonë – kur përparon shkenca mbi trurin dhe kur shtohen studimet e avancuara në shkencën që përfaqësonte Delgado – psikologu dhe gazetari Daniel Goleman, në librin e tij Inteligjenca emocionale, të vitit 1995, vë në përdorim shprehjen e re: Rrëmbimi i amigdalës. Kjo shprehje përshkruan situatën kur një njeri, për shkak të emocioneve, rrëmbehet dhe bën gjeste të pahijshme apo flet për gjërat të cilat nuk do t’i thoshte sikur t’i kishte menduar me pjesët e tjera të trurit – përfshirë korteksin frontal.

Amigdala – siç përshkruhet edhe në librin Jemi trutë tanë, nga shkencëtari holandez Dick Swaab – është pjesa e trurit që së pari reagon. Ajo stimulohet nga emocionet dhe nga rreziku, ndërsa ka funksion të mbamendjes sa herë që ne përballemi me gjërat e rrezikshme. Mendoj se ky është procesi që ndodhë në trutë e analistëve kur ata bërtasin, kur shkumojnë nga emocionet për gjërat triviale. Ata rrëmbehen nga amigdala.

Mediet i duan këto emocione – meqë rrisin shikueshmërinë – ndaj i nxisin këto reagime. Kjo nxitet sidomos nga mediat që ndikimin e matin me klika dhe shikime të menjëhershme në rrjetet sociale. Mendoj se përkundër rritjes së klikimeve në afat të shkurtër, kjo strategji ul reputacionin e medieve dhe me këtë edhe ndikimin dhe të ardhmen e tyre afatgjate.

Me evoluimin e mediave dhe me shtimin e kërkesave të rrjeteve sociale për përmbajtje të shpejtë, analistët janë kthyer në ofrues të emocioneve dhe jo të analizave, duke e humbur kështu funksionin bazik të analistit. Tashti, analisti më shumë është kanal prej nga dalin opinionet personale, qëndrimet e animet nga një parti apo tjetër. Gjithnjë e më shumë, diskutimet e analistëve duken si duelet në TikTok ku dy persona dalin dhe “shtyhen” në debate koti me njëri-tjetrin.

Për mua, emisionet televizive kjo gjendje i shtynë drejt spektakleve të argëtimit ku përdoren frika, agresioni dhe emocionet tjera për ta mbajtur publikun të angazhuar në njëfarë pornografie gazetareske – në parodinë që Peter Gabriel e quan Shou i Beri Uilliamsit. Sepse, gjithçka përqendrohet në momentet “interesante”, në copëzat emocionuese të emisionit, e jo në mendim dhe në tërësi.

Nuk jam kundër shprehjes së emocioneve në media, por ato nuk u takojnë analistëve. Ndoshta u takojnë gjithë të tjerëve, përveç analistëve. Frenimi i emocioneve, nga ana e analistëve, nuk mund të bëhet me elektroda në amigdala – si në shembullin me demin – por, moderatori mund të ndërhyjë apo edhe ekipi i produksionit mund të bëjë përzgjedhje më ndryshe të konceptit të programit.

Emocionet e kanë vendin e vet, p. sh. kur shënohet goli, kur fitohen zgjedhjet, kur dikush ka ideale dhe është i përkushtuar për to dhe kur të tjerëve u tregon për vlerat që mbartin ato; kur dikush me dashuri e empati e bën një punë të mirë apo kur dikush nga frika e bën një gjë të pahijshme. Mirëpo, këto emocione duhet te vihen në kontekst, pasi mund të nxjerrin anët tona të errëta.

Emocionet janë pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Por, nga amigdala ato mund të barten në veprime të pakontrolluara – nëse nuk kalojnë në korteksin frontal ku vlerësohen kauzaliteti dhe vlerat morale. Po për këtë, në gazetari kërkohen mendimet ekspertëve, shkëputja nga amigdalat, për të shprehur tamam mendim.

Mund të më quani të prapambetur apo klasik, por unë ende i preferoj mediet ku analistët janë ekspertë të një çështjeje dhe që e përdorin pjesën e korteksit frontal të trurit – pra, arsyen për të dhënë mendim për një çështje. Mendoj se pjesa emocionale duhet t’ju lihet militantëve, aktivistëve dhe shumë të tjerëve, por jo analistëve. Emocionet duhet të raportohen si të tilla, jo si analiza.

P.S. Autori i këtij shkrimi nuk është shkencëtar i trurit, por gazetar. Gazetari e ka për detyrë të hulumtojë për përgjigjet. Ndaj, në mungesë të qasjes së drejtpërdrejt te një shkencëtari si Delgado, autori u bazua në analizat e materialeve të publikuara. Para publikimit, teksti është lexuar nga dy mjekë specialistë.

Në trend

Më shumë
MPJD refuzon kërkesën e patriarkut serb Porfirije për të vizituar Kosovën

MPJD refuzon kërkesën e patriarkut serb Porfirije për të vizituar Kosovën

Lajme
Luiz Ejlli bëhet fytyra e re promovuese e

Luiz Ejlli bëhet fytyra e re promovuese e "Golden Eagle” - imazhi i tij tashmë në kanaçen e çdo pije energjike

Magazina
Një klub anglez bën çmendurinë - kërkon 86 milionë euro nga Bayerni për ta liruar trajnerin e tyre

Një klub anglez bën çmendurinë - kërkon 86 milionë euro nga Bayerni për ta liruar trajnerin e tyre

Premier League
Mediat spanjolle e konfirmojnë: Barcelona largon nga ekipi top yllin që e bleu për 40 milionë euro

Mediat spanjolle e konfirmojnë: Barcelona largon nga ekipi top yllin që e bleu për 40 milionë euro

La Liga
Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Dyshime se ndeshja mes Man United dhe Arsenalit ishte e kurdisur - tifozët vërshojnë me komente në rrjetet sociale

Premier League
Piloti australian detyrohet që për tri orë të fluturojë mbi aeroport për ta shpenzuar karburantin, arrin të aterrojë në pistë pa rrota

Piloti australian detyrohet që për tri orë të fluturojë mbi aeroport për ta shpenzuar karburantin, arrin të aterrojë në pistë pa rrota

Australia
Kalo në kategori