LAJMI I FUNDIT:

PS tërhiqet përkohësisht nga protestat

PS tërhiqet përkohësisht nga protestat

Partia Socialiste heq dorë përkohësisht nga protestat dhe angazhohet për situatën politike dhe zgjedhjet e ardhshme vendore, raportoi të martën e përditshmja Mapo. Burime të PS-së kanë thënë për të përditshmen se të paktën për këtë javë nuk do të ketë protesta, ndërsa të premten kreu socialist Edi Rama do të jetë në Elbasan që shënon fillimin e turit të takimeve në bazë.

Ndryshimi i strategjisë së PS-së mësohet se ka të bëjë me sforcimin e madh që kërkon organizimi i një proteste si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana njerëzore. Ndërkaq, e përditshmja Gazeta Shqiptare citoi të martën burimet të kenë thënë se krahas marrjes së një pushimi për të vendosur si do të vijohet me aksionin e opozitës në muajt e ardhshëm, Rama do të ndërmarrë këtë aktivitet për t’i dhënë frymëmarrje strukturave të partisë, gjë për të cilën ka vendosur të angazhohet personalisht, ndërkohë që deputetët po merren me përgatitjet për zgjedhjet vendore.

“Opozita ka vendosur të pushojë për momentin me protestat, kjo të paktën për ditët e mbetura të muajit shkurt, në mënyrë që të vendosë së çfarë do të bëjë me aksionin e saj politik. Nga ana e tij, kreu i PS-së do të nisë një tur bashkëbisedimi me bazën e partisë. Deputetët e PS-së po vijojnë të merren me përgatitjet për zgjedhjet vendore, pavarësisht se deri tani thuhet se nuk do të ketë zgjedhje”, tha ai.

Ndërkohë, pritet që me nisjen e muajit mars të ketë edhe mbledhje të forumeve të larta si Asambleja dhe Kongresi, thanë burimet për Gazetën Shqiptare. Sipas të njëjtave burime me fillimin e marsit pritet që të rinisin edhe protestat, por këtë herë të përditshme.


“Mendohet që protestat të rinisin me fillimin e marsit. Këtë herë mendohet që ato të jenë të përditshme deri në largimin e kryeministrit Berisha,” thanë burimet nga Partia Socialiste. /Telegrafi/