LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria takon Policinë, kërkon pamje filmike

Prokuroria takon Policinë, kërkon pamje filmike

Drejtues të Policisë së Tiranës kanë zhvilluar një takim me kryeprokurorin e Tiranës, Sokol Malaj për të shkëmbyer informacion në lidhje me hetimet që organi i akuzës po zhvillon mbi ngjarjet e 21 janarit, raportoi të enjten e përditshmja Panorama.

Burime zyrtare kanë thënë se takimi i zhvilluar ka qenë në vazhdën e takimeve të përditshme polici-prokurori.

Por, burime të besueshme nga prokuroria i kanë thënë Panoramës se zyrtarët e policisë gjatë takimit u përqendruan në kallëzimet e bëra prej tyre më 23 janar ndaj Skënder Gjinushit dhe Spartak Ngjelës, si dhe përfaqësuesve të tjerë të opozitës që janë akuzuar se kanë bërë thirrje publike për dhunë dhe përmbysje të rendit kushtetues.

Nga ana tyre, përfaqësues të organit të akuzës kanë shpjeguar se pas marrjes së kallëzimeve prokuroria ka nisur verifikimet, por dosjet e paraqitura nga policia nuk përmbanin prova të mjaftueshme.


Prokuroria ka kërkuar nga policia të dorëzojë imazhet filmike që janë regjistruar më 21 janar. Bëhet fjalë për filmimet e bëra nga efektivat e policisë në skenën e ngjarjes, ku janë dëmtuar automjetet pranë piramidës dhe rrethimi i Kryeministrisë. Për shkak të mosdorëzimit të këtyre pamjeve, disa prej të arrestuarve për shkatërrim prone dhe goditje ndaj policisë janë lënë të lirë. Po kështu, janë kërkuar edhe pamjet që kanë lidhje me vrasjen e katër demonstruesve.

Gjatë takimit policisë iu la detyra për të plotësuar dosjen me prova në mënyrë që Policia Gjyqësore të kryejë më pas veprimet e nevojshme, njoftoi Panorama. Prokuroria e Tiranës mësohet se i ka kërkuar dje policisë të zbatojë të gjitha urdhrat e delegimit për dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës nga demonstruesit më 21 janar. /Telegrafi/