LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria: Garda na dërgoi pamje të cunguara

Prokuroria: Garda na dërgoi pamje të cunguara

Në përgjigje të kërkesës së prokurorisë për të bashkëpunuar në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit ku mbetën të vrarë me armë zjarri katër persona, Garda e Republikës ka dërguar pranë organit të akuzës pamjet filmike të regjistruara prej saj, por prokuroria i ka cilësuar ato të cunguara, raportoi të mërkurën e përditshmja Shqip.

Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se pamjet e dorëzuara, 40 ditë pas ngjarjes, paraqesin vetëm persona që godasin me sende të forta drejt kryeministrisë. Sipas burimeve pamjet dyshohet se janë censuruar nga Garda e Republikës, pasi ato nuk paraqesin asnjë detaj në lidhje me organizimin e gardistëve dhe zbatimit të planit të masave të parashikuar për demonstratën e mbajtur më 21 janar.

Nga verifikimet paraprake rezulton se pamjet nuk paraqesin asnjë oficer të gardës, por vetëm disa persona që qëllojnë me sende të forta.

Burime nga organi i akuzës të cituara nga Shqip kanë thënë se prokuroria ka kërkuar bashkëpunim edhe nga Këshilli i Ministrave dhe Policia e Shtetit për të bërë të disponueshme pamjet filmike të regjistruara prej tyre. Këto pamje do të ndihmonin shumë hetimet për 21 janarit, që synojnë të hedhin dritë mbi dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve të autorët e vrasjes katër personave.


Gjykata e Apelit vendos të mërkurën në lidhje me masën e sigurisë për gardistët e arrestuar që dyshohen si autorë të vrasjes së katër personave gjatë demonstratës së 21 janarit. /Telegrafi/