LAJMI I FUNDIT:

Prokurori lexon dëshminë e ish-punonjësit të SHISH

Prokurori lexon dëshminë e ish-punonjësit të SHISH

Xhevat Hana, prokurori i çështjes së rrëmbimit të biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha, 16 vjet më parë, rilexoi të plotë të mërkurën në gjykatën e krimeve të rënda, deklarimet e njërit prej të akuzuarve kryesorë të kësaj çështje, Avni Koldashi, dhënë në vitin 2003. Vetë Koldashi nuk pranoi të fliste sërish të mërkurën para trupit gjykues.

Në dëshminë e lexuar nga prokurori Hana, Koldashi rrëfen se si u urdhërua nga ish- shefi i tij, Sefgjini, aso kohe kreu i SHISH për Tiranën, të mbanin nën vëzhgim një person për 3-6 ditë pasi ky përbënte rrezik për shtetin. “Pas gjashtë ditësh u urdhëruam të shoqëronim Remzi Hoxhen”, thotë ai në dëshminë e cituar nga News 24. Remzi Hoxha është marrë në rrugën e Frigoriferit me një fiat ngjyrë ulliri dhe pasi është futur në makine i kanë lidhur sytë dhe janë drejtuar drejt Lezhës. “Në kthesën e Kamzës Remzi Hoxha i është dorëzuar Ilir Kumbaros”, ka dëshmuar Koldashi.

Koldashi ka dëshmuar dhe për shoqërimin e Ziso Kristopullit nga Ksamili drejt bazës së SHIK- ut në Tiranë. Ngjarja e rëndë e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhes ka vënë para drejtësisë ish- zyrtarë dhe funksionarë të lartë të SHISH, Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Ilir Kumbaron.Ata akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit. Sefgjini dhe Koldashi gjykohen në gjendje të lirë, ndërsa Kumbaro ndodhet në Britaninë e Madhe. /Telegrafi/