LAJMI I FUNDIT:

Profa, reperi i hiteve të dikurshme që la muzikën hip-hop për t’u bërë profesor – Gazmend Kuqi rrëfen të shkuarën dhe jetën e re larg Kosovës

Profa, reperi i hiteve të dikurshme që la muzikën hip-hop për t’u bërë profesor – Gazmend Kuqi rrëfen të shkuarën dhe jetën e re larg Kosovës
Foto-kolazh: Ardian Keka/Telegrafi

Ai ka qenë dikur një nga doajenët e muzikës hip-hop në vend, por me kalimin e viteve u tërhoq nga skena vendore e zhanrit rep.

E prej disa viteve, ai është larguar edhe nga Kosova bashkë me familjen e tij, në drejtim të një jete me mundësi më të mira, të gjetur në shtetin francez.

Gazmend Kuqi apo i njohur me nofkën “Profa”, që dikur ishte prezent në skenën e artit me këngë rep dhe tekste kuptimplota, ka tash e sa vite që ia ka mbyllur dyert muzikës – e duket se përveç migrimit, shkak për këtë ka qenë edhe evoluimi i muzikës hip-hop në vend, që nuk përkonte me gradën e tij akademike.


Gazmend Kuqi (Foto: Telegrafi)

Reperi i cili ka mbaruar studimet master në RIT(AUK) dhe që dikur ka ligjëruar në American School of Kosova, Kolegjin “Mehmet Akif”, “The Cambridge School” dhe “New Age School” si profesor i gjuhës angleze, nuk i ka thënë jo një interviste për Telegrafin pas kaq vitesh, për të rikthyer në retrospektivë të kaluarën e tij si reper, periudhën si mësimdhënës për brezat e rinj e deri te puna që bën ai sot.

Telegrafi: Gazmend, ka tash e sa vite që jeni larguar nga Kosova. Ku ndodheni tani dhe me çfarë merreni?

Gazmend Kuqi (Profa): Ka disa vite që jam në Francë. Merrem kryesisht me përkthime e lexim, por edhe shkruaj e udhëtoj.

Telegrafi: Pse vendosët të largoheshit nga Kosova dhe sa ka qenë e vështirë zhvendosja?

Gazmend Kuqi (Profa): Si shumë kosovarë të tjerë edhe unë kam qenë i detyruar të lë vendin për arsye që dihen nga të gjithë. Zhvendosja ka qenë e vështirë sepse unë kam qenë anglofon e jo frankofon, dhe asokohe dija vetëm disa fjalë dhe shprehje themelore të frëngjishtes. Kjo gjë, kuptohet, më ka shkaktuar vështirësi, sepse çdo gjuhë vjen me bagazh kulturor të vetin, e për të mësuar një gjuhë duhet mësuar shumë gjëra të një kulture. Letërsinë frënge e kisha njohur edhe me ka pëlqyer shumë, por e kisha lexuar të përkthyer.

Telegrafi: Ju keni qenë një nga reperët kult të momentit në vitet e pas-luftës. Çfarë ndodhi me rap-in, pse e ndërpretë karrierën në hip-hop?

Gazmend Kuqi (Profa): Ndoshta arsyeja kryesore pse e kam lënë repin është se asokohe kisha përshtypjen se e kisha thënë atë që kam pasur për të thënë. Tjetra është se unë kam qenë ‘outsajder’, nga fakti që kam ardhur nga rrethi akademik, dhe nuk më pat pëlqyer orientimi që pat marrë asokohe skena rep. Sikur po venitej skena alternative dhe nuk më përshtatej rrethi. Kosova është vend i vogël për të pasur shtresëzime të skenës muzikore dhe rrjedhimisht kultura alternative mbijeton, por e ka vështirë të lulëzojë. Te ne muzika, edhe arti në përgjithësi, konsumohet ekskluzivisht për argëtim e shumë më pak për kalori estetike.

Telegrafi: Jeni shquar për tekstet domethënëse dhe kuptimplota që keni shkruar jo vetëm për vete por edhe reperët e rinj të asaj kohe. Cilin nga tekstet muzikore e ke më përzemër dhe e cilëson si më të mirin që ke shkruar?

Gazmend Kuqi (Profa): Shumicën e teksteve që i kam shkruar kanë vlerë për mua, edhe e kam vështirë t’i ndajë sepse dallojnë njëri nga tjetri për nga përmbajtja, si dhe nga teknika e shkrimit. Në fillim kam shkruar në varg të lirë, me huqje takti, me stil më të improvizuar, tip ‘jazz’-i në vargje. Më vonë kam shkruar në varg standard e me rima standarde.

Gazmend Kuqi (Foto: Telegrafi)

Telegrafi: Çfarë mendon për skenën muzikore sot, në veçanti për rrymën hip-hop në trevat shqiptare?

Gazmend Kuqi (Profa): Me ju thënë të drejtën nuk jam duke e përcjellë edhe aq, por një gjë jam i sigurt, garant është më mirë se në vendet e rajonit. Mendoj që arsyeja është e thjeshtë. Me qenë se ne si popull jemi kulturalisht të përzier dhe të hapur, recetat tona të kuzhinës muzikore janë të pasura. Më shumë jam duke e përcjellë skenën franceze ku repi alternativ poetik është shumë i çmuar nga publiku, i cili është mjaft i avancuar nga aspekti letrar, dhe ka kërkesa artistike. Si mos te ketë kur Franca është vendi me numrin më të madh të nobelistëve në fushën e letërsisë në botë.

Telegrafi: A ke ende kontakte me ndonjë artist nga estrada dhe me kë keni pasur më shumë raporte?

Gazmend Kuqi (Profa): Faktikisht unë kam pasur kontakte me gjithë skenën alternative, kuptohet largësia e bën të vetën por prapë jemi në kontakt edhe flasim herë pas here.

Telegrafi: Nga erdhi nofka Profa?

Gazmend Kuqi (Profa): Kjo ka ardhur shumë natyrshëm pasi që të gjithë më thërrisnin Profë, pasi kam qenë profesor i shkencave sociale dhe i gjuhës angleze.

Telegrafi: Ju keni punuar edhe si profesor në ASK. Na trego pak si ka qenë eksperienca jote atje?

Gazmend Kuqi (Profa): Ka qenë një eksperiencë e çmuar për mua, si në aspektin profesional, ashtu edhe personal. Puna e mësimdhënësit është diçka që me vie natyrshëm, dhe kuptohet shkencat sociale i dua shumë.

Gazmend Kuqi (Foto: Gazmend Kuqi/Facebook)

Telegrafi: Si e kanë pritur nxënësit dhe studentët një profesor që ka qenë reper. A kanë qenë më të afërt me ty duke qenë se keni qenë më moderne ndoshta se profesorët e tjerë?

Gazmend Kuqi (Profa): Padyshim që kam qenë më i afërt dhe kjo më ka ndihmuar të tërheq vëmendjen e tyre për lëndët shkollore që i ligjëroja. E kanë pritur me kuriozitet por edhe pak me habi. Repi, së paku te ne asokohe, është bërë prej adoleshentëve, sepse ka qenë rryme e re, ose ka ardhur nëpërmjet kanaleve komerciale. Jo që kam pasur ndonjë ndryshim të madh në moshë, edhe unë sapo i pata përfunduar studimet, por për disa prej tyre, por edhe për të tjerë në përgjithësi, ka qenë e pakuptueshme se pse kam zgjedhur një formë të tillë artistike. Arsyeja është e thjeshtë: pak kush lexon poezi. Shumica e poezive janë abstrakte, dhe të vetmin kontakt që e kanë shumica e njerëzve me vargun është nëpërmjet teksteve të këngëve, ose poezitë e vetme qe i kanë lexuar e mësuar, janë ato të shkollës fillore, kur kanë qenë të detyruar t’i mësojnë përmendësh.

Telegrafi: Çfarë të mungon më shumë nga Kosova dhe sa shpesh vjen për vizitë?

Gazmend Kuqi (Profa): Më mungon dielli i Kosovës, qielli i hapur shumicën e kohës, edhe kur bën ftohtë, më mungojnë familja e miqtë, si dhe kafet më të mira në botë. Shpresoj të vijë së shpejti.

Telegrafi: Prof, faleminderit shumë për këtë intervistë pas kaq vitesh. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?

Gazmend Kuqi (Profa): Faleminderit edhe prej jush, e lexuesve të Telegrafit iu sugjeroj të lexojnë më shumë gazetari profesionale dhe të ruhen nga lajmet e rreme që si duket janë bërë epidemi globale. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë

"Të betohem se asnjë ndjenjë nuk e kam për ty”, Gjesti shokon me deklaratën ndaj Eglit

Magazina
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Magazina
Në vitin 2014, ajo tronditi Evropën me fitoren në 'Eurovision', si duket sot Conchita Wurst?

Në vitin 2014, ajo tronditi Evropën me fitoren në 'Eurovision', si duket sot Conchita Wurst?

Magazina
Kylie Jenner mahnit me një veshje rozë sportive, ndërsa tregon linjat e saj perfekte

Kylie Jenner mahnit me një veshje rozë sportive, ndërsa tregon linjat e saj perfekte

Magazina
Klajdi Musabelliu eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Klajdi Musabelliu eliminohet nga Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori