LAJMI I FUNDIT:

Pro-amerikanizëm militant apo me bindje?

Para pak ditësh, ndodhi, “çudia”: Menjëherë pas botimit në gazetën “Shekulli” të një shkrimi të gazetarit Ilir Yzeiri, gazeta dhe autori u shpallën gati armiq të ambasadës amerikane dhe të ambasadorit të saj, Arvizu dhe u ndëshkuan me “ndërprerje të marrëdhënieve (!)”
Vërtet, rast i paprecedent, kur sidomos, pikërisht nga ambasada amerikane dhe nga ambasadorë amerikanë, pritej reagimi më demokratik e luajal, si ambasada e vendit kampion të demokracisë dhe simbol i lirisë së shtypit dhe i shtypit të lirë.
Gazetarët, njerëzit e medias, politikanët, opinioni u hutuan nga kjo “bombë”.
Pse ndodhi? Pse ky qëndrim radikal? Kundër medias? Kundër ambasadorit? Zoti Arvizu u fye dhe nuk administroi dot zemërimin e tij, apo ndoshta, kërcënoi me këtë qëndrim tërë gazetarët e mediat? Ky nuk është rasti i parë dhe i dytë…

Dhe, me të vërtetë, “historia” fillon më herët…
Pas ngjarjeve të 21 janarit, kur u vranë 4 shqiptarë të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra qytetarë e policë, ambasadori amerikan Arvizu e cilësoi kryeministrin Berisha “burrë shteti”, e, më pas, u pa disa herë në publik përkrah ish-Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha, apo duke përgëzuar forcat e policisë. Sikurse ndodh përherë në mediat pro dhe kundër qeveritare, qëndrimet e ambasadorit Arvizu, edhe këtë radhë, u asimiluan e u shfrytëzuan sipas interesave të tyre partiake. Dhe, për çudi, brenda pak kohësh, shqiptarëve, që nga njëri prej popujve më proamerikan, e ndoshta më proamerikanët në botë, madje, një sondazh përmend shifrën 93 % të shqiptarëve si proamerikanë, po u cenohet ky cilësim.


Dhe, gjithashtu, për çudi, këtë përqindje, në një masë tejet të madhe, së paku, 50 %, e uli vetë kryeministri e zëdhënësit e tij, kur zunë të propagandonin nga tribunat politike e tani, ato elektorale, se opozita, krejt opozita e jo më vetëm ajo socialiste, nuk është me Amerikën, madje as me Evropën, sepse nuk donte hyrjen në NATO, nuk donte liberalizimin e vizave, kritikonte ambasadën amerikane etj., etj.

Si mund të thotë e shkruaj kështu një kryeministër, kryeopozitar, kryeparlamentare, deputet etj., etj? Si mund ta thotë këtë një gazetë apo televizion? Mendoni se është e mundur që një vend i NATO-s, i cili aspiron të jetë vend kandidat për në BE, të ketë gjysmën e popullsisë me prirje kundërevropiane e kundëramerikane?! A mund të jetë proevropianizmi dhe proamerkanizmi monopol i një partie?Natyrisht, që jo.

Shqipëria ka një traditë tepër të gjatë, madje, shekullore të orientimit properëndimor, proevropian e proevroatlantik, veç faktit, që fizikisht ndodhet të këtë kontinent. Për të mos hyrë thellë në histori, së paku, që nga Epopeja e Gjergj Kastriotit, të këtij luftëtari të lirisë dhe shpëtimtarit të Evropës nga pushtimi osman, Shqipëria dhe shqiptarët e kanë të shpallur dhe të vërtetuar, edhe me gjak, orientimin e tyre evropian e perëndimor. Nuk janë rastësi bustet e Skënderbeut të ngritura nga Italia në SHBA, apo edhe tentativat e një sërë shtetesh për ta bërë të vetin këtë figurë të madhe historike.

Rilindësit tanë, si Naim Frashëri dhe, më pas, Faik Konica e kishin flamur lufte dhe fitoreje orientimin dhe modelin proevropian dhe proamerikan. Psh., rilindësi, poeti dhe gjuhëtari i madh Ndre Mjeda, në poezinë e tij me titull “Liria”, evokon figurën e Xhorxh Uashingtonit dhe të Amerikës si shembull në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare.
Ndërkaq, Shqipëria e shqiptarët nuk mund të harrojnë e u janë përjetë mirënjohës Amerikës, politikës e presidentëve amerikanë, që nga Xhorxh Uashingtoni apo Uillsoni për mbështetjen në luftën për liri e pavarësi, sikurse dhe për çlirimin e pavarësinë e Kosovës, nga serbët e Millosheviçit.

Ka njëzet vjet, që pas rrëzimit të regjimit komunist, që Shqipëria dhe shqiptarët i’u rikthyen këtij orientimi zyrtarisht dhe legalisht. Ndaj dhe tentativat e disa udhëheqësve politikë, që për efekte elektorale, e politike duan të bëjnë këtë monopol, duken absurde dhe qesharake. Nëse një popull apo një individ, është apo nuk është proamerikan, nuk varet nga asnjë kryeministër, president apo politikan. Përkundrazi, një kryeministër, një president, një politikan duhet të ndihmojë dhe ndikojë për të krijuar kushte, që këto standarde euroatlantike të arrihen një orë e më parë.

Proamerikanizmi i pandarë nga proevropianizmi, që ndryshe formulohet proeuroatlantizëm është një sistem i tërë vlerash. Ai është një standard politik, ekonomik, ligjor, social, ushtarak, mediatik… Ai është NATO, BE, është aleancë shtetesh e formuar mbi të njëjtin sistem vlerash dhe interesash reciproke. Pra, me fjalë të tjera, proevropianizmi dhe proamerikanizmi është e ardhmja e Shqipërisë, për shkak të këtyre standardeve që, në thelb, përmirësojnë jetën e njeriut, dhe forcojnë shtetin ligjor.

Deklarata e ambasadorit amerikan, Arvizu që e cilësoi kryeministrin Berisha “burrë shteti”, nuk u përtyp mirë nga disa gazetarë, analistë e një pjesë e opinionit publik, e, rrjedhimisht, solli edhe reagimin e tyre duke thyer një tabu të medias sonë. Por, sidomos, reagimi ekstrem i tij dhe i ambasadës amerikane ndaj gazetës “Shekulli” dhe gazetarit me përvojë Ilir Yzeiri, që, dhe u ndëshkua me “prerje të marrëdhënieve me ambasadën”, si autor sulmesh kundër ambasadorit dhe Amerikës (siç!), shkaktoi reagim jo të këndshëm dhe hutim në media dhe politikën shqiptare.

Për herë të parë gjatë këtyre njëzetë vjetëve, me kritikat ndaj z.Arvizu, shtypi shqiptar tregoi një shenjë të lartë emancipimi: “rrëzoi” mitin e ndërkombëtarëve si “të pakritikueshëm”. Natyrisht, sikurse pritej, pati shumë gazetarë të tjerë e analistë që u frikësuan nga këto artikuj, duke i cilësuar ato si “kundër-amerikane”. Madje, në shkrimet e tyre bëhej edhe thirrje për censurim, sidomos, kur bëhet fjalë për partnerin tonë kryesor strategjik, Amerikën. Por, shqetësimi i tyre nuk qëndron, sepse është vetë proevropianizmi dhe proamerikanizmi, ky sistem vlerash ku përfshihet edhe standardi mediatik, që na tregon, se askush nuk është i pakritikueshëm.

Edhe qëndrimet kritike të disa gazetarëve, analistëve ndaj ambasadorit amerikan Arvizu, janë pikërisht në këtë linjë, pra proamerikanë dhe jo e kundërta, siç duan ta evidentojnë disa të tjerë, që besojnë se SHBA-të, aq më pak, janë të pakritikueshëm. (Këtu nuk bëhet fjalë për artikuj tendenciozë për show, nga autorë që merren me shkrime konspirative).

Gazetat e mëdha, si: “New York Times”, “Washington Post”, “Guardian”, “The Indipendent”, “Le monde”, “Der Spiegel” apo edhe “Corriere Della Sera”, janë ajka e shtypit botëror, edhe për faktin se në shkrimet e tyre ka një frymë kritike ndaj Obamës, Klintonit, Kameronit, Sarkozisë, Merkelit e Berluskonit dhe jo lajkatarë të pushtetit të tyre. Nëse lexon këto të përditshme, mund të gjesh kritika, opinione e editoriale me qëndrime të ashpra, radikale edhe ndaj një presidenti, si ai i SHBA-ve.

Mos ndoshta këto gazeta, por edhe të tjera, janë kundëramerkane? A mos abuzojnë ato me këtë liri shtypi? Përkundrazi, demokracia e sotme në SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Itali etj., është në standarde të tilla, edhe për shkak të këtij shtypi realist e kritik. Ndaj dhe ky fakt duhet të na gëzojë të gjithëve, sepse kështu kemi hedhur edhe ne një hap përpara drejt maturimit të shtypit, pra, edhe një hap drejt proevropianizmit e proamerikanizmit.

Tendenca për zbehjen, e aq më keq për kundërvënie, ndaj këtyre zërave kritikë dhe në vend të tyre thurje elozhesh apo komplimentesh hileqare, është e rrezikshme, kundëramerikane. Ato synojnë të na kthejnë mbrapa në kohë, kur i kërkoheshin shtypit vetëm lajka e hosana për socializmin e arritjet e tij botërore, dhe kur citoheshin për servilizëm politik, Stalini, Mao Ce Duni, e sidomos Enveri.

Pra, për lajka nuk ka nevojë as Amerika e as Shqipëria, pasi ato nuk janë argument, nuk janë bindje. Lajkat gjithmonë shprehin hile, edhe midis miqsh. Nëse nuk e ndërtojmë këtu sistemin e vlerave që përfaqëson proevropianizmi dhe proamerikanizmi, ne do mbesim sërish dëshmitarë të gjallë të një realiteti ku niveli i papunësisë, që sipas INSTAT-it është 13.8% (Shqipëria në shifra 2010), jo vetëm që nuk ndryshon por vijon të rritet në krahasim me një ose dy vjet më parë. Habia vjen e shtohet kur ky nivel i papunësisë i një prej vendeve “imun” nga kriza ekonomike, siç shpallej Shqipëria, shënon një statistikë më të rëndë se vetë Greqia (sipas “EUROSTAT 2010” niveli i papunësisë në Greqi është 12.9%), shteti që disa muaj më parë lëshoi alarmin për falimentim.

Po kaq kundëramerikane, kundërevropiane apo kundëreuroatlantike si koncept, vijon të mbetet propaganda që fsheh shifrat reale të viktimave nga aksidentet rrugore, ku sipas raportit vjetor të Policisë së Shtetit për 2010-ën, janë shënuar 365 viktima, një në ditë, për të mos folur pastaj për statistikat e dhimbshme të gjakmarrjes, hakmarrjes, krimit të rrugës, trafikut të lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, që shënojnë nivele alarmante.
Dhimbja e nënave, lotët e grave dhe të fëmijëve për gjithë këto viktima, nuk mbulohen dot, as me servilizmin qeveritar e as me lajka ndaj zyrtarëve të SHBA-ve, BE-së e NATO-s.

Shifrat e sondazhit “Gallup Balkan Monitor 2010” që i rendisnin shqiptarët si popullin më proamerikanë e proevropianë në rajon (93%), natyrisht, që është një lajm i gëzueshëm. Kjo statistikë na nderon si popull. Por, do të na nderonte më tepër po të jemi vërtet të sinqertë në ato që themi dhe po të shprehim bindje dhe argumenta në proamerikanizmin tonë, që duhet ta mbrojmë me rritjen e standardeve, e jo me slogane e lajka.

Kur u dogj flamuri i NATO-s gjatë një proteste në Tiranë, ishte paksa i tepruar dhe emocional reagimi ynë, i cili, më shumë ngjante me sjelljen e një militanti të verbër, sesa me një njeri me bindje të forta properëndimore. Qëndrime të tilla abuzive nuk janë parë as në vende si Franca e Gjermania, kur jo rrallë herë në këto shtete, që janë djepi i demokracisë, është djegur flamuri i NATO-s, SHBA-ve, madje, është grisur edhe fotografia e presidentit amerikan Bush.

Nëse proamerikanizmi dhe Amerika do të donin lajka dhe slogane, ajo nuk do të ishte Amerika që duan Shqipëria, shqiptarët, që do bota. Shqiptarët e dinë mirë se integrimi evropian e euroatlantik nuk synon ta ngrejë “hopa” fizikisht Shqipërinë, e ta çojë në Evropë (ne, fizikisht, aty jemi) e as në SHBA, por përmes përvetësimit të sistemit të tyre të vlerave, të sjellim SHBA-në dhe BE-në, këtu në Shqipëri. Kjo rrugë, dhe këto marrëdhënie me Perëndimin, për ne shqiptarët është pa kthim, dhe ky komunikim e këto marrëdhënie, nuk mund të “ndërpriten” nga asnjë ambasador. Mesa duket, edhe politikanët tanë, prandaj heshtën. Se e dinë që nuk ndërpriten dot…